Ai njihet për revoltën e tij në muzikë dhe patriotizëm, por këtë herë do të na tregojë një tjetër anë revolte. Do të flasë dhe do të drejtojë shqip një talk-show.

I konceptuar si një cikël emisionesh argëtuese, larg klimës politike, Agim Poshka thotë se, hapësira mediatike shqiptare në Maqedoni kishte nevojë për një program që do të fokusohej larg politikës.

“Hapësira mediatike shqiptare në Maqedoni kishte nevojë për një program që do ishte më pak politik dhe më shumë zbavitës... Me hapjen e televizionit të ri, mendova që këtë mund ta realizoja, pasi kam pasur një sezon emisionesh që në vitin 2008”, tregon Poshka.

“Në mbrëmje me Agim Poshkën”, është emisioni që do të transmetohet në Televizionin 21 çdo të premte në ora 21:30. Emisioni i Poshkës është në formën e një talk-show i cili bashkon personazhe, muzikën dhe disa gjini të artit.

Sipas materialit promovues që ka shpërndarë televizioni ky është projekt me një skenografi gjigande. Agimi në këtë rrëfim, vetëm disa orë para talk-showt na rrëfen se të ftuarit e parë janë Teuta Arifi, ish - Zv. Kryeministre dhe aktualisht Kryetare e Bashkisë së Tetovës, këngëtari i grupit ‘Ilirët’ nga Kosova, Shemsi Krasniqi i cili njihet për hitin e tij “Xhamadani vija-vija” dhe solistja e njohur operistike Besiana Mehmeti.
agim poshka
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)