Edhe Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Ish-zyrtari kishte bërë ankimim ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme më datë 24 tetor, pasi pretendonte se i ka kaluar afati 3-vjeçar i paraburgimit për inceneratorin e Fierit. 

Inceneratori i Fierit është pengesa e fundit për ish-zyrtarin që të dalë nga qelia. Në korrik të këtij viti, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar. 

Për inceneratorin e Fierit, Koka është dënuar në shkallë të parë me 6.8 vite, ndërsa për të Tiranës u dënua me dy vite. Për Tiranën, mori shuarje të masës së sigurisë arrest në burg pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgim. 

Për inceneratorin e Fierit, ish-ministri Koka pretendon se e ka ezauruar dënimin, me kohën e qëndrimit në paraburgim, referuar nenit 261 te kodit te procedurës penale pika 1/C, qe parashikon shuarjen e masës se sigurisë. 

Por, sipas burimeve, gjyqtarët nuk e kanë liruar nga qelia  me argumentin se nuk është përmbushur afati 3-vjeçar i paraburgimit pasi kanë llogaritur edhe afatet e pezullimit të paraburgimit. Në seancën e sotme, mbrojtja e ish-ministrit Koka nuk është paraqitur, por është zhvilluar me avokat të caktuar kryesisht. 

Ish ministri Koka ndodhet i arrestuar prej dhjetorit 2021. Për rastin e Fierit, Koka u gjet fajtor për tre akuzat e ngritura ndaj tij, shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit. 

Njoftimi i Gjykates: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit” dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025.