Agim Hushi, tenori masterclass në
Tiranë, u rrëfen përvojën liceistëve

Agim Hushi, tenori masterclass në<br />Tiranë, u rrëfen përvojën liceistëve
Tenori me famë botërore Agim Hushi është kthyer në Tiranë për të zhvilluar master klasse me nxënësit e kantos të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Hushi ka zhvilluar sot në qendrën TEN një bisedë të gjatë me talentet e kantos. Mesazhi që iu dha ishte që ata nuk duhet ta konsiderojnë veten thjesht nxënës së kantos, por duhet të përgatiten për përballje me sfidat e kërkesat e skenave botërore. 

Tenori Agim Hushi aktualisht jep mësime kantoje pothuajse në të gjitha vendet e botës, përfshi Vjenën e Kinën ku punon aktualisht. Në Shqipëri kthehet të jap mësime kantoje me një motiv të veçantë. 

Të këndoja u bë papritur ëndrra ime e madhe. Unë nuk studioja muzikë dhe as nuk isha djalë kompozitori. Kur isha fëmijë në Kavajë, unë dëgjoja i mahnitur zërat e mrekullueshëm të Di Stefanos, Tito Skipos, Tagliavinit. Intuitivisht unë dallova prirjen time për kanto”, tha Hushi. 

Agim Hushi rrëfeu se si ai që ishte një student për gjuhë letërsi arriti të bëhej një nga tenorët më të shquar në botë.

“Dirigjenti i famshëm, drejtori i parë i Operës shqiptare, Mustafa Krantja pasi më dëgjoi bëri një vlerësim që nuk e prisja se “një zë i tillë një opere i duhet 50 vite t’i vijë”. Filluan të më dëgjonin të gjithë ekspertët shqiptarë të vokalit, e madhja Marije Kraja, Ramiz Kovaçi, më dëgjoi dhe Avni Mula, Nina Mula, etj, dhe pas kësaj u mor një vendim i pazakontë në operën shqiptare, që unë do të këndoja atje pa bërë asnjë ditë arsimim muzikor”, tha Hushi, duke u shprehur se kjo ishte një kthesë e madhe në jetën e tij.

agim hushi

“Ishte një përmbysje që kalonte çdo parashikim. Unë do të interpretoja përkrah yjeve të operës shqiptare si Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali, etj”, u shreh Hushi i cili tregoi se më pas nisi studimet e rregullta në Konservatorin e Muzikës në Tiranë dhe pasi i kreu këto studime me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1991 niset jashtë shtetit me bursë studimi në Bullgari.

“Fitova të drejtën e specializimit të plotë pasuniversitar në Akademinë e Muzikës “Franz Liszt” në Budapest. Qysh në provimet e vitit të parë komisioni vendosi që unë të ushtroja kanton si solist në Teatrin e Operës të Budapestit dhe pas tre vitesh studimi, në vitin 1995 unë u emërova si solist me kontratë të plotë në Teatrin Kombëtar të Operës në Hungari.”, tha Hushi.

Tenori ka kujtuar me studentët episode nga karriera e tij ndërkombëtare ku pas interpretimit në kryerolet e operave Toska, Manon Lescout të Pucinit, Il Tabarros, I Lombardi etj atij i bëhet një ftesë nga Teatri i operës Operës së Australisë së Jugut.

“Dirigjenti Richard Bonynge, zbuluesi i Pavarotit të madh dhe bashkëshorti i sopranos legjendare Joan Sutherland, që drejtoi produksionin, tha se “ bashkëpunimi me Agim Hushin kishte qenë zbulimi më i madh në jetën e tij. Te Manon Lescout interpretimi im bashkë me partneren Laura Niculesku u vlerësua si më i miri. Në Australi kam marrë të gjitha vlerësimet e mundshme, tituj nderi, qytetar australian me motivin talent botëror”, tha Hushi duke theksuar se asgjë nuk arrihet pa lodhje, sfida dhe zhgënjime.

“Të këndosh kanto do të thotë të përfshihesh në sfidat e artit e të profesionit. Mendoj se kanto është një profesion që të kryqëzon, nëse nuk ke talent kurrë nuk do të mbarojnë makthet e dështimit. Pra unë mora kurajën të ndiqja intuitivisht atë ëndërr që shumë këngëtarë në botë e kanë, por pak e realizojnë”, tha Hushi.

agim hushi

Ai u shpreh se vlerësimin e parë befasues ia kanë dhënë mjeshtrit shqiptarë të kantos për zërin.

“Unë nisa të këndojë në Tiranë atëherë kur Shqipëria ishte shumë e varfër, por me një traditë të mrekullueshme në opera. Në Tiranë kam pasur fatin të jem Radamesi i parë shqiptar, Kalafi i parë shqiptar, Kavaradosi i parë shqiptar”, tha Hushi.

Tenori Agim Hushi prej vitesh ka jetuar në kryeqytetin e muzikës, Vjenë, bashkë me familjen. Por, ai thotë se udhëton në çdo cep të botës dhe Europës. Tregon se Universiteti i Qingdaos ku punon aktualisht i ka dhënë titullin “Profesor Nderi”. Jep koncerte në Qingdao, Tianjing, Pekin, etj...

Hushi jep orë të tëra mësimi Master duke u përcjellë të rinjve pa asnjë kursim një përvoje njerëzore të tijën me të gjitha dimensionet që pati, pa harruar asnjë nga përvojat si këngëtar operistik i i Budapestit, Adelaides, Sidneit, Singaporit, Kuala Lumpurit, Mynihut, Milanos, Vjenës, Londrës, Parisit, Tiranës.

Hushi u thotë talenteve shqiptarë të kantos me të cilët do të fillojë master klasset se sekreti i çdo suksesi sipas përvojës së tij është të këndosh për njerëzit, të jetosh me shpirtin e tyre. “Kudo ku kam shkelur kam dhënë nga shpirti im dhe kam marrë si shpërblim urimet e dashurinë e gjithë botës”, përfundoi takimin e tij Hushi.

agim hushi

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri