Nga kontrolli i ushtruar nga ekipi i auditit të Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se nga 372 persona me aftësi të kufizuar në Komunën Labinot-Fushë, 165 prej tyre kanë përfituar në mënyrë të parregullt Pagesën e Aftësisë së Kufizuar, si dhe rezultojnë me mangësi dokumentesh në dosje.
Gjithashtu, nga kontrolli i dokumentacionit mjekësor të dosjeve ka rezultuar se 109 persona kanë të njëjtën diagnozë, artrit rheumatoid dhe sëmundje renale kronike.
Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi administratorët e Ndihmës dhe shërbimet sociale në Komunën Labinot-Fushë në Elbasan, Mjekun e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve Sociale, anëtarët dhe Kryetarin e KMCAP Elbasan.
Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka kallëzuar sot në Prokurorinë e Rrethit Elbasan anëtarët e Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë në Punë, KMCAP Elbasan, dhe punonjës të Komunës Labinot-Fushë, në Elbasan, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës. Këta persona dyshohet se përmes veprimeve apo mosvepimeve të tyre kanë sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, si dhe kanë keqmenaxhuar pagesat e aftësisë së kufizuar.
Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë të mundshëm, nëse do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.
Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së Pagesave të Aftësisë së Kufizuar në të gjitha rrethet e vendit. Për çdo shkelje të gjetur do të procedojë me kallëzimin e rasteve në Prokurori. Abuzimet e shumta në këtë skemë kanë bërë që personat në nevojë të mbeten jashtë këtyre listave, ndërkohë që parat përfundonin në duart e abuzuesve. Për këtë, mijëra përsona në nevojë që përfitojnë këtë pagë ose që duhet ta përfitojnë atë, do të duhet të presin deri në fillim të vitit të ardhshëm, për të përfituar edhe muajit e prapambetur. Gjithashtu, për vitin 2014 pritet të hyjë në fuqi skema e re që ka për qëllim eleminimin e abuzimeve me fondin që i përket kësaj kategorie.
Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)