Dokumentet e publikuara në investigim vinin në dyshim seriozitetin dhe transparencën e këtyre të dhënave mbi audience, të cilat, mbi të gjitha, binin në kundërshtim me ato, të realizuara nga një tjetër shoqëri, Telemetrix shpk, e cila, ndryshe nga Abacus, rezulton të ketë bërë investime, të ketë personel të punësuar dhe të ardhura financiare të mjaftueshme për të justifikuar aktivitetin e saj.
Menjëherë pas publikimit të këtyre fakteve ABACUS nisi hakmarrjen duke luajtur përsëri me shifrat e audiencës së Report TV. Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur le të krahasojmë raportet e Abacus mbi audiencën e Report TV para dhe pas publikimit të investigimit botuar në Shqiptarja.com në datat 18 dhe 19 janar, ndërsa kronikat mbi shkrimet e gazetës janë transmetuar në Report TV më 19 dhe 20 janar.
Më 13 Janar 2018 pra 5 ditë përpara publikimit të investigimit nga Shqiptarja.com shikueshmëria e Report TV në raportin e ABACUS ishte në nivelet 8 deri 15% duke u renditur kështu në 4 televizionet me të ndjekura në Shqipëria. Një ditë pas publikimit të investigimit më 20 Janar 2018 magjia e ndryshimit të shifrave të ABACUS prodhon të dhëna që e përgjysmojnë shikueshmërinë e Report TV.
Nga 8 deri 15% përpara investigimit shikueshmëria bie në 6% në një kohë kur Report TV ka vijuar normalisht me programet e tij duke mos ndryshuar asgjë në programacion. Këto të dhëna qartësisht tregojnë se thjesht me një klikim në kompjuter (mbase në të vetmin kompjuter që ka), Abacus ka vendosur të hakmerret kundër Report TV për shkrimet investiguese që vinin në dyshim besueshmërinë e tij, duke goditur imazhin e televizionit dhe duke u përpjekur të bëjë të tjerët të besojnë se audienca e saj është zvogëluar, duke favorizuar në të njëjtën kohë një televizion konkurrent.
Nëse fenomeni ABACUS do të ndodhte në Itali duke shpërndarë të dhëna mbi audiencën televizive të manipuluara në një mënyrë të tillë, ligji këtë e konsideron si një vepër penale, me një dënim deri në 6 vjet burgim.
Ndërsa në Shqipëri nuk ndodh asgjë. Përse në Shqipëri nuk është krim ajo që në Itali konsiderohet si e tillë, që meriton madje edhe burgun? Dhe pse në Itali konsiderohet si një veprim kaq i rëndë?
Arseja është e thjeshtë: të manipulosh të dhënat e shikimeve të televizioneve do të thotë të mashtrosh jo vetëm televizionet, që janë viktima të kësaj, por edhe investitorët publicitarë, që i blejnë këto raporte për të zgjedhur se kujt televizioni t’ia japin të transmetojë reklamat e tyre.
Denoncimi i Shqiptarja.com kontribuoi për të vënë në lëvizje Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), i cili, siç parashikon ligji mbi mediat elektronike që nga viti 2013, ka për detyrë të garantojë konkurrencën e ndershme ndërmjet mediave dhe të rregullojë tregun e tyre, ndërkohë që të manipulosh të dhënat e shikimeve televizive është një veprim, i cili dukshëm shtrembëron konkurrencën e ndershme dhe manipulon tregun.
Në mbledhjen e thirrur pak ditë më parë nga AMA dhe ku morën pjesë të gjithë operatorët e sektorit (televizione, agjenci reklamash dhe shoqëri të monitorimeve) ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës dhe kjo flet për atë, që problemi i matjes në mënyrë korrekte, të pavarur dhe profesionale të audiencës është një problem, i cili tashmë ngjall interes edhe tek komuniteti ndërkombëtar dhe i intereson edhe procesit të integrimit në Evropë.
(Tabela me të dhënat e plota të matjes së audiencës nga Abacus, para dhe pas denoncimit të Report Tv)
d.c./shqiptarja.com