/ATSH-AFP/ - OPEC-u nuk mund të mbrojë më çmimin e një fuçie naftë, në rënie që prej muajit qershor, theksoi sot ministri i Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhaïl Mazroui.

Duke iu drejtuar një forumi për industrinë e naftës në Abu Dabi, ministri e cilësoi të nevojshëm që prodhimi i naftës argjilore, që shkakton uljen e çmimit të naftës bruto, të jetë më i kontrolluar.

"Nuk mund të vazhdojmë të mbrojmë disa nivele çmimesh", deklaroi ministri duke folur për Organizatën e Vendeve Eksportuese  të naftës OPEC, ku bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe.

"Ne kemi pasur një mbiprodhim të naftës, ardhur kryesisht nga nafta argjilore dhe kjo duhet korrigjuar", shtoi ai.