Europa ndodhet përballë një vendimi delikat që mund të krijojë precedent ndërkombëtar: përdorimin e aseteve financiare të ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën. Këto fonde u bllokuan pas pushtimit rus të vitit 2022 dhe sot përfaqësojnë një nga mjetet më të fuqishme financiare që Perëndimi zotëron ndaj Moskës.
Çfarë janë asetet e ngrira dhe ku ndodhen ato?
Bëhet fjalë kryesisht për rezervat e Bankës Qendrore të Rusisë, të mbajtura jashtë vendit në formë parash të gatshme, obligacionesh dhe letrash me vlerë. Në total janë ngrirë rreth 300 miliardë euro asete ruse, nga të cilat afërsisht 210 miliardë ndodhen nën juridiksionin e Bashkimit Europian. Pjesa dërrmuese e tyre mbahet në Euroclear, një institucion financiar me seli në Belgjikë, që luan rol kyç në administrimin e këtyre fondeve.
Deri tani, BE-ja ka qenë shumë e kujdesshme. Ajo ka përdorur vetëm interesat dhe fitimet që gjenerojnë këto asete për të ndihmuar Ukrainën, pa prekur shumën kryesore. Kjo qasje u pa si një kompromis ligjor, për të shmangur akuzat se po konfiskohen pasuri sovrane në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, nevojat financiare të Ukrainës po shtohen dhe presioni për të bërë më shumë po rritet.
Sa para mund të përdoren dhe si do të ndihmojnë Ukrainën?
Pikërisht për këtë arsye, Komisioni Europian ka propozuar një mekanizëm të ri: përdorimin e të ashtuquajturave “balanca cash”, pra parave që krijohen kur obligacionet ruse të ngrira maturohen dhe shndërrohen në para të gatshme. Sipas Komisionit, për shkak të sanksioneve, këto para nuk mund t’i kthehen Bankës Qendrore të Rusisë dhe, për rrjedhojë, nuk konsiderohen më pronë e saj direkte. Ideja është që këto fonde t’i jepen Ukrainës në formë huaje, e cila do të shlyhet vetëm nëse Rusia një ditë paguan dëmshpërblime për luftën.
Plani parashikon që Ukraina të marrë deri në 90 miliardë euro hua gjatë dy viteve të ardhshme, për të mbuluar një pjesë të madhe të nevojave civile dhe ushtarake. Në teori, shuma maksimale që mund të përdoret arrin deri në 210 miliardë euro, sa vlera e aseteve ruse të ngrira në BE.
Përçarjet brenda Bashkimit Europian
Megjithatë, kjo çështje ka zbuluar përçarje të forta brenda Bashkimit Europian. Shumica e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe shtetet baltike, e shohin këtë si një mënyrë që Rusia të paguajë për dëmet që ka shkaktuar. Të tjera vende, veçanërisht Belgjika, janë shumë më skeptike. Brukseli ka frikë se përdorimi i këtyre fondeve mund të sjellë pasoja ligjore serioze, një padi ligjore nga Rusia dhe dëmtim të reputacionit financiar të vendit.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i aseteve sovrane të ngrira është një territor i paeksploruar në të drejtën ndërkombëtare dhe se një hap i tillë mund të krijojë precedent që në të ardhmen të përdoret edhe kundër vetë vendeve perëndimore.
Përplasja me Shtetet e Bashkuara dhe plani i Trump-it
Në sfond të kësaj debati qëndrojnë edhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa SHBA-ja ka shumë më pak asete ruse të ngrira në juridiksionin e saj, Ëashingtoni është shumë i interesuar rreth mënyrës se si do të përdoren fondet europiane. Sipas një plani paqësor të publikuar nga Presidenti Trump, 86 miliardë euro nga asetet e ngrira do të investoheshin në projekte të udhëhequra nga SHBA-të për rindërtimin dhe investimet në Ukrainë, ku SHBA-ja do të merrte gjysmën e fitimeve. Pjesa tjetër e fondeve, më shumë se 200 miliardë euro, do të investoheshin në një fond të përbashkët SHBA-Rusi për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe shmangur konflikte të reja. Ky plan ka ngjallur shqetësim në Bruksel se fondet mund të përdoren për interesa që nuk përputhen drejtpërdrejt me nevojat e Ukrainës.
Brenda BE-së ka gjithashtu sfida të forta të brendshme. Fillimisht, ngrirja e aseteve rinovohej çdo gjashtë muaj dhe ekzistonte frika se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, mund të vendoste veton. Orban, një nga aleatët e fundit të Putin në Bashkimin Evropian, mendon se plani për përdorimin e aseteve të ngrira për Ukrainën “është i vdekur” dhe “ nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme në Bllok. Sipas tij “BE duhet të bëjë hapa përpara drejt paqes dhe jo luftës”. Kremlini nga ana tjetër ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të përbënte një “justifikim për luftë.” Banka Qendrore e Rusisë gjithashtu paralajmëroi një padi gjyqësore ndaj Euroclear për humbjet financiare të shkaktuara ndaj sai.
Për momentin, asetet ruse mbeten të ngrira dhe të paprekura në thelb. Nëse plani për përdorimin e tyre nuk miratohet, qeveritë europiane do të duhet të gjejnë burime të tjera financimi, në një kohë kur lodhja politike dhe financiare nga lufta po bëhet gjithnjë e më e mundimshme.
Në thelb, pyetja që Europa po përpiqet të zgjidhë nuk është vetëm financiare, por edhe politike dhe juridike: si të ndihmohet Ukraina pa minuar rregullat mbi të cilat vetë rendi europian është ndërtuar.
Komente








