Adriatik Alimadhi: Berisha s'na
do, ndëshkoi Ballin Kombëta

Adriatik Alimadhi: Berisha s'na<br />do, ndëshkoi Ballin Kombëta
TIRANE - Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” kryetari i PBK Adriatik Alimadhi shpjegon se pse PD nuk e futi në listat e saj, votën kundër Islamit dhe pse qëndron në koalicion me Berishën.
 
Zoti Alimadhi! Ndryshe nga krerët e partive të tjera aleate të djathtë ju nuk jeni në listën e kandidatëve të PD. Arësyet?
Kjo pyetje mund t’i drejtohet PD përse bëri këtë diferencim. Në mendimin tim dua të jem shumë i sinqertë. Kryesia vendosi t’i kërkojë PD trajtimin në mënyrë të barabartë me të gjithë aleatët e tjerë, por njëkohësisht sigurinë e PBK në listat e saj. Ajo nuk na dha një përgjigje zyrtare. Dua të shtoj se ne e nximë një faqe që e kërkuam ajo i nxiu të dyja faqet që s’vendosi me pjekuri atë që ne kërkuam. Më konkretisht.

Më 2005 pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu më dërgoi ftesë zyrtare për të bashkëpunuar me LZHK, kryesia e PBK vendosi të bashkëpunojë me PD. Më 2007 bëmë të njëjtin shërbim, më 2009 kur Nard Ndoka e Dashamir Shehi më kërkuan të bashkëpunonim me Polin e Lirisë, sërish kryesia e PBK që vendosi të bashkëpunonte po me PD. Kemi pasur sërish ftesë më 2011 por vendosëm për të bashkëpunuar me PD dhe ketu më duhet të them se i kemi dhënë mbi 1300 vota z.Lulëzim Basha.
 
Atëherë pse...?
Ka shumë skenarë politikë që personalisht jam duke i menduar me shumë kujdes dhe maturi politike, por një gjë duhet të them, se kur vjen koha të flitet për PBK qëndrojnë e mendojnë mbrapsht ose me veprime ndëshkimi siç bëri në këtë rast PD ndaj PBK. Janë 8 vite investim dhe 4 vite të tjera i thonë 12 vite shërbim për Shqipërinë e shqiptarët dhe bashkëpunimi me PD, ajo e them me sinqeritet nuk e do Ballin Kombëtar. Kush janë arsyet e dinë ata.

Por ajo që më duhet të bëj tani është t’ju bëj thirrje të gjithë ballistëve në Shqipëri e s’mendoj se do jetë keq, ju bej thirrje të votojnë PBK Nr.57 e asnjë parti tjetër. Pasi s’ka ballista në Shqipëri të votojnë me për Kastriot Islamin dhe të mos votojnë për partinë e të parëve të tyre. S’mund ta shpjegoj që, për të gjithë këtë investim që ka dhënë Balli Kombëtar, për vrasjet, pushkatimet, internimet, përbaltjen e gjithçka tjetër për një Shqipëri pa komunizëm, pa diktaturë, një Shqipëri të bashkuar e ndodh ky diferencim. Prandaj besoj që i takonte para të gjithëve atyre çapaçulave që u vendosën në listat e PD.
 
Keni bërë thirrje që të votohet PBK e jo për PD e Kaç Islamit. Një thirrje e tillë ka ardhur për shkak se Islami dhe kandidatët e tjerë në PD, ish-deputetë të PS kanë zënë vendin tuaj apo ka arësye tjetër….?
S’kanë lindur e nuk do lindin individë që t’i zënë vendin Ballit Kombëtar. Më duhet të them se askush nuk e besonte alternativën e Ballit Kombëtar, por çfarë ka thënë PBK po realizohet sot në politikën shqiptare e për këtë ndihem mirë. Madje shumë mirë dhe me veprimin që bëri PD. Kam bërë thirrje, përderisa nuk e zgjidhi me mënçuri PD, mendoj se s’ka më ballista në Shqipëri të votojnë që të marrë mandat deputeti Kastriot Islami, por votat e tyre duhet të shkojnë vetëm dhe vetëm për PBK dhe ne të përfaqësohemi në Parlament, sepse koha na dha të drejtë.
 
Jeni një nga partitë më të vjetra nacionaliste në vend. Sa e mendoni mbështetjen më 23 qershor, e përkthyer në mandate …?
Është e vërtetë që jemi e vetmja parti nacionaliste në Shqipëri dhe e ngritur mbi parime të drejta. Mbështetja elektorale, jam i sigurtë që do të jetë shumë e mirë, ashtu edhe ka qënë në vazhdimësi nga ballistët, por ajo që më duhet të them është se historikisht votat e Ballit Kombëtar janë vjedhur dhe grabitur e për këtë kam prova dokumentare. Përkthyer në mandate do jetë surprizë e këtij Parlamenti, sfida jonë shërbimi i vetëm ndaj kombit, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
 
Me këtë kabinet qeveritar të përbërë nga ish-ministra të PS dhe ish-kundërshtarë të së djathtës ndër vite, me lista kandidatësh të mbushur me socialistë në partinë më të madhe të koalicionit, sa shanse ka e djathta për të marrë një mandat të tretë?
Shqipëria asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur një pjekuri politike më mirë se sa sot, qeveria shqiptare ka bërë shumë punë të mira, si psh. lobimi mbi njohjet e pavarësisë së Kosovës, renditja e Shqipërisë në NATO pranë vendeve më demokratike në botë, liberalizimi i vizave, investimet në infrastrukturë, unifikimi i abetares, historisë, etj. Çështja shqiptare është në proces pozitiv dhe prandaj shqiptarët të mos shikojnë interesat e ngushta. Këto procese duan vazhdim prandaj unë në emër të PBK i ftoj të votojnë më 23 qershor vazhdimesinë dhe jo kthimin mbrapa.
 
Me një KQZ të paplotësuar dhe me tension të tillë politik, mendoni se zgjedhjet janë që në fillim të kompromentuara?
Asnjëherë shqiptarët s’kanë shkuar të qetë e me mendje të kthjellët për të votuar, por të acaruar, punë tifozësh, gjaknxehtë e të shpejtuar, ne kërkojmë një veprim krejtësisht tjetër. Shqiptarët të kuptojnë kush janë të drejtët e jo të padrejtët, kush janë tradhëtarët dhe jotradhëtarët, kush janë patriotët e jopatriotët, kush është alternativa më e mirë për interesat e shqiptarëve. Personalisht mendoj se shqiptarët janë zgjuar tashmë. E vetmja lëvizje politike që ju ka thënë gjithmonë të drejtën e të vërtetën ka qënë dhe është Balli Kombëtar prandaj i ftoj të votojnë vetëm PBK, Nr.57 për kontibutin që kemi dhënë.

Shkrimi u botua sot në gazetë Shqiptarja.com (print) 06.06.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor