E drejta për të protestuar në Ditën e Pavarësisë nuk vihet në diskutim në Shqipëri, por për analistin Kreshnik Spahiu, kjo nuk do të thotë se protestuesit mund të pengojnë pjesën tjetër të shqiptarëve të festojnë në një ditë kaq të çmuar në historinë e vendit. 

Në një analizë në Report Tv, Spahiu u ndal te numri i pjesëmarrësve në tubimin e sotëm, si një element për të kuptuar forcën e proteste që kërkon rrëzimin e qeverisë Rama.

Në vlerësimin e Spahiut,  në protestën e kësaj të shtune morën pjesë rreth 10 mijë persona, pavarësisht thirrjeve në rrjete sociale dhe në këndvështrimin e tij, një numër i tillë nuk e ka forcën që të imponojë kërkesat e tij përmes dhunës.

Edhe pse protesta u trumbetua si jopartiake, për Spahiun, prania në shesh e mbështetësve të PD-së dhe partive të Adriatik Lapajt, Arlind Qorit e Agron Shehajt dëshmon të kundërtën. Analisti pati kritika edhe për përdorimin e simboleve kombëtare, si nga protestuesit e maskuar, ashtu edhe nga policia, në një tubim që u shoqërua me përplasje pikërisht në 114-vjetorin e Pavarësisë.

"Protesta e sotme nuk ndryshonte nga protestat e tjera përveç motit. Pyetja e parë që duhej diskutuar ishte për numrin e protestuesve. Nga numri pastaj fillon një analizë e saktë, reale dhe e paanshme. Sot debati zhvillohet a kanë të drejtë të protestojnë në ditën e festës së shqiptarëve. Duhet të diskutojmë për numrat. Edhe 10 persona kanë të drejtë të protestojnë edhe në ditë feste kombëtare. Numri është i rëndësishëm për të kuptuar forcën e protestës që kërkon të rrëzojë sot Edi Ramën dhe qeverinë. Supozojmë një numër x, le të themi që ishin 10 mijë persona. Me sa arrita të perceptoj nga mediat ishin 10 mijë persona. Nga ana juridike e kushtetuese kanë të drejtë, por a kanë të drejtë 10 mijë protestues t’i heqin të drejtën 10 mln shqiptarëve për të festuar? A ke të drejtë të pushtosh të gjitha rrugët e Tiranës për t’i hequr të drejtën pjesës tjetër që do të festojë? U bënë thirrje nga diaspora dhe qytetet dhe me gjithë këtë përpjekje kombëtare a u lind e drejta e përdorimit të forcës? A munden që 10 mijë persona të imponohen me kërkesën e tyre edhe nëse është e drejtë? A imponohesh dot me forcë kur numri është kaq i vogël? Nuk është e vërtetë që sështë protestë politike. PD ka të gjithë militantët, Lapaj me Qorin kanë partitë në shesh. Agron Shehaj ka njerëz në shesh. Nuk është protestë jo partiake kur janë 4-5 parti në shesh. Është tërësisht politike dhe partiake. Sot në protestë nuk ishte një popull pa parti, apo protestues jo politikë, sot ishin pd-istë, ata të Arlind Qorit, Adriatik Lapajt e Agron Shehaj. Minimumi duhej të fusnin disa elementë patriotikë e kombëtarë. U mbushën me flamuj kuq e zi edhe protestuesit edhe policia. Ishte një skenë shumë e tepërt për një ditë historike. As të maskuarit e as policia nuk e meritonin që të përdornin simbolet kombëtare kur dihej që do ishte një protestë e dhunshme nga të dyja anët" tha Spahiu në Report TV.