Zgjedhjet vendore të 2019, seancë maratonë prej 9 orësh në gjykatë! ‘Kushtetuesja’ vendos të pezullojë gjykimin, do i drejtohet ‘Venecias’

Pas 9 orësh seancë në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për këtë çështje dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion. Palët e përfshira në këtë çështje Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike dhe Voltana Ademi në emër të kryetares së Shoqatës së Bashkive kanë të drejtë të depozitojnë deri me 25 qershor vetëm nga një pyetje për Komisionin e Venecias. Më pas Gjykata Kushtuese do i drejtohet Komisionit  të Venecias me pyetjen e saj dhe pyetjen e palëve për të marrë përgjigjet dhe argumentet e Venecias.

Gjatë ditës së sotme ka pasur diskutime të gjata mes palëve të përfshira në çështje, ku Këshilli i Ministrave, Kuvendi dhe Bindja Demokratike, vendimin e Metës për anulimin e 30 qershorit, e cilësoi si një shkelje ligjore dhe antikushtetuese të Presidenti.

Sipas Përfaqësueses së Këshillit të Ministrave, Meta mund të caktojë vetëm datën e zgjedhjeve, por nuk ka tagër ligjor e kushtetues për t’i anuluar ato përveç rasteve të jashtëzakonshme. Ajo shtoi se argumentet e Metës për anulimin e tyre nuk përbënin këtë rast dhe se nuk kishin natyrë kushtetuese. Edhe Bindja Demokratike ishte në të njëjtën linjë me përfaqësuesen e qeverisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Presidencës dhe kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, kanë kërkuar mos legjitimimin e 30 qershorit dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve vendore të 2019 me argumentin se u cenua liria e të drejtës së votës dhe nuk u garantuar pjesëmarrje e gjerë e partive politike. Ndërsa Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca  se zgjedhjet nuk i shërbyen interesit të qytetarëve dhe cenuan legjitimitetin e pushtetit vendor.

Ndërkohë, përfaqësuesja e KQZ preferoi të mos përgjigjej për shumicën e pyetjeve të ngritura me argumentin “se kjo çështje është gjykim i Kushtetueses dhe se KQZ nuk mund të komentojë vendimet e vjetra pasi ata janë një organ i ri në ngritje”. Sa i takon ‘legjitimitetit’ të Voltana Ademit në krye të Bashkisë Shkodër, KQZ tha se nuk ka mandatuar asnjë kryetar të zgjedhjeve të 2019, pasi fituesi Valdrin Pjetri u tërhoq para se të mandatohej.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Venecias për ligjshmërinë apo jo të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ankimuesja Voltana Ademi tha se themelet e demokracisë u shkelmuan në zgjedhjet vendore dhe se vendimi i Kushtetueses do t’i shërbej demokracisë. Edhe përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishaj ishte në të njëjtin qëndrim, ku e konsideroi të drejtë vendimin e gjykatës që të këshillohet me Komisionin e Venecias

Më 18 korrik 2019, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkon që ky proces zgjedhor të mos njihet. Ademi kërkoi se kërkesa e dorëzuar nuk ka të bëjë vetëm me ankimimin e procesit zgjedhor por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike. Ademi paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të bashkive të Shqipërisë, e cila sot është ish kryetare pasi pak javë më parë në krye të shoqatës së Bashkive u vendos Pjerin Ndreu.

Gjatë diskutimeve në Kushtetuese, Qeveria dhe Kuvendi e përqendruan argumentin e tyre tek fakti se shoqata e bashkive ishte pa përfaqësim në gjykatë pasi sipas tyre Ademi nuk mund të jetë kryetare pasi është ish kryetare bashkie. Por anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e rrëzuan kërkesën duke i dhënë në këtë mënyrë kryebashkiakes së Shkodrës, legjitimitet në krye të shoqatës që paralelisht drejtohet nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.Tashmë për çështjen më të nxehtë të 2 viteve të fundit ‘zgjedhjet e 30 qershorit 2019’ pritet të merret një opinionin nga Venecia dhe në fund Kushtetuesja do të thotë fjalën e saj përfundimtare.

 

 

VIDEO/ Raportimi i gazetarit Arsen Rusta

VIDEO/ Raportimi i gazetares Eliza Gjediku

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:02
Voltana Ademi: Demokracia u shkallmua në zgjedhjet lokale të 30 qershorit! Urojmë që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim që t'i shërbejë demokracisë

 

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, pas përfundimit të seancës maratonë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019, u shpreh se uron që kjo gjykatë të marrë një vendim që do t'i shërbejë demokracisë së vendit. Ademi i konsideroi zgjedhjet lokale që u mbajtën më 30 qershor të 2019 si një shkelje"shkallmim" të demokracisë, ndërsa shtoi se uron që të merret sa më shpejt një vendim në lidhje me këtë çështje.

