TIRANË- Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i dënuar nga GJKKO me 2 vite burg në mungesë, ka fituar statusin e azilantit politik në Itali. Lajmi është konfirmuar për mediat nga avokati tij mbrojtës Sokol Hazizaj. Marrja e statusit azilant politik shuan shpresat e SPAK për ekstradimin e tij nga Italia në Shqipëri. Llallës nuk do mund t’i vihen prangat dhe arrestimi i tij në Shqipëri do të mbetet vetëm në letër.

Llalla u arratis në Itali, para se të jepej urdhër i formës së prerë për arrestimin e tij dhe kërkoi azil politik me argumentin se dënimi ndaj tij ka qenë një iniciativë politike. Llalla u arrestua në dhjetor të vitit 2021 në Romë, por më pas për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane. Avokati i tij pati bërë kërkesë edhe në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit me 2 vite burg me argumentin se Llala vuan nga një sëmundje e pashërueshme, por kjo kërkesë nuk u pranua.

Kujtojmë se ish prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.

Në përfundim të gjykimit në shkallët e tjera është vendosur konfiskimi i pasurisë së tij, një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës.