Si çdo vit, mijëra njerëz janë mbledhur nëpër rrrugët e bulevardit kryesor të Los Angeles me veshjet e tyre karakteristike për festivalin e kostumeve të animuara që nis më 3 korrik dhe zgjat për katër ditë me radhë.

Këtë vit pritet që përmasat e eventit të zgjerohen duke arritur në përafërsisht 200,000 fansa dhe menaxheri drejtues shprehet se ata presin pjesëmarrësi të rinj këtë vit pasi në ekspozitat që kanë realizuar kohët e fundit ka patur një interes të rritur të vizitorëve dhe blerësve të kostumeve të tyre.

Ai shpjegon më tej se ky nuk është vetëm një event për të shitur produktet e tyre por një festival ku festohet dhe bashkohet sëbashku industria e argëtimi. Ata janë pjesë e Shoqërisë për Promovimin e Animimeve Japoneze dhe kanë shumë fansa ngado nëpër botë të cilët janë të apasionuar pas personazheve dhe historive që ata përfaqësojnë.

Një fanse e fiksuar pas karaktereve të animuara Japoneze nga Kalifornia shprehet se ato nuk janë aspak të ngjashme me animimet amerikane të cilat mund të jenë humoristike por nuk të japin asgjë më shumë dhe nuk të tërheqin për t’i parë më tej, krejt ndryshe nga ç’ndodh me animimet japoneze të cilat të ftojnë me historitë e tyre duke të përfshirë emocionalisht dhe psikologjikisht.

Një prej pjesëmarrësve, 17-vjeçari Jimmy, shprehet se i është dashur plot një muaj për të realizuar kostumin e tij pasi ishte shumë i entuziazmuar për marrjen pjesë për herë të parë në Anime Expo.

Ky aktivitet është më i madhi që bëhet në Amerikën e Veriut dhe ndër të tjera përfshin skena, koncerte, parada mode dhe festa kërcimi gjatë natës.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)