Zoti Toro, ju jeni njohur me vendimin më të fundit të Gjykatës së Strasburgut. Çfarë qendrimi mbani ndaj këtij vendimi?
Natyrisht, jemi shumë entuziastë. Ky vendim tregon se Këshilli i Evropas dhe Gjykata e tij nuk do ta lerë pa vënë drejtësinë në vend, pavarësisht nga veprimet e padrejta që bën shteti shqiptar ndaj kategorisë së ish-pronarëve. Nuk mund të mos zbatohet vendimi i gjykatave apo i komisioneve të kthimit e kompensimit të pronave, përndryshe dëmshpërblimi do të jetë edhe më i rëndë për buxhetin e shtetit.
Vendimi i Strasburgut, që adoptoi për herë të parë një vendim e një proces pilot, është një sinjal i fuqishëm paralajmërues ndaj shtetit shqiptar, përballë një morie dosjesh që po mbërrijnë pranë kësaj gjykate dhe që, në thelb, kanë të njejtin objekt ankimi: shteti nuk zbaton vendimet e veta.
Por Gjykata vendosi edhe pezullimin për 18 muaj të çdo shqyrtimi dosjesh me karakter pronësie për Shqipërinë, apo jo?
Edhe ky është një sinjal qortues ndaj shtetit shqiptar. Strasburgu jep një afat prej një viti e gjysmë, gjatë të cilit do të pranohen, por nuk do të shqyrtohen dosje të reja, që qeveria shqiptare të reflektojë dhe të gjejë rrugë efikase për të zgjidhur problemin e pronësisë. Përndryshe, siç u veprua me vendimin e datës 31 korrik, do të jepen vendime "në seri" për dhjetëra dosje të ngjashme, ku konstatohet qartazi se është shkelur e drejta themelore e pronës e qytetarëve shqiptarë.
Kjo ka edhe një faturë të kripur, në këtë rast?
Ne, me llogaritjet tona, si Shoqatë, mendojmë se në vendin tonë është arritur deri sot të zgjidhet vetëm 15-20 për qind e problemeve që kanë të bëjnë me pronësinë. Pjesa tjetër, që mendojmë se do të kërkojë një zgjidhje me kompensim financiar, do të ishte në total rreth 20 miliardë eurove. Natyrisht, pronari kërkon në rradhë të parë t'i kthehet prona, por, në mungesë të kësaj, shteti duhet ta dëmshpërblejë atë për të drejtën e munguar. Kjo do të arrihet patjetër. Në rast se nuk e bën shteti shqiptar, do ta detyrojë Evropa.
Po pse nuk e bëjnë qeveritë shqiptare një zgjidhje përfundimtare të pronave? Kjo është edhe një nga çështjet kyç për pranimin në Bashkimin Evropian…
Natyrisht, por këtu ka gisht në rradhë të parë korrupsioni, që është hasur gjatë qeverisjeve të ndryshme këto 20 vitet e fundit. Pushtetarët u kanë hyrë në hak ish-pronarëve, duke u dhënë të drejta pronësie atyre që nuk i meritojnë, si psh rasti më i freskët i legalizimeve, që favorizon zaptuesit e pronave, por edhe ligji 7501, që u dha toka atyre që nuk ishin pronarë, ndërkohë që pronarët ende janë në pritje që të marrin një kompensim, fizik apo financiar.
Mendoni që në këtë mes të luajnë rol edhe konsiderata politike?
Ish-pronarët, si shtresë shoqërore, janë shumë më pak se sa numri i personave që kanë zënë toka pa leje dhe kanë ndërtuar aty qytete të tëra që po legalizohen. Po kështu, sipërfaqe të mëdha të ish-ndërmarrjeve bujqësore tashmë prej vitesh kanë pronarë të tjerë, nga ata që duhej të kishin në përputhje me të drejtën e pronësisë. Sipas ligjit, e drejta e pronës lind me blerje, trashëgimi apo dhurim. Në rastet e mësipërme shteti shqiptar ka përdorur metoda të tjera, që duhet të pasohen me një zgjidhje për pronat. Por, kur vjen puna për fushata votimesh, gjithnjë gjykohet se pronarët janë pak dhe nuk u prishin punë në rezultatin e zgjedhjeve, ndërkohë që shkelësit e ligjeve janë të shumtë dhe favorizohen. Ish-pronarët janë treguar kategoria më e duruar e shoqërisë shqiptare, ndonëse shkelja e të drejtave të tyre ka qenë e jashtëzakonshme dhe e hapur. Kuadri ligjor mendojmë se është i plotë, por mungon vullneti për ta ekzekutuar. Sidoqoftë, kemi besim tek Gjykata e Strasburgut. Aty aktualisht janë 80 dosje, që janë të gjitha të fituara dhe të tjera do të fitohen.
(sg/shqiptarja.com)