‘Bashkëqeverisja’, Qeveria: Rrit transparencën, jo më mik në administratë! Opozita: E panevojshme, rrit zinxhirin e korrupsionit

Projektligji “Për bashkëqeverisjen” është diskutuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Kjo agjenci do të hetojë shkelje që bëhen në administratën publike, ku në të do të merren parasysh edhe denoncimet që bëjnë qytetarët.

Prezantimi i këtij projektligji në komision u bë nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo agjenci, tha Spiropali, ka si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe zbulimin e abuzimeve që bëhen në administratën publike. Kjo asgjësi ka si qëllim transparencën dhe nuk ka më zgjidhje të problemeve me mik.

“Pa, mik, pa deputet, pa parti, ky projektligj do të mundësojë shërbime më të mirë publike dhe transparencë. Kjo është nismë e re e agjencisë për dialog dhe bashkëqeverisje dhe ka për qëllim përfshirjen e qytetarëve në proceset politikbërëse dhe vendimmarrëse përmes platformës “Më ty për Shqipërinë që duam”. Ligji do të sjellë një rregullim të rëndësishëm të agjencisë me organet e tjera publike dhe mekanizmave proceduralë. Risia e parë është që e ngre në një nivel më të lartë funksionim e agjencisë në nivel ligjor. Ky projektligj do të sjellë rritje të ndërveprimit” tha ajo.

Por kjo agjenci për deputeten e PD-së, Jorida Tabaku do të shtojë burokracitë për qytetarët, ndërsa një tjetër shqetësim që ajo ngriti është mospërcaktimi i efekteve financiare që kjo agjenci do të krijojë.

“Krijimi i kësaj agjencia shton burokracitë dhe shton paqartësitë për procedurën e ankimimit. Gjithashtu një tjetër shqetësim është se në këtë projektligj nuk përcaktohen efektet financiare”, tha Tabaku.

Edhe deputeti Dashamir Shehi tha se kjo agjenci është e panevojshme pasi shteti i ka të gjitha organet që mund të kontrollojë administratën publike dhe të gjitha shërbimet dhe se duhet të punojë që të forcojnë ato, por jo të ngre agjenci të reja.

“Kjo është e panevojshme dhe brenda administratës nuk ka kuptim të krijohen institucione paralele. Shteti i ka të gjitha veglat e veta, pse duhet të bësh një shtesë, nuk ka asnjë lloj nevoje për këtë gjë. Shteti ka kryeministër, parlament, kontroll të shtetit, ministri dhe secili ka linjën e vetë të kontrollit, pse u dash diçka e re kot, që të rrisim më shumë zinxhirin e korrupsionit? Nëse vazhdojmë të ngremë agjenci të re në kryeministri është e dëmshme. Shteti shqiptar të vërë në punë ata që janë  dhe jo të shtojë të tjera. Ne vijmë këtu nga një eksperiencë monopartiake e vjetër, këto janë element të asaj kohe. Ç’është kjo? Kjo është Komiteti i Partisë që vëzhgonte Komitetin Ekzekutiv. Komiteti Ekzekutiv ishte për të punuar kurse Komiteti i Partisë ishte për ta kontrolluar nga sipër, e ke bërë mirë s’e ke bërë mirë. Kryeministri i ka në dorë të gjitha mundësit për të kontrolluar. Do ta zgjerojë dhe ta specializojë , të zgjerojë këë agjenci që ka dhe jo të krijojmë me ligj agjenci mbi agjenci. A e di çfarë do ndodhë? Do korruptohen këto. Ai nënpunësi aty poshtë që edhe ndoshta ka thyer ligjin, për a mbyllur do ta delegojë tek këto”, tha Shehi.

"Agjencia për dialog dhe bashkëqeverisje" është një platformë e re që kryeministri Edi Rama ka vendosur ta ngre për të bashkëqeverisur me qytetarët. Kjo platformë do të kontrollojë gjithë administratën në bashkëpunim edhe me qytetarët. Në projektligj për këtë platformë, thuhet  se agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Agjencia që do të kontrollojë administratën në bazë të ankesave të qytetarëve dhe heton shkeljet që mund të përkthehen në  gjoba ndaj funksionarëve publik.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:40
Braçe kritikon Qeverinë: Ministrat nuk i kemi gjetur në punë, kush nuk punon të hapë krahun

Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar qeverinë në Komisionin e Ekonomisë ku tha se i ka rastisur disa herë që të shkojë në ministri dhe nuk i ka gjetur ministrat në punës. Ai tha se kush nuk do të punojë le të hap krahun, ndërsa tha se gjysma e administratës publike në zgjedhjet e 25 prillit nuk ka votuar fare Partinë Socialiste.

“Do ta them troç: Nga analiza që unë bëj po ju them unë që më shumë se gjysma e administratës publike nuk ka votuar fare për Partinë Socialiste. Fare, zero. Në nivel qendror dhe vendor po të doni. Aty është zonja (i drejtohet Spiropalit), sa herë kemi vajtur ne nëpër Ministri, tani se nuk nxjerr ndonjë sekret të madh, dhe nuk kemi gjet ministrat në punë. Është kështu? Ore kemi vajtur për të kontrolluar marrjen e përgjigjes. Institucion me institucion. U detyruan të vendosin tabela për të kontrolluar fluksin e ankesave dhe përgjigjet që jepeshin. Tabela, ku gjithsecili vihej para tabelës dhe i thuhej pse s’ka marrë përgjigje”, tha Braçe.

Në lidhje me krijimin e agjencisë për Bashkëqeverisje, Braçe tha se nuk kanë pse krijohen agjenci kot dhe të shpenzohen para kot sepse nuk funksionojnë institucionet. Kush nuk bën punë le të hap krahur, por mungon vullneti për të larguara ata që nuk i shërbejnë qytetarëve.

“Që ne të kemi vështirësi në funksionimin e institucioneve dhe për këtë të ndërtojmë instrumente të vënë në lëvizje institucionet, kjo më duket para e shpenzuar kot. Të jemi të qartë. Nëse nuk bëjmë dot institucionet të funksionojnë, të hapin krahun të gjithë, nga i pari te i fundit.Nëse ka agjenci që nuk i përgjigjen qytetarit për 1001 arsye dhe një nga këto është korrupsioni, në hipoteka, në tatime, në inspektime, të hapin krahun të largohen. Ligji i përcakton rastet, por mungon vullneti për të larguar nga detyra atë që nuk shërben”, tha Braçe.

Ora 13:18
Agjencia për ‘Bashkëqeverisjen’ Shalsi: Ka zgjuar interes tek vendet e tjera! Dashamir Shehi: Qenkemi model për Europën

Diskutimi i projektligjit për ngritjen e agjencisë për “Bashkëqeverisje’ ka sjellë një debat me kryetarit të komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi dhe Dashamir Shehit.

Shalsi tha se disa shtete perëndimore kanë shfaqur interes për agjencinë që do të monitorojë administratën duke theksuar se njëri prej tyre ka sjellë edhe një ekip për ta shqyrtuar.

“Janë disa shtete perëndimore, njëri ka sjellë një ekip për ta shqyrtuar. Ka zgjuar interes ky sistem. Mund të vijnë dhe mund të përmirësohen”, tha Shalsi.

Por Dashamir Shehi ka reaguar me ironi tha se tashmë po kthehemi në model edhe për Europën Perëndimore.

“ E shikon ne jemi model për Europën Perëndimore”, tha ai.

I.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë