TIRANE- Asnjë prej universiteteve publike në vend nuk i është nënshtruar procesit të akreditimit. Ndryshe nga privatët, që janë të shumtë që kërkojnë akreditim për institucionet dhe programet e tyre, për këtë vit vetëm një shkollë e lartë publike ka kërkuar t'i nënshtrohet këtij procesi, ndërkohë që sipas ligjit të ri të arsimit të lartë vitin tjetër duhet ta bëjnë të gjithë shkollat e larta publike.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Akreditimin, Avni Meshi, u bën thirrje në veçanti universiteteve të rretheve, të cilat kanë qëndruar indiferentë të nisin këtë proces të rëndësishëm. "Ky detyrim ligjor është pas ligjit të "Arsimit të lartë" në vitin 2007, i cili ka dhe anën tjetër të akreditimit ciklik, një herë në gjashtë vite, do të thotë që, universitetet që janë hapur më herët sesa 2007 si duket quhen të mirëqenë si të akredituar përpara dhe i bie që vitin tjetër ata të kërkojnë riakreditim", - shpjegon Meshi.

Sipas tij, akreditimi mund të kryhet edhe nga ekspertë të jashtëm. "Madje, një iniciativë të tillë do të merrte universiteti i Tiranës, por deri tani premtimi ka mbetur në nivel deklaratash. Këto kanë qenë iniciativa të mbetura në tentativë. Nuk ka asnjë kërkesë në agjencinë tonë", - shprehet kreu i agjencisë së kombëtare të Akreditimit, Avni Meshi. Për specialistët e huaj universitetet duhet të paguajnë gati dyfish të tarifës. Nëse akreditimi bëhet nga ekspertë vendas ai kushton gati 300 mijë lekë ndërsa me specialistë të huaj ai shkon rreth 600 mijë lekë. (foto arkiv)
(em/sg/shqiptarja.com)