PRISHTINË, 26 Nëntor /ATSH/- Alternativa Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Kryetarja Edita Tahiri, vlerëson arritjen e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
"Kjo marrëveshje për bashkëqeverisje i dha vendit një zgjidhje për një qeveri të stabilitetit për të cilën jemi angazhuar prej fillimit si parti dhe si partnere e koalicionit fitues të udhëhequr nga PDK-ja. Po ashtu, i dha fund bllokadës disa mujore të formimit të institucioneve", thekson komunikata e dërguar.
ADK si parti e vlerave të liberal demokracisë dhe programit të saj për një qeverisje demokratike dhe efektive me vizion euro-atlantik, beson se koalicioni qeverisës mes PDK me partnerët e saj dhe LDK është një koalicion për qeverisje demokratike dhe legjitime, sepse shpreh besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të shprehur përmes votës së lirë në zgjedhjet e suksesshme parlamentare të qershorit të këtijë viti.
"Qeveria e kaluar e udhëhequr nga PDK dhe ku ADK ishte pjesë e qeverisjes ka arritur rezultate të mëdha për shtetin tonë të ri si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm, andaj dhe i fituam zgjedhjet nacionale. Qeveria e ardhshme e cila do të forcohet mëtej me përfshierjen e LDK-së në qeveri do të jetë një vazhdim i sukseseve tona" theksohet më tej, mes tjerash./b.j/k.s/









