Avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta kanë vijuar me bërjen publike të detajeve nga dosja hetimore e SPAK lidhur me çështjen CEZ-DIA, çështje për të cilën Meta akuzohet se ka përfituar shuma të mëdha parash.
Kësaj radhe, avokatët i janë referuar dëshmisë të Jozef Hejsek përfaqësues i CEZ në Shqipëri. Kujtim Çakrani thotë se në asnjë rresht të deklaratave të dhëna prej tyre, nuk përmendet emri i Ilir Metës. Ndër të tjera, Çakrani akuzon prokurorët e SPAK për manipulim të provave dhe tjetërsim të dëshmive, pasi referimit të Hejsek të Ministrisë së Ekonomisë, Transportit dhe Energjisë si METE, ata e kanë interpretuar si Meta, pra për Ilir Metën.
“Kështu që përzgjedhja e DIA ka qenë gjithmonë transparente. Përzgjedhja e DIA-s, pra përzgjedhja që kanë bërë ÇEZ-i me DIA-n ka qenë gjithmonë transparente, thotë Jozef Hejsek. Me të gjithë të dhënat e njohura për Ministrinë e Ekonomisë, Transportit dhe Energjetikës së kohës dhe është cituar këtu Mete.
Po këtu ka një problem, sepse duke qenë se Prokuroria e shkallës së parë, pra prokurori që e ka pyetur zotin Hejsek, nuk e ka cituar Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës e kështu me radhë, po e ka cituar shkurt Mete.
Dhe prokurorët, sa nga padijenia, sa nga keqdashësia ose nga diabolizmi që ata që kanë, e kanë cilësuar që kontrata është lidhur nga Mete, pra nga Meta. Pra, kanë cituar sikur kontratën e ka lidhur vetë zoti Meta, që kjo tashmë nuk është, nuk është e vërtetë”, tha Çakrani.
Ndër të tjera, mbrojtja e Metës thotë se ministri i Ekonomisë së kohës, Dritan Prifti ka mashtruar me dëshmitë e dhëna në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2015 me qëllim implikimin e Ilir Metës në çështje.
“Në zyrë i ka ardhur shtetasi Josef Hejsek, i cili i ka thënë se e kishte Në muajin Korrik 2010 në kohën që thirrur dy herë Ilir Meta në zyrë dhe i ka kërkuar që të firmosë dhe lidhë kontratën me Kastriot Ismailaj (DIA) për mbledhjen e borxheve të CEZ, duke i thënë Josef Hejsekut se Kastrioti ishte person serioz dhe me mbështetjen e Ilir Metës ai do të arrinte të mblidhte borxhet e CEZ Josef Hejsek i ka kërkuar Dritan Priftit se çfarë mendonte ai për këtë, pasi për kontratën duhej miratimi i saj nga Këshilli Mbikqyrës, dhe kompania mëmë dmth CEZ Praga. Dritan Prifti i ka thënë Josef Hejsek, se po të ishte ai nuk kryente punë me Kastriot Ismailaj por ai mund të vendoste vetë. Dritan Prifti ka mesuar se ishte firmosur kontrata dhe sipas tij ishte bërë sekret dhe ai apo ministria qe ai drejtonte nuk kishte patur dijeni. Ai deklaroi se këtë gjë e ka mësuar shumë kohë më pas ketij takimi”, është dëshmia e Priftit që citoi Çakrani.
Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontrata lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Dosja ndaj tij dhe ish bashkëshortes Kryemadhi, tashmë është kaluar në gjykim në themel dhe pritet hedhja e shortit.
__________________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










