Ministri i Financave, Ervin Mete, ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Europiane, lidhur me hapat e ndërmarrë dhe procesin e aderimit të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro.
Në fjalën e tij, Ministri Mete bëri përmbledhje të zhvillimeve dhe hapave të ndjekur deri më tani për aderimin e vendit në SEPA, të cilat kanë qenë të shtrira edhe në një kontekst rajonal, aderim që përbën një masë të parashikuar në Planin e Rritjes të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Mete theksoi faktin se Shqipëria është në një fazë të avancuar, edhe krahasuar me rajonin, sa i përket përmbushjes së kritereve dhe rreth një muaj më parë, më 13 qershor, dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në SEPA.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Ministri tha se pritshmëritë janë që brenda këtij viti të merret një përgjigje në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në SEPA, në mënyrë që më tej vitin e ardhshëm të vijohet me implementimin e plotë të procesit.
“Aderimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të shumëfishta për Shqipërinë, për qytetarët, për bizneset dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi. Pagesat mes anëtarëve në SEPA janë po aq të thjeshta dhe të lira, sa janë edhe pagesat kombëtare. Në këtë mënyrë, me aderimin e vendit në SEPA, qytetarët dhe bizneset do të mund të kryejnë transferta dhe pagesa sikur të ishin qytetarë të vendeve të BE-së”, u shpreh Ministri i Financave.
Referuar të dhënave të Bankës Botërore, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë gjashtë herë më shumë se ekonomitë e vendeve të BE-së për të realizuar pagesa ndërkombëtare. Nga ana tjetër, bizneset dhe konsumatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor përballen me kohë të gjata përpunimi për dërgimin dhe marrjen e pagesave, të cilat mund të kthehen edhe në pengesa për investimet ndërkufitare. Me aderimin në SEPA, tha Ministri Mete, këto kosto dhe koha e përpunimit do të reduktohen ndjeshëm, duke lehtësuar kështu tregtinë me vendet evropiane.
Anëtarësimi në SEPA, vijoi Ministri Mete, do të lehtësojë dhe do të bëjë më pak të kushtueshme lëvizjen e fondeve nga vendet e BE-së në drejtim të Shqipërisë për qëllime investimi, jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta.
Nga ana tjetër, Ministri tha se përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane do të rrisë atraktivitetin tonë edhe si destinacion investimi dhe pritet të ketë kontribut të rëndësishëm edhe në sektorin e turizmit, duke i krijuar më shumë lehtësi turistëve evropianë, për pagesa më të shpejta dhe me kosto më të ulët, sikur të ishin në vendet e BE-së, apo në vendet e tyre të origjinës.
Ministri theksoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në SEPA sjell përfitime të rëndësishme ekonomike dhe është gjithashtu hapi i parë i integrimit de facto të rajonit në një element të rëndësishëm të tregut unik evropian.
Sa i përket përgatitjeve për aderimin në SEPA, Ministri informoi se ato janë shoqëruar me diskutime të vazhdueshme me institucionet e Bashkimit Europian dhe me vendet e rajonit në nivel ministrash të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore.
Ministri theksoi se në këtë proces ka luajtur një rol domethënës edhe Banka Botërore, e cila ka mbështetur dhe vijon të mbështesë me asistencë dhe ekspertizë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e aplikimit dhe plotësimit të kritereve ligjore për t’u bërë pjesë e SEPA-s.
Ministri Mete sqaroi se procesi i SEPA-s ndodh në një kuadër më të gjerë të Planit të Rritjes, i cili u prezantua nga Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2023, ndërsa në maj të këtij viti, pas miratimit, hyri në fuqi “Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, ku parashikohet kuadri i mbështetjes financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, me synim rritjen e konvergjencës socio-ekonomike mes rajonit dhe BE-së dhe përshpejtimin e ritmit të reformave.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)