Shqipëria ka hyrë në muajin e parë të dimrit, por kushtet atmosferike mbeten larg tipareve klasike të stinës së ftohtë.
Në një intervistë për “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, metereologia Rezarta Xhakollari, tha dimri astronomik nis më 21 dhjetor, ditën e solsticit, që shënon edhe ditën më të shkurtër dhe natën më të gjatë të vitit.
“Sapo kemi hyrë në muajin e parë të dimrit. Dimri astronomik nis tani më 21 dhjetor, solstici, që është dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë. Më 21 dhjetor nis dimri parimisht dhe praktikisht, le të themi, pasi jemi në dimër meteorologjik. Ky do të jetë një dimër i butë dhe me temperatura të larta mbi normën dhe vazhdon të jetë i tillë”, – shprehet meteorologia.
Temperaturat e larta kanë qenë evidente edhe ditët e fundit, duke arritur deri në 20–21 gradë Celsius, vlera këto që zakonisht nuk janë tipike për muajin dhjetor.
“Dje është regjistruar 20 gradë, po edhe sot 21–21 gradë, temperatura të larta, jemi në dhjetor”, – thekson Xhakollari.
Sipas saj, shkak për këtë situatë mbetet prania e ciklonit afrikan, i cili vijon të ndikojë jo vetëm Shqipërinë, por një territor shumë më të gjerë.
“Sepse vijon të jetë ende ky cikloni afrikan, është prezent dhe ky është i shtrirë në të gjithë Ballkanin, për deri në pjesën e Rusisë, deri në Europën Verilindore. Vijon të kemi këtë anomali dhe këto temperatura”, – shpjegon ajo.
Në ditët në vijim pritet një ndryshim i lehtë i kushteve atmosferike, por pa rënie të ndjeshme të temperaturave.
“Para datës 23 na vjen një ciklon dhe do të ketë reshje shiu, me temperatura mesatare deri dhe në të larta, por nuk priten ende temperatura të zbresin. Do mbetet ende ky dhjetori i ngrohtë, reshje dëbore nuk duken në horizont”, – deklaron meteorologia.
Ndërsa pas Krishtlindjeve parashikohen reshje më të shpeshta, përfshirë edhe dëborë në zonat malore, bashkë me një valë të ftohti që pritet të vijë nga Rusia.
“Pas Krishtlindjeve do të fillojnë reshjet e shiut, që do të vijnë dhe me reshje bore në zona malore. Pritet të vijë i ftohti siberian nga Rusia, ku fundi i vitit, datat 29–31 do të mbyllen me mot të thatë dhe të ftohtë. Reshjet do të jenë nga data 23, në datën 27–28. Më vonë do të zbresë termometri në -7, -8 gradë në veri të vendit”, – përfundon Rezarta Xhakollari.
Komente












