TIRANË- Ish-kryetari i Bashkisë së Finiqit, me partinë MEGA, Leonidha Hristo është dënuar me 4 vite burg nga GJKKO, e cila e shpalli fajtor për shpërdorim detyre, pasi abuzoi me tenderë duke shkaktuar një dëm prej 77 mln lekësh. Hristo, i cili ka qenë edhe kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet lokale të 2023-shit, përfiton nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj heqje lirie. Hristo është hetuar pa masë sigurie dhe do në rast se ky vendim lihet në fuqi edhe nga Apeli i GJKKO-së, ai do duhet të shkojë në burg për të shlyer dënimin.

Ndërkohë, GJKKO ka shpallur moskompetencë për 4 ish-zyrtarë të tjerë dhe çështja ndaj tyre i kalon Gjykatës së Sarandës. Konkretisht për Florian Perin, ish-përgjegjës për prokurimet, Stavro Çavo e Lefteria Mekshi anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave si edhe Lefter Karjanin jurist për prokurimet në Finiq. 

Sipas SPAK, Hristo në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë, gjatës periudhës 2017-2019 kanë zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike. Procedura e përpilimit/hedhjes së dokumenteve të tenderëve dhe procedura e vlerësimit të ofertave është kryer kryesisht nga Florian Peri dhe Stavro Cavo dhe jo nga anëtarët e NJP dhe KVO-së të caktuar në urdhrat përkatës tha organi hetues.

Ndërkohë që në aktet shkresore titullari i AK, Leonidha Hristo ka ngarkuar persona të tjerë, të cilët i kanë nënshkruar aktet e përpiluara dhe parapërgatitura nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, kohë më vonë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Hetimi për ish-kryetarin e bashkisë së Finiqit nisi pas kallëzimit të KLSH-së, në 2020. Sipas KLSH-së i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomike në vlerën 77 milionë lekë me abuzimet me tenderat. Shkeljet janë konstatuar nga auditi i realizuar për periudhën nga 01.01.2017 deri më 31.12.2019.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë