Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, njëherësh zv.rektor i Universitetit "Illyria" Fehmi Abdiu, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" flet për zgjedhjen e Presidentit, shkeljet në procedurën e zgjedhjes dhe nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë.

Jemi në kulmin e fushatës për zgjedhjen e presidentit. Çfarë defektesh ligjore konstatoni në këtë garë të rëndësishme?
Procesi i zgjedhjes së Presidentit dhe procedurat parlamentare për zgjedhjen e tij, dhe këtë radhë ashtu sikurse në radhët e tjera ka dëshmuar se ekzistojnë mjaft problematika, sa ligjore dhe Kushtetuese, që kanë të bëjnë me këtë ngjarje dhe me këtë fushatë shumë të rëndësishme për vendin. Sipas mendimit tim, të cilin e kam deklaruar dhe më parë, defekti kryesor që konstatohet në këtë proces ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2008. Ashtu siç është thënë nga mjaft personalitete të së drejtës, ato ndryshime qenë jashtë çdo parametri kushtetues dhe logjik e denigruese për vendin e rolin e Presidentit, kompetencat e tij, autoritetin e tij etj. Duke patur parasysh mënyrën se si janë trajtuar këto procedura, sa në këtë fushatë aq dhe në fushatat e mëparshme për të zgjedhur presidentët që kanë qënë pararendës të zotit Topi, unë nuk e kam të vështirë për të arritur në përfundimin se, sfondi kushtetues dhe ligjor duket mjaft i diskutueshëm, duket jo efektiv, jo transparent dhe me shkelje procedurash.

Ku i konstatoni këtë këtë elemente shkeljeje...?
Sëpari më krijohet përshtypja sikur zgjedhja e presidentit po bëhet një pazar midis idividëve të veçantë, kryetarit të mazhorancës, kryetarit të opozitës dhe të disa kryetarëve që shërbejnë si bishta sa me mazhorancën ashtu dhe me opozitën të drejtuar nga ndonjë titullar të ndonjë partie i cili duket sikur ka ndonjë rol disi të veçantë në këtë proces, siç është folur për LSI. Së dyti, çdo gjë që është diskutuar deri më tani ka qënë e thënë, e bërë dhe gjoja e vendosur, megjithëse s'ka vendime e nisma kushtetuese dhe nisma tilla midis individëve të veçantë. Pra, për të dalë president gjithkush, mjafton që t'ju pëlqesh këtyre pak individëve që drejtojnë partitë kryesore të vendit. Në këtë mënyrë diktatura e proletariatit është shndërruar në diktaturë partiake. Në këtë mënyrë, dy persona që urdhëruan për këtë absurditet, s'kanë bërë gjë tjetër veçse kanë vendosur një mjet për të eliminuar tre raundet kryesore për këtë qëllim. Pra diktaturat kanë vendosur një mjet që i shëmbëllen ato plotësisht.

Po kërkohet një president konsensual...?
Duket që procedurat që po ndiqen s'janë transparente e konform standardeve të duhura. Fryma e Kushtetutës është e tillë që imponon partitë politike që të bëjnë përpjekjet maksimale për të gjetur konsensusin, për të cilin po flitet përditë, për këtë, për fat të mirë, megjithëse shumë vonë, është arritur në një mendim si nga faktori ndërkombëtar ashtu dhe faktori shqiptar e opinioni i mbarë specialistëve dhe i politikanëve, se në Shqipëri duhet të dalë një president konsensual.

Si e konsideroni këtë rrugë drejt konsensusit...?
Në lidhje me të ashtuquajturin konsensus, ka demagogji. Nuk mund flitet për konsensus kur parashtrohet jashtë rrugës kushtetuese vetëm një kandidaturë, kur nuk konkurrojnë sipas frymës së Kushtetutës me firmat e nevojshme që në momentin e duhur kandidatët e ndryshëm, për t'i dhënë mundësinë faktorit politik që të zgjedhë njërin prej tyre, atë që mund të jetë më i pranueshëm apo më i pëlqyeri. Sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe, konsensusi nënkupton mirë kuptimin ndërmjet dy a më shumë palëve, marrëveshje mirëkuptimi për kalimin në votim ose për miratimin e një vendimi etj(fq.481). Konsensusi nënkupton dëshirën dhe mundësinë e zgjedhjes midis shumë kandidatëve të mirë, ku njëri prej të cilëve mendohet se mund të përmbushë më mirë detyrën e kryetarit të Shtetit. Pra në këtë drejtim është luajtur dhe po luhet keq, ashtu sikurse është luajtur e po luhet keq me konceptin e të ashtuquajturave raunde që janë zhvilluar deri ditën e sotme.

