Afganët ose bukë e kripë e zemër

Afganët ose bukë e kripë e zemër

Momenti i mbërritjes së afganëve në Shqipëri

Afganët që po vijnë në Shqipëri nuk janë problemi, ata janë pasoja e problemit, ata nuk janë të rrezikshëm, ata po largohen nga rreziku.

Kam ndjekur me kujdes këto kohë gati çdo lajm, informacion, analizë, prononcim dhe sondazh që ka të bëjë me traumën afgane dhe me trishtim kam konstatuar që ka dhe shqiptarë cinikë ose zemër gur do thoja që duan të prevalojnë mbi ata që “bukë e kripë e zemër” nuk ja kanë lënë harresës.

Emigrimin apokaliptik të afganëve do e krahasoja me atë të shqiptarëve mbas vdekjes së Skënderbeut ku arbëreshi Vincenzo Dorsa në 1847’ën e largët e shpjegon “si një nga emigrimet më të mëdha të shqiptarëve, si koha e shpërndarjes së bijëve më të mirë të Shqipërisë, ku ata shtegtuan për ti shpëtuar shkatërrimit duke ushqyer përherë shpresën se do e shikonin sërish atdheun dhe do mbyllnin sytë pranë eshtrave të etërve të tyre atje..”  Dorsa risjell në një shqipe profane vargjet e një kënge të lashtë për atë emigrim

Por tre kintmigl trimma

Jetin, caitin detin

Se t’mbaiyn besën.

Por sot ka syresh që kanë harruar nga vijmë dhe kush jemi, kanë harruar që gati çdo familje shqiptare ka një emigrant në rrethin e saj, kanë harruara që përpos 50-vjeçarit të shkuar ne jemi gjenetikisht një popull që luhatet mes emigrimit dhe vatanit.

Afganistani është më keq se duket, shumë më keq. Talebanët përpara se të jenë luftëtarë, mbrojtës të Kuranit dhe studentë (pasi etimologjia e fjalës talebanë domethënë student)  janë administruesit më të mëdhenj të heroinës dhe opiumit në botë, 90% të tregut botëror menaxhohet nga ata falë prodhimtarisë që sidomos nën “udhëheqjen” e tyre ka lulëzuar në Afganistan.

Pozicioni gjeografik i Afganistanit në udhëkryqin dhe në zemër të rrugës historike të mëndafshit dhe ku bashkohen interesat e botëve të ndryshme tashmë e ka shndërruar atë jo më siç thuhet në një vend ku perandoritë gjejnë varrin e tyre por anasjelltas, në varrin e vetes.

Panorama më e dhimbshme është ajo që shfaqet për gratë afgane ato të cilat kanë filluar të mbyllin në masë rrjetet sociale të veshin burka blu ndryshe sulmohen dhe ç’ka është më dramatike si ato por edhe ne simotrat e tyre e dimë që për pak kohë ato do shndërrohen thjesht në objekte. Nga ata që nën emrin e Zotit e vrasin atë nga pak çdo ditë, nën emrin e Zotit menaxhojnë heroinën në tregun ndërkombëtar, nën emrin e Zotit shkatërrojnë sitet arkeologjike pasuri të njerëzimit, nën emrin e Zotit botës dhe politikave të saj të dështuara i dhanë një dackë që do i djeg për shumë kohë.

Ironike duket sot shprehja e Marksit që feja është opium për popujt, në rastin e talebanëve do ish më mirë e kthyer përmbys.

Shqipëria e vogël sërish është në krahun e duhur zemra e saj e tejkalon mundësinë dhe takatin e saj, por ajo është siç ka qenë gjithmonë pavarësisht se shpesh ja kanë harruar me dashje kontributin, por pikërisht tek zemërgjerësia, vuajtja dhe sakrifica qëndron sekreti i mbijetesës dhe pushtetit të shqiptarëve në historinë e njerëzimit, pasi edhe zemërgjerësia është një formë pushteti, që pak e kanë natyrshëm nga thellësia e shekujve.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot