Acqui Terme, këshilltarja bashkiake është virtuale dhe quhet Eva Statiella, emër i marrë nga një prej fshatrave të qytetit në provincën e Alessandrias. Ky është rasti i parë në Itali: komuna me gati 19 mijë banorë ka përfshirë në administratën e re të Palazzo Levi një politikan të “krijuar” nga Inteligjenca Artificiale.

Kryetari i bashkisë Danilo Rapetti deklaroi: “Detyra e Evës do të jetë të japë opinione. Rasti i parë është regjistruar në Shqipëri. Bëhej fjalë për një ministër. Mendoj se ky hap duhej bërë. Sot inteligjenca artificiale është pjesë e jetës sonë të përditshme. Nuk shoh pse duhet të ketë probleme në përdorimin e saj për administrimin e një qyteti. Do të doja që Acqui Terme të bëhej një vend i aftë të përdorë sisteme inteligjente për të parandaluar gabimet, për të njohur nevojat dhe për të udhëhequr njerëzit, duke bashkuar botën artificiale me vendimet njerëzore.”

Po vjen edhe asistenti virtual

Emërimi zyrtar pritet të bëhet deri në fund të muajit. Detyrat e “këshilltares” së re do të lidhen me Inovacionin Artificial dhe Humanizimin. Këshilltarja virtuale do të ketë një vend në kabinet dhe do të mund të flasë e të shprehë opinione.

Por risitë nuk mbarojnë këtu, sepse kryetari i bashkisë ka vendosur të krijojë edhe një asistent të ri, gjithashtu virtual. Ai do të jetë një ndihmës që, përmes rrjeteve të tij sociale, do të komunikojë me qytetarët. Atij do t’i drejtohen për çdo nevojë: nga ankesat për gropat në qendër të qytetit deri te informacionet për pagesën e gjobave. Për këtë arsye, ai do të ketë detyra në urbanistikë, ndërtim dhe polici lokale.

Për momentin, lajmi është pritur me rezervë nga opozita, e cila dëshiron të kuptojë çfarë ndikimi do të ketë kjo risi mbi qeverisjen dhe vendimet e saj./Corriere