Keni rezerva për raundet e para...?
Të gjithë kemi qënë dëshmitarë që në ditën e planifikuar për të zgjedhur presidentin e ri të vendit në raundin e parë, i gjithë angazhimi dhe përgatitja maksimale e faktorit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, u duk se shkoi kot, sepse u bë një e ashtuquajtur seancë sa për sy e faqe ku nuk u paraqit asnjë kandidaturë, ndonëse politikisht kishte të tilla që ishin shpalosur nga mazhoranca ashtu dhe në mënyrë individuale, siç ishte ajo e zotit Nano.

Mendoni se u shkel ligji për këto raunde, pasi u bë dhe raundi i tretë dhe pritet i katërti...?
Ajo situatë në raundet e para dëshmoi se drejtuesit kryesore të partive, si të mazhorancës ashtu dhe të opozitës, pse jo dhe të partive të tjera, kishin shkuar në atë seancë pa konsumuar procedurat e nevojshme dhe pa i dalë borxhit, në kuptimin e mirë, njëri tjetrit, për të arritur konsensusin që kërkohet. Por më e keqja u vu re tek seanca e raundit të dytë, i ashtuquajturi raund që s'pati asgjë për t'u shënuar, që s'pati as kandidatura, që s'pati as debat, por që u quajt formalisht raundi i dytë. Sipas mentalitetit të drejtuesve kryesorë, të atyre që vendosin për fatin e Presidentit e për fatin e Shqipërisë u dashka për të luajtur me letra të bardha, derisa të vijë momenti për t'u krijuar kushte më të favorshme, për t'u mbërthyer pas 71 votave. Në këtë drejtim unë mendoj se ka ndikimin e vet negativ dhe vetë Kushtetuta. Paragrafi që ekziston në dispozitën përkatëse për këtë punë se "votimi quhet i kryer dhe kur nuk paraqitet asnjë kandidaturë" është një nonsens, është një absurditet, një gabim shumë i rëndë, i trashë qoftë në vështrimin kushtetues të përmbatjes së saj dhe aq më tepër në aspektin gjuhësor.

Ju mendoni se nuk duhet të quhen këto raunde...?
Nuk mund të flitet se zhvillohet votim dhe votimi kur ai nuk është bërë, siç nënkupton përmbajtja e kësaj dispozite që thotë se dhe pa u bërë votimi, mund të quhet se është bërë. Kjo është një marrëzi si në kuptimin juridik, por më duket marrëzi dhe në kuptimin logjik. Ky paragraf implikon keq dhe kushtetutbërësin dhe nivelin, konceptin e mentalitetin e tij për këtë problem mjaft të rëndësishëm. Në aspektin kushtetues, veç faktit që nuk mund të quhet i kaluar votimi kur nuk është bërë, indirekt nga kjo shprehje që ekziston në Kushtetutë del që kjo frymë është futur qëllimisht për të zbehur dhe dobësuar përmbajtjen e paragrafëve të mëvonshëm të nenit përkatës që vijojnë menjëherë pas kësaj fjalie që përmendëm, të cilat kërkojnë dhe imponojnë që të votohet me 84 vota në tre raundet e para.

Eshtë bërë qëllimisht ky përcaktim i tillë...?
Unë them se duke u shprehur në paragrafin e parë në këtë mënyrë, kushtetutbërësi qëllimisht ka bërë përpjekje që ta lehtësojnë pozitën e mazhorancës dhe të Parlamentit për të mos kërkuar, për të mos bërë përpjekje, për të mos insistuar për të gjetur konsensusin për të siguruar minimalisht 84 vota. Qëllimi është për ti dhënë mundësinë Parlamentit që fiktivisht të kalojë tre raundet e para në mënyrë krejtësisht fiktive sipas shprehjes së kësaj formule e për të shkuar shumë shpejt te raundi i katërt dhe për të manovruar pastaj me numrin e votave që kërkon ai raund.

