Agjencia Kombëtare e Bregdetit po ve në zbatim një model të integruar të zhvillimit të turizmit, që konsiston në diversitetin, duke lidhur zonat bregdetare me ato malore. Lëvizja e turistëve nga bregdeti në zonat malore dhe anasjelltas në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, mendohet se do të sjellë krijimin e një produkti turistik të veçantë, ku zonat malore do të përfitojnë nga fluksi i lëvizjes bregdetare, por dhe zonat bregdetare nga mundësia e eksplorimit të maleve tona.

Për këtë arsye, AKB, në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës dhe atë të Tepelenës, po krijon të parin itinerar të infrastrukturës turistike midis zonës Borsh-Qeparo dhe Pilur, drej malësisë së Kurveleshit.

Itinerari parashikon lëvizje nga rruga e Borshit deri në Kuç dhe nga Kuçi në kanionet e Nivicës, për të vazhduar lëvizjen në Luginën e Vjosës deri në zonën e thellë malore të Zagorisë në rrethin e Gjirokastrës, zonë kjo, pak e rrahur për shkak të mungesës së infrastrukturës normale rrugore, por me bukuri të rrallë, duke filluar nga pllaja e famshme e Çajupit.

Në bashkëpunim me forcat e armatosura, ka filluar tashmë rregullimi i rrugës që lidh Kuçin me malësinë e Kurveleshit, çka do të mundësojë që banorët e kësaj zone të mund t’i afrohen detit shumë shpejt, por dhe që turistët, të cilët pushojnë në zonën bregdetare të Jugut, të mund të eksplorojnë kanionet e Nivicës.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com