"Fakti që sot kemi duke e shqyrtuar është një arritje e madhe, drejtësia duhet të vendosë. Sot patëm një seancë shumë të gjatë, unë besoj se edhe Gjykata Kushtetuese të vijojë me një vendimmarrje që do t'i shërbejë jo vetëm shoqatës së Bashkive po pluralizmit në Shqipëri, demokracisë themelet e demokracisë janë shkelmuar më 30 qershor të vitit 2019. Uroj të kemi sa më shpejt një vendim. Institucionet në Shqipëri duhet të respektojnë ligjin", tha ajo.

Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i Ademit, Jordan Daci tha se përfaqësuesit e qeveris ënë seancë, u bënë "qesharakë" dhe se "tallen me të drejtat e çdo qytetari.

"Lajm i mirë është se Gjykata kushtetuese funksionon. Tashmë është në të drejtën e gjykatës që t'i drejtohet Komisionit të Venecias. Nuk do të ketë asnjë devijim por do të ketë krejtësisht vlerësime në favor të padisë tonë. Përfaqësuesit e Qeverisë u bënë sot qesharakë në mënyrën sesi sillen dhe tallen me të drejtat e çdo qytetari i Shqipërisë. I takon Gjykatës Kushtetuese të thotë fjalën e fundit dhe kam besim se do të na e pranojë kërkesën", u shpreh ai.

Ora 19:32
Diskutimet në ‘Kushtetuese’ për zgjedhjet e 30 qershorit, Qeveria: Meta cenoi sovranitetin! KQZ: Nuk dëshirojmë të shprehemi mbi zgjedhjet lokale, jemi një organ i ri

Në gjykatën Kushtetuese kanë vijuar debatet e përfaqësuesve të qeverisë, presidentit, KQZ , avokatja  e popullit në lidhje me vendimin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Përfaqësuesja e qeverisë Kokona: Nuk e shohim te ligjshme është kryer një proces që është monitoruar nga ndërkombëtarët dhe në parim të kushtetutës pasi janë të pranuara edhe sot.

Përfaqësuesi i qeverisë, Ahmetaj: Dekreti i presidentit është akt individual. Ndalemi tek dekreti i presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, cenoi sovranitetin e popullit dhe kompetencat e kuvendit. Veprimet e presidentit si për te anuluar ashtu dhe për të shtyrë datën e zgjedhjeve janë akte administrative të pavlefshme. Kërkojmë rrëzim të kërkesës.

Përfaqësuesja e qeverisë Kokona: Kryetar shoqate nuk mund te jete një ish kryetar bashkie

Përfaqësuesi i qeverisë, Ahmetaj: Dëmtohej periodiciteti, të zgjedhurit do të rrinin në pushtet duke tejkaluar mandatet e tyre sepse do të sillte abuzim me pushtetin.

Bledar Dervishaj: Mbrojtja e argumentit si kryeministër, si këshill ministrash apo kryetar partie? Pse Rama nuk erdhi ne takim ne presidence?

Përfaqësuesja e qeverisë Kokona: Nuk kam informacion per letrën

Avokati i popullit, Erinda Balanca: Zgjedhjet nuk i shërbyen interesit të qytetarëve. Legjitimiteti të pushtetit vendor është cenuar nga këto zgjedhjeje. Do kërkoj nga gjykata të mbante qëndrim si komisioni i Venecias. Avokati i popullit vëren me shqetësim që ne vitet e fundit nuk respektohen ligjet. Nuk ka shpjegim që një dekret sido që të jetë nuk respektohet nga një organ administrativ. Është shume e rëndësishme që zgjedhjet të jenë ligjore, ndaj edhe gjykata ta trajtojë në thelb dhe të dalë në një vendim. Është gabim bojkoti i zgjedhjeve parlamentare por është detyre e shumicës të arrinte konsensus.

KQZ: Ja le ne shqyrtim gjykatës çështjen, jemi organ i ri dhe nuk komentojmë vendimet e vjetra. Ne momentin që presidenti ushtron kompetencat KQZ vihet në lëvizje për të përgatitur infrastrukturën zgjedhore, dhe zbatojmë dekretin. Procesi nis me dekretimin. I gjithë procesi është i kushtëzuar dhe afatet respektohen nga organi qe e administron. Komisioneri i referohet vendimmarrjes së mëparshme, është menduar për ti ardhur në ndihmë procesit duke referuar vendimmarrjet e mëparshme të KQZ, ne asnjë moment komisioneri nuk shpreh qëndrim për procesin zgjedhor 2019. Nuk dëshirojmë të shprehemi mbi zgjedhjet lokale, jemi në ringritje të një institucioni të ri. Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve është një organ i ri.

Jordan Daci: Keni administruar ndonjë vendim të formës së prerë për bindjen.

KQZ: Janë vendimmarrje të KQZ në vitin 2019. KQZ vihet në zbatim të datës së zgjedhjeve për përgatitjen, ndërsa presidenti vendos datën e zgjedhjeve.

Dervishaj: A është i mbështetur dekreti i presidentit ne ndonjë dispozitë të kodit zgjedhor, penal apo vetëm në kushtetute. A ua vuri në dispozicion KQZ dekretin e presidentit?

KQZ: Përgjigja nesër në Gjykatë me shkrim.

Dervishaj: A vlerësuan anëtarët e KQZ të takonte presidentin apo parlamentin?

KQZ: E ritheksoj përgjigja me shkrim nesër.

Ora 16:28
Rinis seanca në Kushtetuese, përfaqësuesja e parlamentit: Presidenti s’ka tagër të anulojë zgjedhjet! Arsyet e dhëna nuk kanë natyrë kushtuesese

Rinis seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ku fjalën e ka marrë përfaqësuesja e parlamentit. Ajo thekson se presidenti nuk ka asnjë tagër ligjor që të anulojë datën e zgjedhjeve e por vetëm të caktojë atë dhe se arsyet që e kanë shtyrë presidentin për të anuluar zgjedhjet nuk kanë natyrë kushtetuese.

“Presidenti ka tagër kushtetues të caktojë datën e zgjedhjeve  por asnjë tagër dhe të drejtë të ndryshojë apo anulojë atë. Juristi i presidentit tha se një nga arsyet e anulimit ishte informacionet për protestën që do mbanin partitë politike, por këto rrethana nuk kanë natyre kushtetuese që të çonte presidentit në shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit”, tha përfaqësuesja e parlamentit.

Ora 15:01
Seanca në kushtetuese, Dervishaj i Presidencës: Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve është ende në fuqi

Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 janë të pavlefshme. Madje sipas tij edhe sot dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është në fuqi.

"Presidenti e mbështet kërkimin e shoqatës së bashkive dhe kërkon pranimin  e saj. Objekti i shqyrtimit në GJK nuk është dekreti i Presidentit, por antikushtetueshmëria  e procesit në 30 qershor dhe antikushtetuetshmëria e organeve të zgjedhura në 30 qershor. Përmes mjeteve dhe instrumenteve politikë, këto palë të koordinuara pa mbështetje kushtetuese realizuan një proces votimesh në 30 qershor e cila nuk ekzistonte dhe u zhvillua një proces pa garë. Kushtetuta ka vendosur që Presidenti të jetë ai që cakton datën e zgjedhjeve. Duke anashkaluar dekretet e Presidentit vijuan një proces që nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë. Thelbi i shqyrtimit është a ishin zgjedhjet te lira, të ndershme dhe a përfaqësojnë vërtet vullnetin e popullit. Dekretet janë publike dhe i kemi paraqitur edhe para gjykatës. Ne zbatim të dispozitave kushtetuese presidenti caktoj 30 qershorin si date të zgjedhjeve në një klimë të qetë politike, me komplikimin e situatës lënies  e mandateve dhe mos pranimin e opozitës për tu futur në zgjedhje gjë që ndikoi në vendimin e Presidentit për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Sipas jurisprudencës Presidenti mbikëqyr proceset, dhe kur konstaton se po shkelen rregullat ndërhynë për të normalizuar situatën. As KQZ dhe asnjë organ tjetër nuk ka të drejtë të shprehet mbi një vendim te presidentit. Nuk është shprehur për një gjë të tillë, KQZ e ka cilësuar dekretin sipas pikëpamjes se saje sepse nuk ka kompetencë të shprehet. Dekreti nuk ka rënë nuk e preku askush, dekreti është në fuqi edhe sot", ka thënë ndër të tjera Dervishaj.

Ora 13:02
Rinis seanca në Kushtetuese, Jordan Daci: Si e shpalli KQZ të pavlefshëm dekretin e Presidentit? Nuk u respektua fshehtësia e zgjedhjeve

1523471016_jordandaci.jpg

Ka rinisur seanca në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zgjedhjeve të 30 prillit. Avokati i shoqatës së bashkive, Jordan Daci tha çdo shqiptar duhet të ketë një përgjigje pasi kjo situatë është bërë shkak për konflikte politike.

"Për ne nuk ka  zgjedhje pa dekret presidencial. Asnjë akt tjetër nuk e zëvendëson aktin e presidentit. Me çfarë të drejte KQZ e shpalli të pavlefshëm dekretin e Presidentit. Kush janë mjetet ligjore që KQZ konstatoi pavlefshmëri absolute të një dekreti presidencial", ka thënë Daci.

Ora 10:05
Përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso lejohet pasi shumë debatesh në seancë! Gjykata Kushtetuese: Nuk është palë

1624435701_Sequence03.00035205.Still009.jpg

Gjykata kushtetuese pas shumë debateve ka lejuar si dëgjues përfaqësuesin e PD, Ivi Kaso, të ndjekë nga afër seancën për zgjedhjet lokale. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se nw fund ai është lejuar si dëgjues. Fillimisht ai nuk u lejuar pasi sipas administratës së Kushtetueses, PD nuk është palë në këtë çështje dhe sipas rregullave anti COVID duhet ta ndiqte në distancë.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës