Një ditë pas diskutimeve në komisionin e Ekonomisë ku një kompaninë turke është interesuar për ndërtimin e aeroportit të ri në Akerni të Vlorës, Report Tv ka shkuar në këtë fshat dhe ka takuar banorët e zonës. Ata shprehen mjaft entuziast, pasi ndërtimi i një aeroporti në zonën e tyre do të jetë një mundësi më shumë sa i përket punësimit dhe të ardhmes së tyre.

Gjatë ditës së martë qeveria shqiptare në komisionin e Ekonomisë ka kërkuar hapjen e bisedimeve me kompaninë turke e cila ka paraqitur interes për ndërtimin e një aeroporti në Akërni të Vlorës. Report tv ka shkuar në këtë fshat dhe ka biseduar me banorët e fshatit Akërni. Ata e konsiderojnë këtë investim si një mundësi të mirë dhe të rëndësishme për zhvillimin e zonës.

Në një gjatësi prej 4.5 km dhe gjerësi prej 1.5 km, pritet të nisë ndërtimi I kantierit. Optimizmi i banorëve shihet që në tani,  sipas tyre ky fshat ka qenë i harruar dhe gjysma e banorëve janë larguar në emigrim.

“Për sa i përket ndërtimit të aeroportit të Akërnisë do ti hapi dritën jeshile ekonomisë, sepse do ti japi një zhvillim të madh fshatit,” tha një banorë i Akërnisë.

“Ky fshat atë do aeroportin të punësohen njerëzit, ja atë duam ne, asnjë gjë tjetër nuk duam përveçse të punësohemi, madje duhet të ishte bërë,” tregoi një i moshuar.

“Ky aeroport nuk bëhet vetëm për fshatin Akërnisë por për të gjithë rajonin përreth. Të bëhet sepse do jetë një fitim për brezin e ri,” deklaroi një tjetër banorë.

“Kjo nuk bëhet vetëm për ne por për të gjithë jugun duke filluar nga Berati, Skrapari, Gjirokastra dhe Saranda e me radhë. Për neve do jetë një ëndërr e madhe sikur të bëhet vërtetë," shpjegoi një banorë që e quajti ëndërr ndërtimin e aeroportit.

Por një pjesë e tyre shprehen se zhurmat që do të krijohen nga avionët të cilët do të operojnë në çdo orë mundë të shkaktojnë problem për ta.

“Është folur shumë por nuk është bërë asgjë deri tani, këtë radhë kemi shumë shpresa,” u shpreh një banorë i Akërnisë.

Pista ku do të ndërtohet ky aeroport është përdorur që nga viti 1957 deri në vitet 90 nga ushtria, dhe shpesh herë , po sipas banorëve , kanë qenë kursantët e shkollës së aviacionit të cilët stërviteshin në këtë pistë me avionët luftarakë. Kjo pistë ku stërviteshin kursantët për pilot, ka qenë pistë natyrale jo e shtruar me beton.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com