Ish-ministri i mbrojtjes, Gazmend Oketa në dëshminë në GJKKO mbrojti Sali Berishën dhe mohoi që ai të ketë ndërhyrë për çështjen e Partizanit. Ndryshe nga sa thuhet në dosjen e SPAK se Oketa i kërkoi gjeneral Qirjazit të firmosë me urgjencë privatizimin, pasi edhe atij ia kishin kwrkuar.

Pjesë nga dëshmia në GJKKO

Avokatja Gjyzari: Stefan Tane është caktuar në shtator 2007. Ju ishit ministër?

Gazmend Oketa: Jo.

Avokatja Gjyzari: Çfarë është Komanda Mbështetëse?

Gazmend Oketa: Është një strukturë që, sipas kujtesës sime, ushtron funksionin e administrimit të një pjese të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, si Spitali Ushtarak, shtëpitë ushtarake të pushimit.

Avokatja Gjyzari: Klubi i futbollit, kur kaloi në Ministrinë e Mbrojtjes, në pronësi të kujt ka qenë?

Gazmend Oketa: Të Ministrisë së Ekonomisë.

Avokatja Gjyzari: Jeni në dijeni se cili subjekt është ngarkuar me regjistrimin e kësaj pasurie të paluajtshme?

Gazmend Oketa: Mendoj se i njëjti sektor që ka të bëjë me regjistrimin e pronave, që besoj është Komanda Mbështetëse.

Avokatja Gjyzari: Kur Komanda Mbështetëse ju njoftoi se nuk e kishte mbështetur, keni ndërmarrë veprim tjetër?

Gazmend Oketa: U kam thënë të ndiqnin praktikën e regjistrimit.

Avokatja Gjyzari: Qirjazi ka shkruar se nuk u paraqit pala që duhej ta dorëzonte. Çfarë donte të thoshte Qirjazi?

Gazmend Oketa: Nuk më kujtohet shkresa.

Avokatja Gjyzari: Sipas legjislacionit, kur paguhet çmimi nga pronari, kishte ndonjë afat?

Gazmend Oketa: E kam konsideruar se kur një pronar paguan faturën, pjesa tjetër është çështje teknikalitetesh.

Avokatja Gjyzari: VKM-ja ka afatin 45 ditë për dorëzim.

Avokatja Gjyzari: Me çfarë cilësie erdhi Xhani?

Gazmend Oketa: Në cilësinë e presidentit të Klubit Partizani.

Avokatja Gjyzari: I përdorte ai objektet?

Gazmend Oketa: Me sa më kujtohet, po.

Avokatja Gjyzari: Ka ndërmarrë Qirjazi ndonjë veprim me Policinë Ushtarake për t’i marrë në dorëzim ato prona?

Gazmend Oketa: Nuk më kujtohet.

Avokatja Gjyzari: Ju e emëruat apo e gjetët ju Qirjazin?

Gazmend Oketa: Në mos gaboj, e kam propozuar dhe e kam emëruar. Kur u largova unë, ishte në të njëjtën detyrë.

Avokatja Gjyzari: Ka pasur procedura të tjera privatizimi?

Gazmend Oketa: Po.

Avokatja Gjyzari: Kishte prona të tjera të pushtuara?

Gazmend Oketa: S'e di. Nuk ikja nga zyra pa verifikuar të gjitha praktikat. Nuk di nëse kanë qenë të pushtuara ose jo, por s'ka qenë çudi të ketë pasur prona të tjera të pushtuara. Di që ka pasur raste që vinin informacione nga ushtarakë apo civilë, kështu që nuk e përjashtoj mundësinë.

Avokatja Gjyzari: Në lidhje me mënyrën e caktimit të Komandës Mbështetëse për dorëzimin e pronës. Komanda Mbështetëse ishte subjekti i ngarkuar me përdorimin e këtyre pronave?

Gazmend Oketa: Është një praktikë. Pronarët kanë dorëzuar kërkesën, është vijuar me praktikën, është gjetur e drejtë. Nuk e zgjodhi ministri Komandën Mbështetëse, e gjeti praktika e punës.

Avokatja Gjyzari: Për çfarë keni komunikuar me Berishën? Akuza ndaj Berishës ka qenë se ka vendosur në funksion të dhëndrit administratën e tij dhe të Bashkisë. A keni pasur komunikim me Berishën?

Gazmend Oketa: Asnjë komunikim derisa praktika të mbyllej. Nuk ka pasur asnjë ndikim. Berisha, edhe për çështjen më banale, ngrinte në këmbë antikorrupsionin. Nuk ka pasur asnjë diferencim për këtë çështje.

Gjykata: Thatë se patët takim. Si ka qenë komunikimi me Berishën?

Gazmend Oketa: Nuk di të them nëse më është kërkuar informacion me apo pa shkrim. Unë, si ministër, kam folur me urdhër dhe e kam kryer detyrën time si ministër.

Avokatja Gjyzari: Ligji për kthimin e pronave përcakton se... Ju thatë se këto objekte ishin pa rëndësi për Ministrinë e Mbrojtjes. Këto objekte mund të privatizoheshin?

Gazmend Oketa: Nuk ka qenë prioritet. Më vjen mirë që kritikohem për sportet dhe jo për të tjera. Ne kishim prioritet NATO-n dhe Kosovën e shpallur të pavarur. Kjo çështje ishte shumë periferike.

Avokatja Gjyzari: Parashikohet në ligj e drejta e kundërshtimit të privatizimit nga Ministria e Mbrojtjes dhe Komanda Mbështetëse?

Gazmend Oketa: Nuk di të ketë pasur.

Klodian Skënderi: Plani i përhapjes, çfarë ka qenë?

Gazmend Oketa: Një nga dokumentet e para që më është vënë në dispozicion ka qenë një draft i planit të përhapjes, i përgatitur nga administrata me mbështetjen e SHBA-së. Ju them me siguri se në draftin final kemi gjykuar që ato prona që vlerësonim t’i mbeteshin planit të përhapjes, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte këshilltar i Presidentit për çështjet e sigurisë.

Plani i përhapjes, Ministria e Mbrojtjes mund të nxjerrë prona nga plani i përhapjes, por ka mundësi edhe të marrë prona, t’i blejë e t’i investojë.

Klodian Skënderi: Referuar se keni urdhëruar Komandën Mbështetëse për regjistrimin e objekteve të Sport Klub Partizanit, si jeni vënë në lëvizje për urdhrin?

Gazmend Oketa: Gjykoj se praktika ka qenë njëlloj si për rastet e tjera. Kur është paraqitur kërkesa, është ndjekur e njëjta praktikë. Nuk ka ardhur nga aktorë apo faktorë jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, të paktën tek unë nuk ka pasur asnjë ndikim.

Klodian Skënderi: Te terreni i Klubit Partizani, thatë se një shoqëri kryente aktivitet privat. Me çfarë tagri operonte?

Gazmend Oketa: S’e di.

Klodian Skënderi: Kishit informacion se ambientet ishin zënë forcërisht?

Gazmend Oketa: Jo. Të them të drejtën, e kam mësuar shumë vonë ku gjendej.

Dua të respektoj aktet e Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk dua të hedh hije dyshimi mbi askënd, përderisa dokumentet janë aty.

Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni se ka pasur një shkresë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, e shtatorit 2006, e firmosur nga gjenerali Pëllumb Qazimi për Klubin Partizani?

Gazmend Oketa: S’e di.

Jamarbër Malltezi: A mund të ketë qenë kjo shkresë që e detyronte Komandën Mbështetëse ta regjistronte?

Gazmend Oketa: Logjika të çon se po.

Jamarbër Malltezi: Urdhri juaj ka dalë brenda ditës?

Gazmend Oketa: Besoj se jo.

Jamarbër Malltezi: A mund të ketë ardhur kërkesa para një muaji?

Gazmend Oketa: Besoj se po, varet nga praktika.

Jamarbër Malltezi: A është e shpejtë që kërkesa të presë një muaj?

Gazmend Oketa: Lidhur me shkresën, firma është e imja.

Jamarbër Malltezi: A ka shërbyer kjo shkresë si bazë për nxjerrjen e urdhrit?

Gazmend Oketa: Nuk e di nëse është ajo shkresa që ka filluar kjo histori. Atë shënim mund ta gjeni në shumë shkresa. Nuk e di nëse ka filluar me kërkesën e pronarëve apo me diçka tjetër.

Jamarbër Malltezi: Urdhri një muaj pas shkresës, tregon se ka pasur ndërhyrje apo urgjencë?

Gazmend Oketa: Nuk kam pasur ndonjë trysni deri në momentin e kthimit të pronës, kur pronarët paguan vlerën.

Jamarbër Malltezi: A ka qenë e detyruar ta bënte Komanda Mbështetëse apo ndonjë strukturë tjetër?

Gazmend Oketa: Mendoj se, përderisa e ka firmosur, i takonte.

Jamarbër Malltezi: Nëse sot nuk do të ishte bërë kthimi i pronës, sot pronarët do të kishin...?

Gazmend Oketa: Nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt, përderisa përdorej për aktivitet sportiv.

Jamarbër Malltezi: A ju ka kërkuar misioni amerikan heqjen e pronave të tepërta, në përgjithësi?

Gazmend Oketa: Ata ishin këshilltarë dhe zyrë asistence.

Jamarbër Malltezi: Jeni në dijeni se përcaktimin e sipërfaqeve e jepte Bashkia?

Gazmend Oketa: Jo.

Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni se Edi Rama ka firmosur vendimin e KRRT-së të vitit 2008 dhe gjithë atë zonë e ka nxjerrë për zhvillim ndërtimi?

Gazmend Oketa: Jo, s’e di.

Jamarbër Malltezi: Ligji thotë se kur trualli nuk përdoret për destinacionin, i kthehet pronarit?

Gazmend Oketa: Kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe jo i Ekonomisë.


Lajmi kryesor:

Afera Partizani/ Ish-ministri i Mbrojtjes Oketa mbron Berishën dhe mohon presionet! Gjenerali Qirjazi e akuzon se e kërcënoi në zyrë: Firmose me urgjencë privatizimin se ma kërkojnë (VIDEO)