Më pas, Ministri i Financave dhe ai i Infrastrukturës, do të kenë 3 muaj afat që të lidhin kontratë me kompanitë turke dhe më pas do t’i përcjellin për miratim Këshillit të Ministrave marrëveshjen, që më pas do t’ia kalojë për miratim Kuvendit.
PD dhe LSI kishin votuar kundër nisjes së negociatave për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Gjithashtu edhe presidenti Meta nuk e kishte dekretuar ligjin, por duke qenë se Kreu i Shtetit nuk e kishte kthyer mbrapsht në Kuvend, me skadimin e afateve ligjore, ligji është konsideruar i miratuar dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ligji i publikuar sot në Fletoren Zyrtare pa firmën e Ilir Metës
Procedura e negocimit të ligjit
Procedura e negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga komisioni i negocimit të kontratës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili kryesohet nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij ka anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme, i cili fillon negociatat brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” propozimin e paraqitur prej tyre dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave.
Komisioni i negocimit të kontratës mund të asistohet nga një konsulent, i përzgjedhur sipas një procedure të veçantë, të përshpejtuar, që miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Projektkontrata, e shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati prej 90 ditësh nga data e nisjes së negociatave, i dërgohet për nënshkrim Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Nënshkrimi i kontratës
Nënshkrimi i kontratës nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh nga data e marrjes së projektkontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë mund t’i kërkojnë komisionit të negocimit të kontratës rishikimin e projektkontratës. Ky komision duhet të rinegociojë dhe t’ua paraqesë për nënshkrim ministrave projektkontratën, të shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga data e kthimit.
Miratimi i kontratës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë dërgojnë për miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin e hartuar nga komisioni i negocimit të kontratës, brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të saj.
Kontrata miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Data e hyrjes në fuqi e kontratës do të jetë data e hyrjes në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pamje nga projekti i aeroportit të Vlorës
Ligjet e shpallura sot në Fletoren Zyrtare
s.k/Shqiptarja.com