Adami: Si "i pushtuan" skenat
e globit pianistët tanë

Adami: Si "i pushtuan" skenat <br />e globit pianistët tanë
Një nga dirigjentët më prestigjioz, Bruce Hangen, ishte të premten në Shqipëri për një koncert. Bashkë me të për koncertin vinte nga Bostoni pianistja e talentuar shqiptare Inesa Gegprifti. Koncerti i saj u dha të premten në Akademinë e Arteve, ndërsa një ditë para saj, një tjetër pianiste e talentuar, Dorina Komani kishte ardhur nga Norvegjia për një koncert recital në Tiranë. Këto dy pianiste të talentuara dhe të ngjashmit e tyre që ikin nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të botës të habisin me sfidat e sukseset e tyre. Janë dhjetëra pianistë sfidantë që u përkasin tashmë skenave të Italisë, Francës, Zvicrës, Norvegjisë, Amerikës, Spanjës, Greqisë, Holandës, etj. Takuina Kruja Adami, (ne foto) bija e sopranos dhe pianistes së madhe Jorgjie Truja mban kontakte me ta. Ajo ka vite që punon në emër të talentit të tyre dhe përpiqet që të mos harrojë gjatë intervistës për "Shqiptarja.com" as emrin, as vendndodhjen e gjithsecilit. Takuina është presidente e EPTA Albania Tiranë që aderon në shoqatën EPTA Europian Piano Teacher me qendër në Londër. Në vitin 1993, rrëfen ajo, "një zonjë rumune e martuar me një anglez që drejtonte shoqatën europiane në pianistëve në Londër, meqë edhe vetë ishte me origjinë nga vendet e lindjes komuniste, Rumania, interesohet që të bashkojë edhe Shqipërinë në këtë organizatë". Pas pjesëmarrjes së talenteve shqiptare të muzikës në aktivitetet e kësaj organizate, rezultati qe i jashtëzakonshëm: Shqipëria prej 18 vjetësh përfaqësohet nga dhjetëra pianistë virtuozë në skenat botërore. Ajo quhet Carola Grindea (1914-2009). Tashmë nuk jeton më, por sa kohë që bashkëpunoi me Shqipërinë nuk i kurseu vizitat dhe as kontributin për talentet shqiptare të muzikës pianistike. Carola Grindea krijoi lidhjet me shkollat e vendit dhe profesorët e muzikës. Takuina Adami, përveç punës me EPTA Albanian, jep ende mësime pianoje si mësuese e jashtme në shkollën e mesme "Jordan Misja". Është duke ndjekur rrugën e ndritshme të nënës së saj Jorgjie Trujës. Takuina ka shumë për të thënë për shembullin e nënës së saj, por lutet që ta mbyll diktofonin sepse, "unë sigurisht që do ta lëvdojë nënën time", thotë ajo. Na mjafton të përzgjedhim vetëm pak nga lëvdatat e merituara, sepse pasioni i Takuinës për të ndihmuar talentet dhe kontributi që jep tregojnë më shumë se ç'mund të thuhet me fjalë për kontributin e familjes së Jorgjie Trujës në muzikën shqiptare e sidomos atë pianistike, ku sopranoja e famshme e viteve '30 rrezikonte zërin për t'u mësuar përditë solfezhin talenteve të ardhshëm. Nga intervista e mëposhtëme mësojmë se këta yje të Shqipërisë që kanë pushtuar skenat botërore nuk u shfaqën rastësisht.

Zonja Takuina, më 27 maj u mbyll festivali i 17-të ndërkombëtar "Pianisti i ri" dhe në çdo edicion juritë ndërkombëtare zbulojnë talente. Gjithashtu, sapo ndoqëm në Tiranë koncertet e Dorina Komanit dhe Inesa Gegprifin. Nga burojnë këto talente?
-Jemi përpara një seri koncertesh e talentesh pianistike më duket. Pianistja Dorina Komani dhe Inesa Gegprifti na nderojnë me talentin e tyre në skenat e botës. Natyrisht në këtë rast unë kam kënaqësinë të shpreh faktin që në 65 vjet shkollë artistike po të marrin datën e referimit, kur u themelua liceu i parë artistik në vitin 1946, armata e pianistëve dhe këngëtarëve të cilët jo vetëm koncertojnë me sukses në qytetet tona, por na përfaqësojnë edhe jashtë, nuk ka fund. Në këtë kontekst ka shumë vlerë puna që ka bërë shoqata EPTA Albania për 18 vjet rresht nëpërmjet koncerteve, konkurseve, masterklaseve, vajtjeve të organizuara jashtë për konkurse ndërkombëtare, promovimeve të librave, promovimeve të figurave të kompozitorëve shqiptarë që natyrisht i kanë dhënë një ndihmesë të madhe vetë talenteve tona dhe lulëzimit të tyre.

Siç e kemi parë së bashku janë shumë dhe janë të gjithë virtuozë ata që na përfaqësojnë në skenat e botës. I mbani mend të gjithë emrat?
-Janë shumë, por si gjithmonë janë nga pianistë që shkëlqejnë më shumë në konkurset e "Pianistit të ri". Në këtë festival marrin pjesë pianistë nga gjashtë deri në 18 vjeç, ku aftësitë spikasin tek ata mbi 18 vjeç. Dhe ka mbi 100 pjesëmarrës, por edhe shumë talente. Ndaj tyre edhe pse është një juri ndërkombëtare, pra që përfaqësohet nga artistë të famshëm të huaj, vihet re përkushtimi dhe dashamirësia e jurisë. Shpesh juria jep diçka të planifikuar për talentet. Kjo ndodhi edhe këtë vit me dy çmime të veçanta njëri ishte për debutim, tjetri ishte për etydin. Por ka raste që jepen edhe bursa dyjavore për të mbuluar shpenzimet e pagesave të masterklasit. Dhe kjo nuk është pak. EPTA Albania vitet e fundit, kur dyert e demokracisë janë të hapura për të komunikuar me botën ka pasur në qendër të vëmendjes cilësinë dhe promovimin e talenteve.

Promovimi a bëhet gjithnjë sipas statuseve dhe niveleve të larta ndërkombëtare?
-Natyrisht pozitivja është kjo. Diploma e tyre njihet në gjithë Europën dhe le të themi edhe në gjithë botën, sepse kështu ka funksionuar. Filialet në gjithë botën i njohin talentet tona që kur Shqipëria merr pjesë në organizatën EPTA me qendër në Londër. Juria e "Pianistit.." ka tradita konservatore sepse është pjesëtare e elitave botërore të muzikës dhe pjesëtare e EPTAS. Tek kjo organizatë çdo vit mblidhen e diskutohen problemet pedagogjike didaktike. Ato marrin një formë promovuese, një formë efikase për të ndihmuar talentet. Në këtë aspekt këta anëtarë të jurisë, jo vetëm që dallojnë talentin dhe dinë të thonë saktë atë çfarë ju mungon dhe çfarë ju duhet, por i japin kuptim edhe punës sonë me talentet në Shqipëri. Juria ka anëtarë nga vende të ndryshme Italia, Gjermania, Franca, Holanda, Maqedonia, Kroacia, etj. Duke qenë krejtësisht të paanshëm për të gjitha talentet tona ne kemi arritur të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të kuptojmë se çfarë kemi bërë në të ardhmen.

