Kompania Adria  Ferries, me qendër në Ankona të Italisë, që operon që nga viti 2004 me portin e Durrësit, ka rinovuar flotën e saj të lundrimit me një traget të ri, prodhim i viteve të fundit. Trageti i ri" Michela" do të lundrojë në linjën Durrës-Ankona dhe anasjelltas tre herë në jave, dhe për herë te parë pas shume viteve rihapet edhe një linjë mes Durrësit dhe Trieste.

Trageti është më i shpejti që ka operuar deri tani me linjat e transportit detar nga Shqipëri drejtë Italisë. Sipas specialistëve dhe kapiteneris së linjës, trageti “Michela” do të përshkojë rrugën detare 6 orë më shpejt se në të kaluarën, duke nisur nga Durres ne ora 17:00 dhe duke arritur ne Ankona në 7 të mëngjesit.

 Në aktivitetin promovues që është zhvilluar në bordin e tragetit, kanë marrë pjesë përfaqësues të kompanisë italiane, drejtues të institucioneve në Durrës si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.  Pronari i Adria Ferries, Alberto Rossi qe punon me Shqipëri qe nga viti 1991, u shpreh se trageti që tashmë ka filluar lundrimin është i kushteve bashkëkohore duke ofruar jo vetëm shpejtësi me të madhe po edhe kushte akomodimi me te mira.

"Vijmë në Shqipëri prej shumë vitesh , kemi blerë anijen e parë në 2004. Kjo është anija  e pestë që kemi hedhur për lundrim. Është një anije me karakteristika të veçanta. Është anija më moderne që ka lundruar ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kjo anije lidh tre herë në javë Durrësin me Ankonën dhe një herë në javë me Triesten. Është  një ndryshim po kaq edhe me në sistemin e transporteve dhe shpresojmë që pasagjerët dhe klientët tanë transportues të gjejnë përgjigjen e duhur për nevojat e tyre.", tha Pronari i Adria Ferries, Rossi.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako theksoi se ky traget do të sjell lehtësi dhe kushte më të mira për lëvizjen e udhëtarëve.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë Alberto Cutillo i cili u shpreh se ky është një rast për të festuar dhe me këtë ne tregojmë se Italia beson tek Shqipëria dhe potencialet e saj.

"Mendoj se është një rast për të festuar dhe vlerësuar pozitivisht një sërë faktorësh. Në radhë të parë dua të nënvizoj se kjo anije kaq e re dhe e madhe, e bukur dhe kaq e shpejtë, është një investim i rëndësishëm që bën një kompania Italia sepse beson tek Shqipëria, beson në potencialet e raporteve ekonomike mes dy vendeve, raporte që janë të forta, por që shpresojmë të kenë impulse të reja. Ky është një investim nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejtë qytetarët dhe kompanitë që transportojnë mallrat e tyre.", u shpreh Cutillo .

 Ministri i Infarstrukturës dhe Turizmit Blendi Klosi  tha se investimet në fushën e transporteve ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit.

Do të doja të ndalesha në dy momente. E para e vendosjes së një lidhje më të shpejtë tashmë me Italinë e veriut dhe kështu pra me Evropën Qendrore, për të pasur mundësi të shikojmë  me shumë probabilitet ardhjen e turizmit më elitarë dhe ardhjen e turizmit që nuk shkon vetëm në gjatë sezonit turistik. Por të kemi mundësi që  me kushte të tilla, të krijuara, të krijojmë mundësi të rritjes së kapacitetit të vendit tonë edhe jashtë sezonit për të marrë më shumë turistë.”, thotë Klosi.

Trageti “Michela” ka kapacitet prej 1000 pasagjerësh, ndërkohë që në bordin e tij mund të vendosen deri në 150 kamionë ndërsa shpejtësia e lëvizjes lejon një udhëtimi prej 6 ore me pake deri ne Ankona. Trageti Michella shënon vërtete një faqe të re në transportin detar shqiptar.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com