Në një kohë kur protestat në Tiranë po shoqërohen me përplasje dhe akte dhune të paprecedenta, ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti Piro Vengu ka dalë me një mesazh për rivendosjen e rendit në rrugë, por edhe për vlerësimin e atyre që janë në shërbim të qytetarëve.
Përmes një postimi të shoqëruar me fotografinë e një kaske të kuqe zjarrfikësi, mbi të cilën bie në sy flamuri kuqezi, Vengu shkruan se vendit i duhen institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që përmbushin detyrën.
Vengu kërkon që mësuesit, ushtarakët, policët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore, duke argumentuar se rivendosja e rendit të vlerave dhe përgjegjësive është edhe kusht që dialogu demokratik të sjellë ndryshim.
Postimi i plotë i Piro Vengut:
“Një Komb është i pavarur për aq sa ka forcën të vendosë për fatin e vet dhe të mbrojë atë që ndërton. Kjo forcë kërkon institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që dinë, munden dhe guxojnë të përmbushin detyrën.
Ndaj duhet rivendosur rendi. Rendi në rrugë, por edhe rendi i vlerave dhe i përgjegjësive: çfarë çmojmë, kujt i besojmë dhe cilin zgjedhim të shpërblejmë. Kur vlerat dhe përgjegjësitë vendosen në rendin që u takon, dialogu demokratik mund të nisë dhe të sjellë ndryshim. Ky është edhe thelbi i rritjes së pagave dhe shpërblimeve për Policinë e Shtetit.
Arsimtarët, ushtarakët e policët, mjekët e infermierët dhe zjarrfikësit duhet të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore. Për përgjegjësinë që mbajnë dhe për shembullin që një shoqëri zgjedh t’u japë fëmijëve të saj.
Kujdestarët e brezave dhe të parakushteve për një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të jenë në krye: në vlerësim, në shembull dhe në shpërblim”.
Lajmi kryesor:
'Të miturit përgjigjen penalisht që në moshën 14 vjeç', Ministria e Brendshme paralajmëron të rinjtë në protesta: Largohuni nga dhuna! (VIDEO)










