Aftësimi profesional, një nevojë emergjente për tregun e punës

Aftësimi profesional, një nevojë emergjente për tregun e punës
Hendeku mes shkollës dhe tregut të punës mund të zvogëlohet përmes rritjes së aftësive profesionale, zhvillimit të aftësive për jetën (soft skills) dhe një oferte me fokus nevojat e kompanive. Ky është mesazhi i aktiviteteve të Shkollës Verore 2019 zhvilluar nga Akademia “Aftësi për Punë”.

Arsimi dhe formimi profesional (AFP) në Shqipëri prej disa vitesh mbështetet fuqishëm nga qeveria dhe donatorë të huaj, me qëllimin për të ndërtuar një sistem sa më efikas. Duket se cilësia dhe imazhi i arsimit dhe formimit profesional ka përmirësim.

Aktorë të ndryshëm si sipërmarrës, drejtues shkollash profesionale, por dhe më gjerë, jo vetëm e promovojnë arsimin profesional, por dhe besojnë fort në mundësitë që krijon. Dritan Mezini është sipërmarrës në fushën e teknologjisë së informacionit. Etja për punonjës të kualifikuar e ka afruar me shkollat profesionale. Ai përfaqëson zërin e sektorit privat si kryetar bordi në shkollën profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë. Djali i tij ka nisur së fundmi studimet në një shkollë profesionale.

Edhe drejtori i shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, Bardh Dedgjonaj, ka regjistruar vajzën e tij në shkollën ku punon, ndërsa thekson se dhe shumë mësues po bëjnë të njëjtën zgjedhje. Një zgjedhje e tillë përpara disa vitesh as nuk mendohej.

Aktiviteti treditor, i cili mblodhi bashkë mbi 300 të ftuar (drejtues, mësues, instruktorë, staf administrativ i institucioneve ofruese të AFP-së në Shqipëri, përfaqësues nga kompani, institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse, komuniteti i prindërve, nxënësve dhe praktikantëve) vuri theksin mbi sfidat dhe identifikimin e zgjidhjeve dhe nismave konkrete për ta bërë ofertën, veçanërisht në sistemin e AFP-së, sa më të lidhur me tregun e punës.
“Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor në Shqipëri: Roli i Arsimit dhe Formimit Profesional”, ishte tema që projekti i qeverisë zvicerane “Aftësi për Punë” (S4J), i zbatuar nga Swisscontact, u rrek të trajtojë dhe të përpunojë në tre ditë energjike dhe ndërvepruese.

Gjatë Shkollës Verore 2019 u theksua se sistemet aktuale të arsimit janë të kushtëzuara në kohë, shpesh jo të përshtatura me kërkesat e tregjeve të punës. Fation Dragoshi, menaxher i projektit “Aftësi për Punë” tha gjatë hapjes së eventit se, “Distanca mes arsimit dhe tregjeve të punës duhet ngushtuar e mundësisht zhdukur. Si mund të kontribuojë arsimi për këtë?! Veçanërisht arsimi profesional, i cili në shumë vende, përfshirë Shqipërinë, konsiderohet një arsim i dorës së dytë. Ky hendek ka efekt të drejtpërdrejtë në punësimin e individëve, sidomos mes brezave të rinj si dhe për zhvillimin e kompanive që janë motori i zhvillimit ekonomik të shoqërive”. Sipas tij, nëse arsimi profesional dhe ai i lartë nuk janë të një cilësie të lartë, atëherë tranzicioni nga shkolla në punë cënohet. Për këtë arsye, shumë të rinj kthehen në të papunë afatgjatë, duke mos patur kështu mundësinë të krijojnë një eksperiencë profesionale me vlerë për të ardhmen.

Në diskutimin e hapjes, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se, arsimi profesional ka shënuar progres, por ka ende punë për të bërë. “Hendeku mes nevojës në tregun e punës dhe ofertës ngushtohet vetëm përmes komunikimit permanent dhe të strukturuar me biznesin, promovimit të Zyrave të Punës dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre për përmbushjen e nevojave për punonjës të kualifikuar”, tha Denaj.

Rastet e suksesit nuk mungojnë. Vitet e fundit në Shqipëri, disa shkolla profesionale kanë ndërtuar një marrëdhënie të konsoliduar me bizneset. Projekti “Aftësi për Punë”, i frymëzuar nga modeli zviceran i praktikave profesionale, ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë drejtim.

Tashmë bizneset jo vetëm mundësojnë praktika profesionale afatgjata për nxënësit, por janë angazhuar edhe në një dialog të strukturuar e të vazhduar me shkollat për të adresuar nevojat e tregut. Izmir Luli, shef kuzhine pranë restorant “Casablanca” në Shkodër, mentor i certifikuar, tha se “objektivi i praktikave profesionale duhet të jetë bashkëpunimi me nxënësit, për të mundësuar një formim të efektshëm të tyre gjatë ekspozimit me botën e punës”.

Bashkëpunimi i ngushtë me bizneset ka mundësuar gjithashtu edhe trajnime të stafit pedagogjik nga vetë bizneset, sipas kërkesave dhe standardeve të industrisë, si dhe asistencë në hartimin e kurrikulave dhe materialeve shkollore.

Patrik Meier, Zv. Ambasador i Zvicrës në Shqipëri, tha se, “çelësi i suksesit në Zvicër për arsimin profesional ka qenë sistemi dual, ku nxënësit marrin njohuri në shkollë dhe në biznes”. Prej vitit 1996 Zvicra ka investuar mbi 50 milionë euro në arsimin profesional në Shqipëri dhe kjo mbështetje pritet të vazhdojë.

