TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot në një takim të veçantë, drejtues të Fondit të Zhvillimit të Abu Dabit.

Basha i ka njohur me projektin e hartuar nga studio arkitekturore “Grimshaw”, për rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe ndërtimin në dy anët e lumit, të pjesës veriore të Unazës së Madhe.

Projekti i lumit të Tiranës që nis nga Ura e Brarit deri tek Ura e Kamzës, me gjatësi 6.7 km parashikon pastrimin dhe sistemimin e lumit, ndërtimin e hapësirave të gjelbra dhe zonave rekrative. Në të dy anët e lumit do të shtrihet Unaza e Madhe e cila është parashikuar të jetë me 8 korsi.

Drejtuesit e Fondit të Abu Dabit kanë shprehur mbështetjen për këtë projekt dhe kanë garantuar Kryebashkiakun Basha, për shqyrtimin me përparësi të mundësisë së financimit të këtij projekti, kostoja e të cilit është 114 milionë euro.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë së Abu Dabit, i pranishëm në këtë takim, ka shprehur interesin e investitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për të investuar në realizimin e këtij projekti dhe projekteve të tjera në Tiranë.

(eç/shqiptarja.com)