"Gjatë auditmit u konstatuan shkeljet e mëposhtme: 3103 familje trajtohen me ndihmë ekonomike në bashkinë Kamëz në kundërshtim të vendimit të këshillit të ministrave nr 786 datë 14.12.2005 duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit në vlerën 15 milion e 191 mijë lek vetëm për një muaj."- tha Entela Bisha, drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror. Sipas saj, auditi ka konstatuar edhe shkelje të tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me llogaritjet e masës së ndihmës ekonomike. Në shumë raste familje në kushte të ndryshme kanë marrë masë të njëjtë të ndihmës ekonomike, ose është akorduar e njëjta masë ndihme si për familjen me 1 anëtar dhe për atë me 7-8 anëtarë.
Një tjetër shkelje është vërejtur edhe në borderotë e pagesës së ndihmës ekonomike mungojnë numrat e llogarisë ku paguhet ndihma ekonomike, respektivisht për 783 familje dhe 1179 familje. Po kështu, sipas Bishës probleme janë konstatuar edhe me dokumentacionin, ku në disa raste është korrigjuar edhe me dorë, ose Prefekturës nuk i janë dorëzuar listat e personave që përfitojnë NE. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror ka theksuar se shumë shpejt në të gjithë vendin do të përdoret formula e pikëzuar për përfitimin e ndihmës. Fillimisht ajo do të zbatohet si projekt pilot në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
"Në tre qarqet e vendit po punohet me skemën e re, skemën pilot. Në këto tre qarqe në vijim do të kryhet pagesa e ndihmës ekonomike në përputhje me skemën e pikëzuar "-deklaroi Entela Bisha. Ndërsa abuzimet për aftësinë e kufizuar në të gjithë vendin llogariten në 9 milionë lekë të rinj dhe janë konstatuar 566 raste, por verifikimet vazhdojnë. Kallëzimi penal për kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu nga Shërbimi Social, është i pari në këtë nivel, pasi deri tani janë paditur përfaqësues të këshillave bashkiake.
Kanë kaluar disa muaj nga kallëzimet e para penale për abuzime në Fier dhe Elbasan, por ende nuk ka zhvillime të reja nga organi i akuzës. Abuzimet me ndihmën ekonomike zënë mbi 10% të totalit të saj, ndërkohë që ka mbetur ende 25% e komunave dhe bashkive pa u kontrolluar. Megjithatë shteti nuk ka asnjë mekanizëm që të detyrojë përfituesit abuzive të kthejnë paratë e marra padrejtësisht.
Të dhëna mbi abuzimet
62 milionë lekë është dëmi ekonomik i rreth 12 mijë familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike padrejtësisht.
3400 familje janë shtuar në mënyrë abuzive listës së NE gjatë muajve prill-maj në zonën e Kamzës.
9 milionë lekë të rinj përllogaritet abuzimi i bërë me pagesën e paaftësisë.
Në borderotë e pagesës së ndihmës ekonomike mungojnë numrat e llogarisë ku paguhet ndihma ekonomike, respektivisht për 783 familje dhe 1179 familje.
Abuzimet me ndihmën ekonomike zënë mbi 10% të totalit të saj, ndërkohë që ka mbetur ende 25% e komunave dhe bashkive pa u kontrolluar.
Shkrimi u publikua sot (29.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)