Kjo formulë në Kushtetutë e dobëson rolin e Presidentit...?
Kjo pjesë e kësaj dispozite, duke bërë fjalë për procedurën e zgjedhjes së presidentit, dobëson dhe venit autoritetin e tij, kompetencat e tij, rolin e tij si kryetar i shtetit dhe rolin e tij si një moderator pushtetesh. Aq shumë e venit rolin e Presidentit kjo formulë, sa të duket sikur është futur qëllimisht për të mos lejuar që të zhvillohet një proces shumëdimensional, me debate të shumta, me pretendime për cilësi kandidaturash, me pretendim për reputacion apo integritet kandidaturash të veçanta.

Mendoni që ndryshimi në Kushtetutë e rregullon problemin?
Unë mendoj që sido që të vijë problemi i zgjidhjes së Presidentit, sepse ai në fund të fundit këto ditë do të zgjidhet, dikush do të dalë si i tillë, më e domosdoshme për mua del për të parë me sy kritik ndryshimet e vitit 2008 në Kushtetutë dhe në mënyrë të veçantë këtë shprehje që përmendëm, sepse jo vetëm që duket kështu siç ju thashë, por ajo që të bën përshtypje është fakti që një shprehje të tillë, në një paragraf të tillë, nuk e gjejmë në asnjë Kushtetutë tjetër ku Presidenti zgjidhet nga Kuvendi. Ashtu siç është kjo fjali, jo vetëm që nuk i përshtatet vendit dhe mentalitetit shqiptar por përkundrazi ndikon më keq te ky mentalitet disi i prapambetur, që dëshiron të ketë zvarritje, që s'dëshiron cilësi apo konkurrim vlerash e personalitetesh, pikëpamjesh e strategjish për këtë funksion kaq të rëndësishëm.

E quani të domosdoshëm amendimin e Kushtetutës...?
Mendoj që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi i del për detyrë Parlamentit, pse jo dhe Presidentit dhe organeve të tjera që të japin ndikimin e tyre pozitiv për të gjetur rrugë për të amenduar, për të shfuqizuar këtë amendim të vitit 2008 dhe në mënyrë të veçantë me urgjencë këtë fjali që ne po përmendim.

Ju po thoni se kemi një President pa shumë kompetenca...?
Dua të nëvizoj faktin që cilido që të jetë president, unë mendoj se ai do të ketë pengesa dhe vështirësi në punën e vet. Ai do të jetë "fatkeq" sepse në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë me ndryshimet që ne përmendëm, nuk mund të flitet për një president me autoritetin e plotë për të qenë mbi pushtetet e tjera, pra është pak e vështirë të flitet për një President të tillë, sepse mjaft kompetenca që ka presidenti ynë, nuk i ka të vetat, s'është ai vendimmarrësi përfundimtar, por i ka të ndërlidhura, të kushtëzuara me qëndrimet e pushteteve të tjera. Fjala vjen, shumë prej tyre i ka të kushtëzuara me qëndrimet që mban parlamenti, i cili vitet e fundit e ka sfiduar presidentin për mjaft kandidatura të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë e shumë probleme të tjera. Ai ka dhe kompetenca që është i detyruar t'i përmbushë përmes ekzekutivit, nëpërmjet kryeministrit, ministrit të Mbrojtjes apo nëpërmjet faktorëve të tjerë të këtillë të ngjashëm me të cilët Presidenti aktual ka patur probleme serioze.

Por ka ndikim të gjyqësori...?
Tani dhe autoriteti i veçantë i Presidentit që ishte tek gjyqësori, me këtë ndryshime u zbeh dhe kjo zbehje ndikon jo vetëm për vetë presidentin, por ka zbehur dhe autoritetin e organeve kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të KLD dhe pse jo dhe të gjykatave të tjera të zakonshme, kur konstatohet se presidenti mund të zgjidhet fare kollaj dhe se si i tillë mund të jetë një njeri i cili u nënshtrohet çmimeve dhe vlerësimeve të individëve të veçantë. Është e vështorë që ai të gjejë forca dhe mundësi për të dalë mbi këto kufizime, brenda starturës që i cakton Kushtetuta të cilën është i detyruar ta respektojë.


(aq/shqiptarja.com)