Debati për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut ka marrë një tjetër reagim nga politika shqiptare. Këtë herë është deputetja socialiste Marjana Koçeku e cila me një deklaratë të gjatë e shtjelluese doli hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, duke sjellë në kujtesë faktin se në vitin 1555 kur u shkrua gjuha shqipe, pjesa më e madhe e vendeve të Europës Lindore kërkonin një alfabet.
"Gjuha shqipe, përveç letërsisë orale mijëvjeçare, eposit, këngëve dhe legjendave që i kanë paraprirë shteteve, asht e dëshmume dhe e shkrume që nga viti 1555, afërsisht në të njëjtën kohë me gjermanishten, me polonishten, me çekishten. Libri i saj i parë, Meshari i Gjon Buzukut, u shkru në një kohë kur shumica e gjuhëve të Europës Lindore ende po kërkonin alfabetin e vet" tha ajo në një postim publik në Facebook..
Në reagimin e saj, Koçeku sjell në vëmendje edhe historinë e shqiptarëve si komb shtetformues dhe peshën e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo ka traditë të hershme dhe është studiuar ndër shekuj nga figura të shquara të mendimit europian. Duke shtruar pikëpyetje mbi qëndrimin e Maqedonisë së Veriut rreth kësaj çështjeje, ajo thotë se dëshiron të besojë që është çështje burokratike dhe jo diçka më tepër. Sidoqoftë, Koçeku i kujton Shkupit se integrimi në BE shoqërohet me respekt për gjuhët dhe kulturat e ndryshme.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut gëzojnë përkrahjen e Shqipërisë pa dallim partie. Ata duan barazi për gjuhën shqipe e kjo u takon, sepse nuk janë minoritet, por një nga dy kombet shtetformues në atë vend bashkë me maqedonasit” tha ajo
Do kisha dasht me besu se asht ma tepër çështje e ngecjes burokratike dhe inkompetencës institucionale sesa qëndrim i ndërgjegjshëm dhe i paramenduar.
Deklarata e plotë e Marjana Koçekut në rrjete sociale
"Nuk asht hera e parë që gjuha shqipe, në trojet ku shqiptarët janë komb shtetformues, përballet me pengesa institucionale nga ma të ndryshmet. 385 studentë e mësojnë të drejtën ndërkombëtare, të drejtën kushtetuese, të drejtën penale, të tana n’shqip. POR detyrohen të testohen në terminologji juridike n’gjuhën maqedonase, pikërisht në momentin vendimtar të karrierës: ai që hap rrugën drejt gjykatës, prokurorisë, avokaturës dhe noterisë.
Në listën e gjuhëve që emnohen të vlefshme dhe të denja për t'u fol përpara institucioneve shtetnore në Maqedoninë e Veriut, nuk mungojnë gjuhët e komuniteteve të vogla, gjuhët e diasporave, gjuhët e pakicave numerikisht të papërfillshme. Por ajo gjuhë që flitet nga gati gjysma e popullsisë dhe e territorit të vendit, gjuha shqipe pra, ndalet në pragun e sallës së provimit.
Unë s’mund i marr me mend motivet e një gjendjeje të ktij soji, të ushtrume pikërisht ndaj kësaj gjuhe, pikërisht ndaj ktij populli. Ajo tingëllon llahtarshëm sidomos sot, kur Maqedonia e Veriut pretendon integrimin europian, një integrim që bazohet pikërisht mbi respektimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor të kombeve si pasuri e qytetërimit të përbashkët. Do kisha dasht me besu se asht ma tepër çështje e ngecjes burokratike dhe inkompetencës institucionale sesa qëndrim i ndërgjegjshëm dhe i paramenduar.
Nuk e konsideroj të tepërt ndërkaq të theksoj se gjuha shqipe, përveç letërsisë orale mijëvjeçare, eposit, këngëve dhe legjendave që i kanë paraprirë shteteve, asht e dëshmume dhe e shkrume që nga viti 1555, afërsisht në të njëjtën kohë me gjermanishten, me polonishten, me çekishten. Libri i saj i parë, Meshari i Gjon Buzukut, u shkru në një kohë kur shumica e gjuhëve të Europës Lindore ende po kërkonin alfabetin e vet.
Dëshiroj të shtoj gjithashtu se ka ma shumë se tre shekuj që kjo gjuhë, e vetmja pasardhëse e drejtpërdrejtë e ilirishtes, e njërës ndër gjuhët më të lashta të kontinentit, ka tërheq vëmendjen e mendimtarëve dhe gjuhëtarëve ma të shquar të Europës. Leibniz i ka kushtuar vëmendje. Franz Bopp e ka përfshirë në gramatikat e tij krahasuese. Johann Thunmann i ka kushtu studime të plota. Katedrat për studimin e shqipes ekzistojnë sot në universitetet ma të vjetra të botës, nga Vjena deri në Sorbonë, nga Londra e Pekini deri në Romë.
Dhe megjithatë, një student shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili ka studiu të drejtën në gjuhën e Buzukut, të Fishtës dhe të De Radës, nuk mund ta dëshmojë dijen e vet në atë gjuhë. Kjo s'asht thjesht një çështje procedurale. Ky asht një mur i errët.
Kam besim tek zhdërvjelltësia demokratike e Maqedonisë së Veriut për t’i kapërcyer me lehtësi pengesa të tilla që i përkasin të shkuarës, sepse ato s'mund të kenë vend në një shtet që ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, që ka ratifikuar Kartën Europiane për Gjuhët Rajonale dhe Minoritare, dhe që ecën drejt integrimit europian.
Shpresoj se do të gjendet mënyra për të korrigju këtë gjendje tepër të papëlqyeshme.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut gëzojnë përkrahjen e Shqipërisë pa dallim partie. Ata duan barazi për gjuhën shqipe e kjo u takon, sepse nuk janë minoritet, por një nga dy kombet shtetformues në atë vend bashkë me maqedonasit.
Fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut pranimi i gjuhës shqipe në çdo instancë, do t’i ndihmojë në stabilitet, përparim, demokraci e zhvillim."
Lajmi kryesor:
'Provim i drejtësisë në gjuhën shqipe', studentët shqiptarë protestë në Shkup: Shqipja s'negociohet, Mickoski të dorëhiqet! Hoxha: Gjuha, e drejtë themelore (VIDEO)