Na thoni disa emra talentesh që janë çmuar nga kjo juri ndërkombëtare?
-Unë di shumë emra si Marin Gjollma që është ën Akademinë e Arteve, Mariola Lleshi që sot ndodhet në Holandë, pikërisht në saj të kontaktit që pati në një nga këto festivalet me profesorët holandezë, Dorina Komani që pikërisht u promovua me çmimin më të madh "Lola Gjoka" në kohën kur ishte kryetare e jurisë, zëvendëspresidentja e shoqatës EPTA të Norvegjisë dhe ajo e mori Dorinën në Norvegji në një maratonë pianistike që organizohet në qytetin e saj. Natyrisht aty asistuan dhe profesorë të shquar nga Olso dhe kështu u pranua talenti i saj. Ajo sot është e suksesshme dhe me një repertor interesant, me pjekuri në interpretim. Të mos harrojmë se suksesi i saj nuk është vetëm yni por edhe i asaj. Ajo kishte pasur një konkurs për të luajtur me filarmoninë e Oslos, ku kishte dalë me rezultate e para me 99.8 për qind. Kjo është një gjë shumë e madhe. Kishte fituar master të plotë me bursë Juilliard School në Nju Jork. Ka dhe pianistë të tjerë, Aredion Lici, pjesëmarrës i këtyre konkurseve, që iu dha për herë të dytë mundësia të quhet studenti më i mirë i konservatorit të Venecias dhe iu dha mundësi për të luajtur me Orkestrën La Fenices. Nuk është pak. Këta janë ambasadorët tanë jashtë. Inesa Gegprifti është e sapodiplomuar në Boston me maksimumin e pikëve për një pianiste. Në saj të këtyre daljeve skenike, ka arritur një pikë që shtete të tjera na i kanë marrë ato nga bankat e shkollës, nga Liceu Artistik. Në Itali na kanë marrë tre pianistë; i pari ka Gjergji Gaqi, që ka filluar atje në vitin e tretë të mesëm dhe është në Boston për master. Ka qenë Fredi Llupo i dyti e ai është për Master, kurse Inesa Gegprifti është e treta dhe vijon edhe ajo në Amerikë për Master. Kështu dhe shkëlqejnë talentet tanë jashtë.

Si u ndodhët ju vet në krye të organizatës EPTA Albania dhe si u lidhët me Carola Grindea-n presidenten e EPTAS në Londër?
-Shoqata e pianistëve EPTA është themeluar që më 1934-n nga një pianiste pedagoge rumune e martuar në Angli, Carola Grindea. Për faktin që ajo përfaqësonte në qenien e saj vendet e Lindjes dhe vendet e Perëndimit, pati disa ide të mrekullueshme për të shkrirë përvojën nëpërmjet shkollave pianistike. Carola krijoi në '34-n në Angli këtë shoqatë. Në zhvillimin e saj kjo shoqatë mblidhet çdo vit në një vend të caktuar, qytet ose kryeqytet të botës dhe shtron problemet që dalin dhe atje takoi mësuesen tonë Nadjezhda Borodini. I tha asaj "-Juve jeni Shqipëria?" "-Po.", tha ajo. "Dëshironi të merrni pjesë në EPTA?". Ishte një mrekulli kjo ftesë. Në vitin '93 kishte vetëm pak kohë që sapo ishin hapur dyert e Shqipërisë me botën dhe vjen Nadjezhda e na komunikon këtë ide e cila shtrohet në komisionin e pianos të Liceut Artistik. U vunë firmat me komisionin nismëtar, u mor leja dhe në '94-n përfundoi organizimi. Nuk e harroj artikullin që u botua në "Piano journal" dhe editori i parë i saj ishte "EPTA Albania. Më në fund, Shqipëria!"

Pra, bëhej fjalë që Shqipëria u bë pjesëtare, por kur vjen puna për të drejtuar një shoqatë të tillë nuk është kaq e kollajshme.
-Fillimisht kemi pasur shumë ndihmë fondacionesh për një farë kohe. Tani suksesi ynë më i madh është që kemi arritur të vetëfinancohemi me anëtarët dhe pjesëmarrësit e konkurseve, por duhet të themi që kjo na dha një ndihmë të jashtëzakonshme morale sepse na bëri jo vetëm të dalim nga klasat, të lidhemi me shoku-shoqin në botë, me shkollat tona kombëtare që kemi në qytete të ndryshme dhe kemi parë arritje, por mbi të gjitha patëm kënaqësinë që ne u gjendëm në një nivel të barabartë me kolegët tanë në cilindo vend të botës. Ky ishte një sukses i madh, ishte shkrirja e pedagogjisë dhe që na u dhanë mundësi të barabarta me botën. Kjo ishte shumë për atëherë dhe mendoj se edhe tani kjo na bënë të privilegjuar që ne kemi kolegë në mbarë botën që vinë në juritë e aktiviteteve tona dhe na sjellin libra. Sekretarja e EPTA-s mëmë në Angli është vajza e Carola Grinder-it, Nadja Jefferson. Ajo në bagazhin e saj kishte 17 kg libra dhe tre kilogram veshje. Ajo na dha dy çmime plus për talentet tona dhe kryetari i jurisë Helibert Koh nga Gjermania është zëvendës president i EPTA-s. Ai ka ndjerë përgjegjësinë për talentet tona. Në Gjermani pianistja jonë 17-vjeçare Arianita Hitaj luajti me orkestër një nga koncerte më virtuozet të literaturës operistike, kur ishte e ftuar në festivalin e muzikës së dhomës.