Sipërmarrësi i “Agna Group”, Vasil Naçi, foli për ndjenjën e përkatësisë, e cila nënkupton lidhjen e fortë që punonjësi mund të krijojë me kompaninë. Ky është një hap i arritshëm sipas tij, përmes formimit të vazhdueshëm personal dhe profesional të punonjësve, të cilin e realizon përmes Akademisë së ngritur brenda grupit.

Ndërsa janë qindra kompani që po ofrojnë praktika profesionale, vetë sipërmarrësit po japin kontributin e tyre duke u bërë pjesë aktive e vendimmarrjes së këtyre institucioneve, përmes rolit të tyre si anëtarë të bordeve drejtuese.
 
 
 
Në eventin treditor, zhvillimi i aftësive për jetën u shfaq si një domosdoshmëri nga sipërmarrjet. Biznese individuale, por edhe studime kombëtare e ndërkombëtare, i nxjerrin këto aftësi si elementë thelbësor të performancës në punë.

Linda Rama, eksperte e zhvillimit të aftësive tha se, “në studimet disavjeçare ka dalë qartë se punëdhënësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës që i kanë të zhvilluara aftësitë e buta. Sipërmarrësit po shohin një mangësi më të madhe të aftësive personale, krahasuar me ato profesionale, ndaj ka një diskutim të madh kush do të jetë e ardhmja e formimit”.
 
 
Edhe vrojtimi i Shqipërisë në rang ndërkombëtar thekson pikërisht nevojën e formimit të vazhdueshëm të punonjësve. Roden Pajaj, drejtor i Shërbimeve të Konsulencës për Kapitalin Njerëzor dhe Drejtor i Burimeve Njerëzore në Deloitte për Shqipërinë dhe Kosovën thotë se, “njësoj si në të gjithë botën, Shqipëria nuk është imune nga zhvillimi teknologjik. Nga studimi ndërkombëtar, për Shqipërinë doli si nevojë: trajnimi i punonjësve, krijimi i një përvoje sa më të mirë për punonjësin dhe lidershipi, aftësia e tij në kushte të ndryshueshme tregu”.

Gjithëpërfshirja ishte gjithashtu një temë e rëndësishme e aktivitetit treditor. Mësuesit treguan interes të drejtpërdrejtë për këtë, duke kërkuar sugjerime dhe mbështetje konkrete.

Në Shkollën Verore, një temë e veçantë iu dedikua ofrimit të kualifikimit për nivelin 5. Ky kualifikim mundëson formimin e teknikëve të lartë, për të cilët kompanitë janë “të etura”. Fation Dragoshi tha se, “Rruga drejt universitetit ka kosto të lartë dhe shpesh nuk të garanton punësim të shpejtë, të sigurt dhe të lidhur me fushën e studimit. Kemi pasur një rritje të mesatares me 0.5 për regjistrimin në universitet. Kjo pritet të rrisë numrin e nxënësve që dalin nga shkollat e mesme dhe nuk arrijnë të ndjekin studimet e larta, duke e bërë të nevojshme një alternativë tjetër, siç do të ishte kualifikimi për nivelin 5”.

Nga statistikat, rezulton se pjesa më e madhe e atyre që janë punëkërkues afatgjatë, kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme dhe nuk kanë kualifikim të mëtejshëm. Kjo është edhe një mundësi, sipas Dragoshit, pasi tregu ka nevojë për teknikë të lartë dhe niveli 5 bën të mundur pikërisht këtë. Këto programe mund të ofrohen si nga sistemi universitar edhe ai i shkollave profesionale.
 
Objektivi i Shkollës Verore
Pavarësisht zhvillimeve pozitive, nuk ka ende garanci që oferta e AFP-së do të përshtatet në mënyrë konstante me nevojat dhe mundësitë që vërehen në tregun e punës. Përfaqësuesit e Swisscontact thonë se kjo është një sfidë që shkon përtej projektimit të një procesi mirë reformues.

Përafrimi i interesit dhe përpjekjeve të shumë palëve të interesuara kërkon qartësi në lidhje me interesin e ndërsjellë dhe rolin që duhet të luajë çdo palë e interesuar. Ekspertët dhe institucionet e angazhuara në arsimin dhe formimin profesional, po përpiqen të krijojnë një dialog të strukturuar në nivele të ndryshme. Shkolla Verore 2019 u përpoq të adresojë këtë nevojë.

Mesazhi i kësaj shkolle është se, reformat duhet të komunikohen për të siguruar një perceptim, pozicionim dhe angazhim të përbashkët nga palët e interesuara në të gjitha nivelet. Ekspozimi ndaj praktikave të mira dhe reflektimi mes të ngjashmëve në lidhje me mënyrën e aplikimit të tyre në realitete të ndryshme është një mënyrë e mirë për të nxitur transformimin e sistemit.

Në panelin përmbyllës të diskutimit u trajtua cilësia e AFP-së dhe ndikimi ndikimi që kjo ka në zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ky është një zinxhir vlerash që plotësohet me hallka po ashtu të rëndësishme të formimit, siç janë: zhvillimi personal e profesional, orientimi për karrierën dhe përdorimi i platformave digjitale për një komunikim më efektiv. Gjatë Shkollës Verore 2019, këto tema u trajtuan në sesione të veçanta, duke sjellë në “tavolinë” rëndësinë reale të tyre në zvogëlimin e hendekut shkollë-punë.

Shkolla Verore 2019 shënoi fillimin e një sërë përpjekjesh që do të ndërmerren nga Akademia 'Aftësi për Punë’ për të promovuar cilësinë dhe relevancën e sistemit të AFP-së, duke mundësuar bashkëpunimin gjithnjë e më të madh midis kompanive, ofruesve dhe politikë-bërësve.

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë