Eliminimi i Barcelonës nga Champions League kundër Atletico Madridit ka shkaktuar polemika të mëdha, me debatet që janë përqendruar kryesisht te vendimet e gjyqtarit dhe ndërhyrjet e VAR-it. Sfida e kthimit në ‘Metropolitano’ përfundoi me fitoren 1-2 të Barcelonës, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur humbjen 0-2 në ndeshjen e parë, duke bërë që katalanasit të eliminohen me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Megjithatë, përtej rezultatit, vëmendja u zhvendos te disa episode të diskutueshme që ndikuan në rrjedhën e dy takimeve. Një nga momentet më të komentuara ishte ndërhyrja mes portierit të Atleticos, Juan Musso dhe mesfushorit të Barcelonës, Fermin Lopez. Në atë aksion, Fermin tentoi të godiste topin duke u hedhur me tërë trupin dhe gjatë rënies u përplas me takën e Musso.

Pavarësisht protestave të lojtarëve katalanas, gjyqtarët vendosën se nuk kishte shkelje, duke argumentuar se këmba e portierit nuk ishte në një pozicion të panatyrshëm. Sipas faqes 'Archivo VAR' e cila merret me vendimet e diskutueshme të gjyqtarëve gjatë një ndeshjeje, ky rast nuk ishte penallti dhe gjyqtari Clement Turpin ka marrë vendimin e duhur.

"A është e ndëshkueshme ndërhyrja mes Musso dhe Fermin? JO. Fermin godet topin me zhytje dhe gjatë rënies, përplaset me takën e Mussos, e cila nuk ndodhej në një lartësi të panatyrshme. Bëhet fjalë për një moment loje normal dhe për këtë arsye, VAR-i vendosi të mos ndërhyjë”, thuhej në shpjegimin e faqes.