AFRIKË - Në shkretëtirën e Saharasë janë gjetur trupat e 87 të vdekurve. Ekipet e shpëtimit thonë se këta persona vdiqën nga etja pasi automjeti i tyre u prish ndërkohë që mundoheshin të kalonin Saharanë.

Mendohet se bëhet fjalë për punëtorë emigrantë dhe familjet e tyre. Njëri prej pjesëtarëve të ekipit të shpëtimit, Almoustapha Alhacen, tha se trupat ishin në gjendje dekompozimi dhe pjesërisht të ngrënë ndoshta nga çakejtë.

Gjithmonë sipas Alhacen, njëra prej automjeteve u prish pasi ishin nisur nga qyteti i Arlit-it në fund shtator apo fillim tetor. Ndërsa automjeti i dytë u prish kur po kthehej në Arlit për të marrë pjesët që nevojiteshin për të rregulluar automjetin e parë. 

10 persona nga grupi u nisën në këmbë dhe arritën në Arlit për të dhënë alarmin, por ishte tepër vonë. Trupat u gjetën rreth 10 kilometra nga kufiri algjerian. 48 prej të vdekurve ishin fëmijë dhe adoleshentë.


(v.gj/shqiptarja.com)