Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e bërë nga përfaqësues të medias për lejimin e kamerave dhe transmetimin “live” të shqyrtimit gjyqësor të dosjes “Partizani”.
Sipas GJKKO-së, prania e kamerave mund të ndikojë në ecurinë e procesit, pasi ka një numër të lartë dëshmitarësh dhe transmetimi i drejtpërdrejt mund të ndikojë në dëshmitë e tyre dhe ta kthejë çështjen në debat publik.
Në seancën e kësaj të hëne ka përfunduar parashtrimet avokati i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi. Në seancën e ardhshme në datën 9 shkurt pritet të ketë parashtrime vetë Malltezi.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente












