A po ndryshon kultura
politike në Kosovë?

A po ndryshon kultura<br />politike në Kosovë?
A po ndryshon kultura politike në Kosovë?
 ‘’Zgjedhjet e 3 Nëntorit nuk ishin historike për rezultatet që sollën për subjektet politike, por për arritjen e standardeve të larta, për demokracinë, qytetarët e Kosovës dhe procesin e shtetëndërtimit të Kosovës. Procesin zgjedhor në Kosovë e karakterizuan shumë zhvillime të cilat sado simbolike, tregojnë kahjen jo vetëm të rrugëtimit të Republikës së Kosovës dhe sfidat e saj, drejt integrimeve evropiane dhe atlantike, por edhe ecjen drejt një kulture të re politike. Megjithatë, rëndësinë e këtij procesi, si zgjedhje të mbajtura në gjithë territorin e vendit, e zbehën ngjarjet në veri të shtetit dhe demolimi i disa vendvotimeve nga maskat serbe, të cilat çdo herë rrezikojnë stabilitetin atje’’.
Fisnik A. Gashi
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 3 Nëntor në Republikën e Kosovës, do të mbahen mend gjatë si zgjedhjet e para në të cilat vendi ynë tregojë pjekuri institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare, si tregues të demokratizimit të shoqërisë dhe shtetit tonë. Për më tepër, atëherë kur zgjedhjet  e lira, janë parakusht për një demokraci të qëndrueshme dhe shtet funksional, si dhe tregojnë se Kosova po shkon drejt një kulture të re politike dhe qytetare.
Skena politike në Kosovën e pasluftës është karakterizuar kryesisht nga bastione të partive politike, të cilat nga po ato, janë quajtur edhe si ‘’hambar i votave’’ për partitë e tyre. Rezultatet e zgjedhjeve të 3 Nëntorit tregojnë se këto bastione politike kanë filluar të shembën dhe se qytetarët përtej bindjeve të tyre politike tradicionale, ose lidhjeve emotive me parti të caktuara, kërkojnë përmirësimin e jetës së tyre në nivelin lokal, duke kërkuar alternativa për pushtetin lokal, të cilat nuk lidhen çdoherë vetëm me partitë politike, por edhe me angazhimin e kandidatëve dhe programet që ofrojnë ata. Për më tepër ekzistimit i këtyre bastioneve, jo rrallë, më shumë ka përçarë popullin e Kosovës në vija politike dhe partiake, duke e bërë kështu hartën e  bastioneve, të ngjashme me hartat tribale/klanore afrikane, si dhe në anën tjetër disa politikanëve dhe partive politike ju ka ofruar komoditet në jetën dhe veprimtarinë e tyre politike, pa marrë parasysh shkallën reale të interesimin të tyre për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të atyre lokaliteteve.
Këto zgjedhje po ashtu do të mbahen mend për rritjen e shkallës së pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, gjë e cila tregon rritjen e vetëdijes qytetare për rëndësinë e votës dhe peshën e qytetarit në vendimmarrje. Nga praktikat elektorale në të gjithë botën, rezulton se rritja e numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje, zakonisht është votë pro opozitës, gjë e cila është dëshmuar në shumicën e komunave të Kosovës, ku qytetarët kanë votuar kundër pushtetit lokal dhe atyre kryetarëve që kanë qeverisur dhe udhëhequr me vite, duke i dërguar ata në balotazh. Përmes kësaj vote qytetarët kanë treguar mbështetjen ose ndëshkimin për pushtetet lokale, duke treguar kështu se  mandati i çdo pushteti lokal dhe qeverisjes lokale, është i varur me realizimin ose jo, të premtimeve dhe angazhimin e tij ndaj qytetarëve dhe jo me mbështetjen që mund të marrë nga cilado parti ose lidership në kryeqytet.
Në opinionin publik në Kosovë është formuar një përshtypje, se zgjedhjet lokale, nuk do të arrinin këto standarde të kënaqshme demokratike, në çoftëse bashkësia ndërkombëtare e veçanërisht Bashkimi Evropian, aleatët evropian dhe aleati strategjik i Kosovës, Shtete e Bashkuara të Amerikës, nuk do të bënin thirrje ndaj të gjitha partive politike në Kosovë, institucioneve dhe qytetarëve për një proces të lirë e demokratike zgjedhor. Madje kjo është dëshmuar edhe nga takimi që ambasadorja amerikane në Kosovë ka mbajtur me liderët kryesor të partive politike në Kosovë. Dhe tërheqja e vijave të kuqe, se çfarë nuk guxon të ndodhë në asnjë rrethanë, shihet se ka dhënë rezultat.
