Avokatët e Popullit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut firmosën këtë të martë në Prizren një Memorandum Bashkëpunimi me synimin për të monitoruar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve mes tre shteteve dhe për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve përtej kufijve.
Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, së bashku me homologët Naim Qelaj dhe Faton Selami, u zotuan që bashkëpunimi të sjellë rezultate konkrete për qytetarët. Në fjalën e tij, Shabani tha se sfida kryesore mbetet kalimi nga marrëveshjet në letër te zbatimi i tyre në terren.
“Qeveritë tona janë mbledhur disa herë në Tiranë, Shkup apo Prishtinë dhe kanë miratuar shumë akte lehtësuese. Por ne jemi këtu për të kontrolluar së bashku nëse ato po zbatohen. A merr vërtet shërbim mjekësor në Prizren një qytetar që vjen nga Kukësi? A trajtohen siç duhet pushuesit nga Kosova në bregdetin shqiptar? Ky memorandum na jep mjetet për të mbrojtur çdo qytetar”, tha Shabani.
Marrëveshja fokusohet te çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si trajtimi shëndetësor në të tre shtetet, njohja e dokumenteve dhe vendimeve civile e familjare, njohja e diplomave, si dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve sezonalë.
Pjesë e bashkëpunimit do të jenë edhe mbrojtja e fëmijëve në situatë rruge, trajtimi i kategorive të cenueshme dhe koordinimi për rastet individuale që përfshijnë më shumë se një shtet. Tre Avokatët e Popullit ranë dakord gjithashtu të publikojnë çdo vit një Deklaratë të Përbashkët mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon.
Komente








