/ATSH/- Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, zhvilloi të martën në Shqipëri, vizitën e tij të parë zyrtare, në të cilën u takua me krerët më të lartë të shtetit, Presidentin Bujar Nishani si dhe Kryeministrin Edi Rama.
Vizita e Mbretit Abdullah II, u ndoq me interes dhe u pasqyrua gjerësisht nga mediat shqiptare. Angazhimi i përbashkët i dy vendeve për koordinimin e përpjekjeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar ishte një ndër temat e mprehta, të cilat u trajtuan gjatë kësaj vizite. Ndërkohë që u vlerësua bashkëpunimi për konsolidimin e paqes në rajonet respektive ku dy vendet bëjnë pjesë, Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme.
Takimin e parë zyrtar, Mbreti jordanez, Abudallah II, e zhvilloi me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani bëri të ditur se me monarkun jordanez ka biseduar për një seri çështjesh me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në luftën kundër terrorizmit, duke e konsideruar atë një sfidë të përbashkët dhe globale.
"Si një vend me shumicë myslimane, Shqipëria luan një rol mjaft të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit", tha Mbreti i Jordanisë, duke theksuar se "të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për të zgjidhur një çështje të tillë". "Edhe në Shqipëri, sikurse në Jordani, të gjitha komunitetet bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, muslimanë dhe të krishterë", u shpreh Madhëria e Tij.
Ndërsa kreu i shtetit shqiptar vlerësoi se janë të shumta mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në OKB, ku Jordania, siç theksoi Nishani, luan një rol të rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së paqes, forcimit të sigurisë, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme, por jo vetëm. Presidenti i shprehu mirënjohjen Jordanisë si vendi i parë i Lindjes së Mesme që njohu pavarësinë e Kosovës.
Nishani ka theksuar se Shqipëria ka mbështetur kandidaturën e Jordanisë si anëtare jo e përhershme dhe vlerëson rolin që Jordania ka luajtur në këtë këshill.
"Vlerësova rolin e Jordanisë në OKB në drejtim të ruajtjes së paqes, sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme e jo vetëm, pata rastin t'i shpreh madhërisë së tij mirënjohjen e shqiptarëve për njohjen e pavarësisë së Kosovës në 2009", tha ai
Nga ana e tij, mbreti Abdullah II, vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Ai vlerësoi rolin që Shqipëria luan luftën kundër terrorizmit, duke shpresuar që "të kemi një të ardhme sa më të mirë së bashku".
Në takimin me Kryeministrin Edi Rama, i cili u zhvillua në Sallën e Hartave, u konstatua se marrëdhëniet midis dy vendeve udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe e mirëkuptimit, si dhe u shpreh gatishmëria për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Mbreti Abdullah II premtoi se Jordania si një vend mik, me kënaqësi do të ofronte ndihmën e saj për zhvillim edhe në fusha të tjera si shëndetësia, etj. Po ashtu, u nënvizua edhe vullneti për një bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë.
Në takim u fol edhe për sfidat e sotme rajonale dhe globale dhe u nda mendimi se si të tilla kërkojnë ndërveprim midis vendeve dhe përgjigje globale.
Një fushë me potencial të lartë zhvillimi, për të cilën pala jordaneze shprehu një interes të posaçëm, u vlerësua turizmi. Mbreti Abdullah II u shpreh me admirim për vijën bregdetare të Shqipërisë dhe siguroi se do të inkurajonte investimet jordaneze në turizëm.