A po merr jetë, falë edhe Berishës, e djathta ekstreme në Shqipëri

A po merr jetë, falë edhe Berishës, e djathta ekstreme në Shqipëri

Sali Berisha

Pak dhe gjithnjë e më pak po flitet për të ardhmen e së Djathtës në Shqipëri. Për shumë nga ithtarët e vet të pandryshueshëm, ajo mbetet e identifikuar vetëm me Partinë Demokratike dhe pak partiza aleate të saj. Gjithnjë e më konfuze prej të tashmes, ku ndarja e saj s’është më vetëm fakt, por po kthehet në fenomen në shoqërinë politike shqiptare, ajo po kap një cak, ku pakkush mund të parashohë dritë në fund të tunelit. E para prej pamundësisë së krijimit të një identiteti bashkëkohor dhe e dyta prej paqartësisë ideologjike të saj. Për të parën “u kujdes” e gjithë paria e saj pas humbjes fatale të vitit 2013 dhe veçanërisht z. Basha prej pozicionit dyzues.

E dyta që lidhet me sensin ideologjik lidhet me lëvizjen e “Foltores”, aksion politik i ndërmarrë nga Berisha, lideri i saj historik. Ku në një moment ngazëllimi do të shprehej se tash e tutje, Partia Demokratike do drejtohej drejt Konservatorizmit! Nuk është koha që të tregojmë pamundësinë dhe si “e harruan” ithtarët e saj, porse një gjë bëri bajagi përshtypje, që mes njerëzve të PD-së, kalimi ideologjik, që proklamoi lideri iu mbivendos të gjithë asaj që ata mendonin dhe mëtonin se dëshironin për partinë e tyre. Sot, Partia Demokratike, nëse edhe do e supozonim të bashkuar (në fakt është ndarë për të mos u bashkuar më, por me një peshë më të madhe të grupit të Rithemelimit mbi PD-në Legale) tregon se e ka mbyllur misionin e saj. Këtë më së shumti e kanë kuptuar dy liderët, ai historik i PD-së Berisha, që e ka përcjellë përgjatë tri dekadave të Djathtën shqiptare dhe ai pragmatist Basha, që ka dashur t’i marrë produktin e sotëm.

Duke mos pasur një përcaktim ideologjik (jo në program) por edhe në vetëdijen e tyre, Partia Demokratike, sot është në nivelet e saj më të ulëta tek anëtarësia. Veçse, në vitet e fundit s’ka qenë vetëm kjo, por edhe pesha e së Majtës, që falë të gjithë mundësive, përdorimeve e manovrimeve (jo pak herë të padrejta) e ka rrënuar gati krejt Partinë Demokratike. Gunther Krichbaum, përfaqësuesi evropian i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Evropian dhe deputet në Parlamentin gjerman (ditët e fundit erdhi sërish në Tiranë) ka qenë nga ata, mes shumë të tjerave, që ka alarmuar për këtë gjendje, por duke vendosur pikat mbi “i”.

Duke i treguar qeverisjes ‘Rama’ të ketë kujdes por edhe duke e paralajmëruar për pasoja. Ashtu si vite më parë alarmoi për bojkotin e aleatëve të vegjël shqiptarë, PDsë dhe i tregoi Berishës indirekt ditët e fundit, se duhet respektuar Drejtësia. Për fat të keq, familja e aleancës politike gjermane kristian-demokrate e Qendrës së Djathtë ka kohë që nuk komunikon normal, përveç Bashës, që po bjeret shumë në numra, por më shumë se kaq në besueshmërinë e momentit, kur demokratët mëtojnë ringritjen.

Duket se PD-ja e Berishës, ende e pazyrtarizuar, për të mbijetuar po merr tiparet dhe po ushqen karakteristikat e një të Djathte ekstreme.

Po marrin në ndihmë studimin e një politologu holandez, që i është kushtuar të Djathtës Ekstreme përmes studimeve. Cas Mudde e përkufizon të Djathtën Ekstreme në kontinent si një kombinim i katër koncepteve të gjera, referuar në shkrimin “Far or Extreme Right”: “Ekskluzivizmi (d.m.th., racizmi, ksenofobia, etnocentrizmi ose etnopluralizmi); tipare antidemokratike, jo-individualiste (d.m.th., kulti i personalitetit, hierarkizmi, monizmi, populizmi, antipartizmi, një pikëpamje organiciste e shtetit); një sistem vlerash tradicionalist që vajton për zhdukjen e kornizave historike të referencës (d.m.th., ligji dhe rendi, familja, komuniteti dhe kombi etnik, gjuhësor dhe fetar, si dhe mjedisi natyror); dhe një program socio-ekonomik që lidh korporatizmin, kontrollin shtetëror të sektorëve të caktuar, agrarizmin dhe një shkallë të ndryshme besimi në lojën e lirë të forcave shoqërore darviniste të tregut”.

A është kjo një paraqitje, që mund ta përfshijë në modulin e vet edhe PD-në? Autori vazhdon me nëndarje, duke u marrë me kujdes me konceptin në përgjithësi dhe në veçanti me prirjet e sotme… Nuk është e vështirë të kuptosh e të ndjesh të gjithën këtë prirje, por kur shikon qasjen, që tashmë mbizotëron në Ballkan, kupton se tiparet e të Djathtës ekstreme po duken ngado tek PD-ja shqiptare, që nga ana e saj ndihet e vetësulmuar; e shkatërruar nga sulmet e brendshme; e mënjanuar me të gjithë format nga PS, e të tjera.

