ATHINË - Dëshmitarë të tjerë në çështjen, e cila ka përfshirë javët e fundit mbarë Greqinë dhe opinionin në Greqi e gjetke dhe që ka të bëjë me Agimin e Artë dhe me veprimtarinë kriminale të kësaj organizate, duket se po i japin tjetër drejtim hetimeve në lidhje me neonazistët grekë.

Dëshmi të sotme të një ish neonazisti të larguar nga organizata publikohen dhe bëjnë fjalë për stërvitjen ushtarake të falangave neonaziste, rekrutimin dhe stërvitjen ushtarake të  pasuesve, si edhe për përgatitjen e tyre ideologjike, si edhe përkushtimin që duhet të tregonin.

Sipas dëshmitarit, i cili, ka deponuar përpara prokurorit të çështjes, deputetët aktualë grekë, stërvisnin ushtarakisht pasuesit e organizatës, në të ashtuquajturat “kampe rinore”, në mënyrë të tillë, që me një goditje të thikës të shkaktonin vdekje të menjëhershme tek viktimat.

Kryesisht viktimat duhet të goditeshin me thikë në grykë, duke iu prerë gabzherrin, që vdekja të ishte e shpejtë. Neonazistët stërviteshin në therrtore kafshësh nga deputeti Niko Miho, me profesion kasap, por edhe në vende të tjera të braktisura të Greqisë ku bënin qitje me armë luftarake. Stërvitja përfshinte edhe luftimet trup me trup, alpinizëm, etj.

Po sipas dëshmitarit ishte e detyruar që të gjithë anëtarët e skuadriljeve të vdekjes të blinin dhe të lexonin librin e Hitlerit “Jeta ime”, ditarin e Gebelsit, por edhe protokollet e Sionit, në mënyrë që rekrutët të njihnin se cilët ishin armiqtë e tyre.për neonazistët jo vetëm hebrejtë, por edhe komunistët ishin njëlloj armiq. Sipas dëshmitarit, duke qenë se Marksi ishte hebre dhe komunist, atëherë komunistët dhe hebrejtë ishin njëlloj armiq dhe të rrezikshëm.

Nga dëshmia përpara prokurorit rezulton se ishte e detarueshme për të gjithë rekrutët në organizatë jo vetëm trainimi fizik ushtarak dhe ai ideologjik, por edhe bindja e thellë dhe pa kundërshtim e urdhrave që vinin nga maja e hierarkisë.

Me detyrim rekrutët duhet të përshëndesnin me dorën e ngritur lart, përshlëndejta naziste, kjo, por edhe duhet të bënin tatuazhe në gjithë trupin e tyre, tatuazhe, në të cilat vizatonin stemat naziste, simbolin e SS, kafkën d.m.th Tottenkotf dhe në dorën tjetër kryqyin e thyer nazist në shumë trajta e forma.

Nga dëshmia re ish neonazistit rezulton se deputetët aktualë kërkonin prej rekrutëve që të ishin të gatshëm për çdo gjë, pasi nuk përjashtohej mundësia që forcat e Agimit të Artë të hynin në parlamentin grek edhe me tankse e të përmbysnin Demokracinë parlamentare.

Po ashtu deputetët aktualë neonazistë kishin qenë protagonistë në episodet dhe agresionet fizike kundër emigrantëve dhe godisnin me “raketa amatore” brenda godinave ku banonin emigrantët. Këto lloj “raketash” ata veç barutit brenda kishin edhe saçme dhe gozhdë apo copa të ndryshme metali, të cilat kur të shpërthenin do të plagosnin apo vrisnin sa me shumë njerëz.

Po ashtu ai dëshmon se kryheshin shumë sulme kundër emigrantëve me urdhër nga kreu i partisë, por shpesh herë edhe me iniciativën e anëtarëve të tjerë të kupolës. Agresionet kundër emigrantëve, të cilat kryheshin pa urdher, jo vetëm që nuk dënoheshin, por miratoheshin e përshendeteshin më vonë nga kupola e partisë. E njëjta gjë vlente edhe për sulmet kundër anarshistëve, të majhtëve apo narkomanëve.

Dëshmitari flet përpara prokurorit edhe për një manastir në Greqinë Veriore, ku ishin të fshehura një numër shumë i madh armatimesh dhe ushqimesh, të cilat do të përdoreshin në çdo rast nga skuadriljet e ndërhyrjes së shpejtë të Agimit të Artë.

Deponimet e ish neonazistit duket se do të ndryshojnë edhe rrjedhën e hetimeve, pasi në deponimin e tij përmenden me emra edhe deputetët e “liruar”, të Agimit të Artë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)