Duket se presioni i jashtëm diplomatik, i bashkësisë ndërkombëtare kundër parregullsive në zgjedhje lokale në Kosovë, ka reflektuar në përmirësimin e dukshëm të efikasitetit të funksionimit të mekanizmave institucional dhe ligjor në parandalimin e parregullsive dhe dënimin e çdo shkelje nga cilido individ, bazuar në ligjet gjegjëse. Për herë të parë gjatë një fushate zgjedhore në Kosovë, të gjitha partitë politike dhe liderët politik jo vetëm se kanë treguar vullnet politik për proces të drejtë, të lirë dhe ruajtje të votës dhe vullnetit të qytetarëve, por edhe kanë bërë thirrje kundër manipulimeve në zgjedhje, gjë e cila ka zbutur edhe elementin militant të disa anëtarëve të partive politike dhe ka mundësuar fushatë të qetë dhe pa tensione.
Koordinimi i ngushtë në mes të mekanizmave të pavarur shtetëror si: KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës në një anë dhe të organizatave joqeveritare, shoqërisë civile, mijëra vëzhguesve vendor e ndërkombëtar dhe mediave në anën tjetër ka ndikuar që qytetarët të jenë të bindur se vota e tyre nuk do të manipulohet, gjë e cila ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në këto zgjedhje. Për më tepër se kaq, ky efikasitet jo vetëm se ka rritur besimin e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve dhe përbën një përmirësim të imazhit institucional të vendit, por përbën edhe një  model të mirë për mbarëvajtjen e proceseve tjera elektorale në Kosovë.
Qytetarët e Republikës së Kosovës, për një muaj kanë qenë të ‘’bombarduar’’nga premtime, fjalime, tubime, spote dhe aktivitete të ndryshme elektorale të kandidatëve dhe partive politike. Aktivitete të cilat qytetarët, i kanë ndeshur jo vetëm në TV, radio, shtypin ditor, portale të lajmeve, rrjete sociale, SMS,  por edhe në çdo shëtitje të tyre në lokalitete ku ata banojnë, si dhe në çdo lokal ku ata e kalojnë kohën e tyre të lirë. Madje duke se këto aktivitete elektorale nuk ju kanë mjaftuar partive kryesore politike, të cilat janë kujdesur që tubimet e tyre të i transmetonin drejtpërdrejtë në televizionet nacionale, si dhe në spote elektorale me përmbledhje të aktiviteteve ditore të tyre. Gjatë kësaj kohe, shpeshherë krijohej përshtypja se kjo fushatë dhe këto zgjedhje ishin një maratonë që nuk do të përfundonin kurrë.
Fushata zgjedhore dhe zgjedhjet kanë qenë kryefjalë edhe e ndejave e takimeve familjare dhe vizitave edhe në mes të afërmeve. Se fushata nuk ka kursyer askënd, pa dallim, e dëshmon edhe prania e fëmijëve dhe nxënësve në tubimet elektorale dhe ndërprerja e punës së Parlamentit të Kosovës. Partitë politike janë munduar që nëpërmjet kandidimit të personave të moshave, profesioneve dhe profileve të ndryshme (përfshirë shumë të rinjve dhe femrave) për Asamble Komunale, të mobilizojnë jo vetëm anëtarët dhe partitë e tyre por edhe më gjerë. Duke shndërruar kështu kandidimin shpeshherë jo vetëm në përfaqësim, por edhe mundësi të mirë punësimi për dikë! Për më tepër nivelit të angazhimit, aktiviteteve dhe shkallës së përkushtimit, të disa prej këtyre anëtarëve për subjektin politik që i takonin, do të ia kishin zili edhe besimtarët më të përkushtuar dhe të devotshëm ndaj fesë dhe religjionit.
Këto zgjedhje do të mbahen mend për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare në organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri të Kosovës, gjegjësisht dështimin e OSBE-së për lehtësimin e procesit zgjedhor dhe dështimin e EULEX-it në sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë, gjë që nuk arriti ta sigurojë, jo vetëm në qytetet në veri të vendit në përgjithësi dhe përreth vendvotime në veçanti, por as edhe brenda vendvotimeve, në momentin kur ato po demoloheshin. Imagjinojeni për një çast të vetëm, nivelin e reagimit, ndaj një incidenti të tillë në komunat me shumicë shqiptare!
Mbarëvajtja e procesit zgjedhor në veri të Kosovës është karakterizuar nga fushata dhe thirrjet për bojkot nga radikalët dhe ekstremistët serb, kërcënimet për ata kandidatë, parti dhe qytetarë serbë të Kosovës që marrin pjesë në këto zgjedhje, deri tek rrahja dhe vendosja e bombave ndaj tyre. Grupet e ndryshme kriminale kanë penguar, kërcënuar dhe fyer, ata qytetarë serb që kanë guxuar të dalin në votime në veri të vendit, duke i quajtur ata edhe ‘’shqiptar’’.
Dënimi kundër dhunës në veri të vendit, nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të deklaratave dhe komunikatave, por duhet, angazhim i shtuar dhe i pakompromis, i bashkësisë ndërkombëtare, që duhet të fillojë me shuarjen e të gjithë strukturave dhe grupeve ilegale/paralele dhe kriminale serbe, arrestimin e këtyre elementeve, vërjen e tyre para drejtësisë. Realizimi i procesit të çarmatosjes së asaj pjese, do t’i kontribuonte po ashtu stabilitetit afatgjatë atje, kur zgjidhjet do të gjendeshin përmes komunikimit normal, marrëveshjeve dhe institucioneve legale dhe jo përmes kërcënimeve, bombave dhe akteve kriminale.
Dështimi i bashkësisë ndërkombëtare për të kryer obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, në njërën anë dhe dështimi liderëve politik dhe institucioneve të Republikës së Serbisë, për të bindur banorët serbë të komunave veriore të Kosovës, për të dalë në zgjedhjet lokale, në anën tjetër, përkundër hapësirës së ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës, gatishmërisë për bashkëpunim dhe plotësimit të detyrimeve të saj, (sado veprime jo-popullore të kenë qenë ato), e bëjnë këtë të fundit të vetmin faktor real, të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm, për të ndryshuar gjendjen në atë pjesë të vendit.
Efikasiteti i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në të gjithë territorin e vendit në përgjithësi dhe në komunat me shumicë serb në jug të vendit, në veçanti, duke i integruar ato plotësisht jo vetëm në proceset politike por edhe në institucionet e vendit, është tregues, i qartë se me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, Republika e Kosovës, mundet jo vetëm ta integroj dhe ta stabilizoj veriun e vendit, por edhe ta zhvillojë atë, për dallim nga Beogradi, i cili me skenar millosheviqian po mundohet ta bllokoj jo vetëm integrimin e vendit, por edhe vetë qytetarët serb të asaj pjese, si dhe të minoj stabilitetin dhe proceset integruese të gjithë Ballkanit.
Me gjithë sfidat, Republika e Kosovës, institucionet, partitë politike, shoqëria civile e veçanërisht populli i saj, kaluan një test të rëndësishëm të demokracisë dhe treguan një kulturë të re politike dhe qytetare, gjë e cila nuk duhet të shërbejë si festë, për tu vetëkënaqur por si ditë vetëdijesimi të gjithëmbarshëm, pasi që kjo nuk është një dhuratë, por një domosdoshmëri dhe parakusht për një shoqëri demokratike dhe të zhvilluar. Këto zgjedhje kanë dëshmuar se më e rëndësishme se kuptimi se cilat janë partitë kryesore politike në vend, më e rëndësishme, më e kuptueshme dhe më kryesore, për qytetarët e Kosovës, është qeverisja e përgjegjshme, transparente dhe efikase që mundëson përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mirëqenies së qytetarëve, gjë e cila madje është dëshmuar edhe me fitoren e disa iniciativave, kandidatëve të pavarur dhe rotacione të pushteteve lokale në shumë komuna të Kosovës.
Partive politike dhe politikanëve duket se nuk ju kanë dalë të qëlluara analizat dhe kalkulimet e tyre për sa i përket rezultatit zgjedhor dhe synimeve për pushtet, por sado ironike të jetë, një gjë e kanë qëlluar, kur kanë deklaruar se: ‘’fitues i këtyre zgjedhjeve do të jetë qytetari i Kosovës’’, gjë e cila është dëshmuar të dielën e 3 Nëntorit, kur qytetarët kanë dalë fitues real të këtyre zgjedhjeve, duke përmbysur komoditetin e të gjithë skenës politike, qytetarët kanë dhënë mesazh të fuqishëm përmes votës së tyre, se janë vetë ata që përcaktojnë fatin e çdo qeverisje dhe pushteti, në rast të vetëdijesimit.

*Politolog dhe kandidat për Master në Shkenca Politike

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Dukaj u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici

5 netë 'roje' për të vrarë Eduard Reçin/ Shkëlqim Dukaj u fsheh te shkallët e një hoteli, autorët e dyshuar kyçin gojën në polici