Gjuha e ashpër e Berishës dhe e njerëzve afër tij, format e ligjërimit shpesh tej limiteve, nacionalizmi ekstrem, forma të kamufluara të gjuhës së përdorur ndaj ardhjes së emigrantëve, ambiciet konfuze të shtetformimit, problemet dhe shprehjet për minoritetet dhe, jo e fundit për nga rëndësia mënyra sesi po mundohen të shikojnë të retushohen shumë figura të së shkuarës fashiste këto e bëjnë dihatjen e të Djathtës ekstreme të mos duket aq e largët. Rrjeti i Ndërgjegjësimit Radikal (RAN) do të konkludonte në një referim për Ballkanin në vitin 2021 se: Lëvizjet e ekstremit të Djathtë kanë struktura komplekse ideologjike dhe organizative që lidhin politikën, nënkulturat dhe grupet kriminale. Po a është vetëm induktimi i frymës “së fortë” nga Berisha dhe narrativa e tij, që e ka përcjellë këtë gjendje?! Ka disa të vërteta në kohën tonë, që nuk mbulohen dot nga politikat e BE-së dhe pohimet optimiste të qeverive në fuqi, si kjo e Ramës tek ne: kriza gjithnjë e më e madhe e kostos së jetesës po e përgatisin të Djathtës ekstreme ngado.

Shtuar me mungesën e besimit, që përcjellin liderët e BE-së dhe kakofoninë e zërave, tashmë publiku duhet të jetë i përgatitur. Rasti i fundit me ballafaqimin e ashpër, Izrael-Palestinë, ku kanë humbur jetën shumë njerëz ishte një kriter jo i pakët i mosbesimit total të njerëzve ndaj institucionit, kurse tollovinë europiane të dialogut Kosovë-Serbi e kemi para syve.

Por, duke u kthyer pas tek ne: duhet të kujtojmë se politika e ekstremit të Djathtë veç asaj që thuhet dhe përcjellin për autoritarizmin dhe antikomunizmin, që nuk ndahet nga goja e PD-së, realiteti ka sjellë dhe një kult interesant, që shtrihet nga paprekshmëria e Kultit të Berishës por edhe të gjithë njerëzve të PD-së. Këtë e shikon në ditët e fundit në të gjithë deklarimet e njerëzve të PD-së që e mbështesin, qoftë me gjuhën e urrejtjes, me thirrjet për mosbindje civile, gjuhën e ashpër në stadiume dhe gjithnjë e më shumë personazhe që e artikulojnë hapur sfidën e ligjit dhe urrejtjen. Indirekt, ti kupton mëtimin se këta njerëz “superiorë” duhet të kenë të drejta më të mëdha se njerëzit inferiorë, një nga idetë e zakonshme të së Djathtën Ekstreme, që historikisht në historinë politike kanë mbështetur një hierarki darviniste ose elitiste të bazuar në besimin në legjitimitetin e sundimit të një pakice të supozuar superiore mbi masat inferiore (Ibid).

Bash këta, sot, janë thjesht për të mbushur sallat dhe për të brohoritur, pa e ditur thelbin se ku po kanalizohen. A mund të ketë jetë e Djathta Ekstreme tek ne? Nëse në ekonomi ndonjëherë quhet “fat” informaliteti, ashtu dhe në politikë konsiderohet një lloj “fati”, tollovia e mungesës së identitetit, që me situatën konfuze mbi dhe nga Berisha po shikohet qartë. Ky është pak a shumë edhe rasti i fundit me PD-në e dy krahëve dhe vigjëlimin e të Djathtës ekstreme… mbi ne. (Homo Albanicus)

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E djathta ekstrleshe: 30/10/2023 12:26

    Po po enderro ti. Edhe KKK e Nazistët.

    Përgjigju
  • xhemal: 30/10/2023 12:19

    O ben dikur tifosi i saliut tani po' shikon rrezikun e ekstremit te djathte..po' cfet or burre ne shqiperi ska parti te djathte dikur u bashkuan me nazifashistet(per leke) tani me saliun per prona e leke..PD nuk eshte parti plitike edhe kur e kishte saliu e tani me bashe gjumashin..mendoj se do duhet shume kohe qe te kete nje parti te djathte per shume arsye ekomomike e shoqerore ,kulturore,si u ndertua sistemi i ri(lindi salate ,mbi bazen e filosofie se dhunes e zhvatjes,filosofia saliste e pakices mbi shumicen).,klasa e re kapitaliste ne shq iperi lindo ngw skutat e se keqeds di e Tolle eshte resksionare pengese per zhvillimin..edhe ti ben jeton menderisht ne kazanin nihilist resksionar te mendimit e praktikes regresive

    Përgjigju
  • taku: 30/10/2023 09:42

    qe te krijohet e djathta ekstreme si parakusht duhet te jete qe njerzit ta kene barkun plot, pastaj te mendojne per gjera te tjera. Ne shqiperi ka vetem uri ekstreme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Spiropali pret anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Diskutuam mbi mundësinë e votimit në zgjedhje! Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët

Spiropali pret anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Diskutuam mbi mundësinë e votimit në zgjedhje! Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët