TIRANË- Kreu i PD, Sali Berisha edhe këtë hënë vijoi me sulmet për Altin Dumanin, para derës së SPAK, ku u paraqit për të zbatuar masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. Para gazetarëve, Berisha zbuloi edhe mesazhin që la për Dumanin të cilin e quan avokat të Irena Gjokës dhe armik të pluralizmit.

“Për Pojën e Spakut, Altin Troplini, armikut të egër të pluralizmit politik, gjobëvënësit ordiner të SKAP-it të partisë, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral, avokatit mjeran të Irena Gjokës me 5 mbiemra. Ligji do të thotë fjalën e tij. Sali Berisha”, tha Berisha duke lexuar mesazhin që i la Dumanit. 

Berisha ‘shfrenoi’ imagjinatën duke deklaruar se brenda në SPAK gjeti Visin e Pojës, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe Italia për trafik droge.

“Aty ishte Poja, kishte Elvis Doçin në zyrë. Ai është në kërkim, por ata aty po jepnin fitimin e ngarkesave të fundit. Por kishte aty edhe Kreshnik Farrukun, dy të fundit, të cilët i detyrohen Troplinit lirinë ku janë dhe fshehjen e mandat-arresteve. Ju e morët vesh që operacioni i fundit kishte në epiqendër përsëri Troplinin, Elvis Doçin. Pra, ka 4 vite që në portin kryesor të vendit, që administrohet nga Troplinët, nuk kapet asnjë kg kokainë, ndërkohë që nga ky port nisin drejt Italisë dhe vendeve të tjera tonelata dhe tonelata", vijoi Berisha. 

Kreu i PD vijoi edhe sulmet ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke e quajtur delikuente. Sipas tij, Dumani po e mbron Gjokën me qëllim që vepra penale t’i parashkruhet, duke përsëritur edhe njëherë akuzat se gjyqtarja e hetimit paraprak të aferës Partizani ka fshehur një dënim në Greqi.

“E merr hetimin paraprak për ta nxjerrë drejt afateve të parashkrimit. Sepse duke e shtyrë, vepra parashkruhet. Ky është problemi. Ky e merr në mënyrë që vepra e saj të parashkruhet. Ka paguar gjysmë milionë euro kjo Gjoka me shumë mbiemra apo e ka urdhëruar Edi Rama, këtë nuk mund ta them, por një njeri që ka minimumin e dinjitetit njerëzor, nuk e bën kurrë këtë. Sepse aty nuk ka asgjë për hetim, aty janë dokumentet me vulë apostile, asaj i ndërpritet mandati dhe dërgohet për ndjekje penale se ka mashtruar, ka falsifikuar. Kjo është shumë e thjeshtë”, tha Berisha.

Pavarësisht lumit të akuzave që hodhi ndaj SPAK, të cilën e quan edhe organizatë kriminale, Berisha ‘shpreson’ se drejtuesi i ri nuk do të jetë i kapur nga krimi.

“Uroj të jetë i pahapur nga krimi, siç ishte Altin Troplini. Absolutisht unë mbështes çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues, çdo polic dhe cilindo që zbaton ligjin. Unë jam njeri i ligjit. Besimi im politik është Kushtetuta dhe ligji”, tha Berisha.

Ish-kryeministri, i akuzuar për korrupsion, është në gjykim për këtë dosjen e aferës Partizani së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina. Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, ku Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë. Sipas SPAK, Berisha, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:10
Sali Berisha: Meta mund të dijë më shumë se unë për 21 Janarin

 

Sali Berisha u pyet në lidhje me kërkesën e presidentit të PL-së, Ilir Meta për t’u pyetur si person në dijeni për krimin shtetëror të 21 Janarit. Berisha tha se Ilir Meta mund të dije gjëra më shumë se ai, ndërsa artikuloi sërish të njëjtat akuza se audiopërgjimi i Metës me Dritan Priftin u manipulua nga Edi Rama. 

"Nuk kam dijeni se cilat gjëra di Meta, më shumë se ç’di unë. Mund të di, ajo ngjarje ka në bazë falsifikimin dhe aty fillon, manipulimin e një regjistrimi të ish-ministrit Prifti. Mendoi se do mund të më bënte presion, unë i thash sa të dalësh nga dera ime bëjë publike. Meta mund të ketë gjëra për të sqaruar më shumë se unë. E ka manipuluar Rama dhe Filip Çakulli. Nëse unë sulmoj sot Troplinin, sulmoj se kam vërtetuar lidhjet e tij me krimin", tha Berisha.