Ju po më thoni se paska gjithnjë e më shumë pianistë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë?
-Është e vërtetë. Endri Nini është në Gjermani. Në Angli është Deniola Kuraja, në Gjermani sërish është Desart Sulejmani. Të dy këta kanë studiuar edhe dirigjim dhe ndihmojnë nxënësit tanë. Mariola Liçi është në Holandë. Por sërish në Gjermani është Fedra Blido, Dorina Borodini. Në Francë janë Sarina Guda, Viola Paco. Në Itali janë Noela Kapedani e sërish në Francë është edhe Marlinda Majollari. Në Holandë janë Mirsa Adami, Ilda Toçe. Janë shumë nga ata me diplomat tona studiojnë jashtë. Besiana Çegrani fitoi në konservatorin Franc List si studente. Rea Bisha që studion në Austri, Rea Shena në Boston që fitoi në pesë të parët në SHBA. Kemi dhe një vajzë që quhet Era Caushi, e cila në Londër fitoi bursë në Akademinë Mbretërore. Kemi shumë pianistë në në Greqi, kemi Klevis Gjergjin në Spanjë. Në Adam janë Xheni Kësulkuqi dhe Kleva Metolli. Egli Çurçiu është në Kanada. Erjon Tulina dhe Lorenc Xhuxhani janë në Itali. Në Zvicër janë Eni Dibra dhe Ermira Zyrakja.

Ju padyshim që jeni edhe vajza e të madhes Jogjia Truja. Kjo punë që bëni është një dedikim për të?
-Gjithmonë thuhet që të shkosh përpara duhet të njohësh mirë traditën që kuptosh se çfarë po bënë për vendin tënd. Shembulli i mamasë ka qenë i paarritshëm për mua. Unë bëj shumë pak nga ajo çfarë ka bërë ajo.

Por u mësove këtë lloj përkushtimi?
-Ajo kishte një përkushtim, aq sa mua duke parë dokumentacionin më dukej e pabesueshme. Puna që kishte bërë si mësuese 13 vjet, si pedagoge zëri në shkollën e mesme artistike 13 vjet të tjera, si soliste e TKOB-it ku debutoi Ruslankën rolin kryesor që ishte shumë i vështirë. Më pas humbi njërin vesh dhe ajo ishte edhe regjisorja e parë shqiptare. U përfshi në të tëra fushat e reja të muzikës një përkushtim që është e paarritshme për mua. Mbylle diktofonin të lutem se unë do ta lëvdojë nënën time...(E mbyll)

Po çfarë mendoni ju se duhet regjistruar nga puna e Jorgjie Trujës?
-Puna e palodhshme që ajo bëri. Puna e saj më jep forca, sepse ne më parë qemë të privuar nga bota dhe sot nuk jemi. Gjithë kjo lidhje me shkollat që janë sot, nuk ishin në kohën e nënës sime. Ajo e bëri me mund punën e saj, me sakrifica. Duke pasur parasysh këtë, unë e ndjej veten me energji të pafund për të bërë sa më shumë për brezin e ri. Ne kemi pranverën pianistike, ne vijojmë aktivitetet dhe do të kemi edhe takimin ndërkombëtar të pianistëve për kulturën. Duhet të them se EPTA mbështetjen kryesore e ka te shkolla artistike "Jordan Misja".
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Rrëzimi i helikopterit ku udhëtonte presidenti iranian, autoritetet identifikojnë trupat e djegur

Rrëzimi i helikopterit ku udhëtonte presidenti iranian, autoritetet identifikojnë trupat e djegur