Një gjuhë dhune vërtitet mbi Partinë Demokratike. Dhuna është primitive, instrument i kohës kur njeriu nuk e kishte elaboruar arsyen. Zëdhënësit e saj po kaq janë primitivë. Si iluzion pervers shfaqet ideja se nga dhuna lind demokracia, se prej saj vjen ndryshimi, se nga ajo merr jetë rithemelimi, se prej saj vjen pushteti.

Dhuna mbron abuzimin dhe justifikon frikën. Dhuna për një karrige personale nuk është alternative për askënd, sidomos për një vend si yni që një pjesë të historisë së vet e ka të zhytur në gjakun e dhunës. As një filiz shprese nuk rritet në të.

Dhuna fizike, dhuna verbale, dhuna politike vetëm projekton të ngjashmit e vet, asnjëherë paqe, asnjëherë bashkëjetesë, asnjëherë garanci demokratike, asnjëherë zhvillim dhe mirëqenie ekonomike për fëmijët tanë.

Ajo i vlen një individi, jo demokratëve e shoqërisë shqiptare jo e jo. Ajo ka vetëm një emër-regres. PD është institucion themelor i këtij vendi, asnjë forme ilegjitime pushtimi nuk e përmbys legalitetin e saj.

U bëj thirrje të gjithë demokratëve që të mendojnë thellë dhe të kuptojnë momentin historik ku ndodhet Partia Demokratike dhe të mos bëhen instrumente të shkatërrimit të saj thjesht për të ardhmen dhe të shkuarën e një personi, i cili me veprimet dhe mosveprimet e tij e ka përcaktuar vetë fatin e vet.

I ftoj me modesti e shqetësim demokratët të mos i bashkëngjiten kësaj shfaqjeje të shëmtuar që po e bën PD-në forcën kryesore opozitare në Shqipëri qesharake përpara shoqërisë dhe opinionit publik shqiptar.