Ahmetaj: Lehtësojmë procedurat e
rimbursimit e pagesave për fermerët

Ahmetaj: Lehtësojmë procedurat e<br />rimbursimit e pagesave për fermerët
Fermerët do të lejohen të kryejnë shitje me para në dorë deri në vlerën 30.000 lekë të reja në ditë për shoqëri të agrobiznesit ose të përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, ose për eksportues, apo çdo subjekt tjetër të pajisur me NIPT. Kjo është një nga masat e reja, të prezantuara dje nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në kuadër të një pakete fiskale lehtësuese për bujqësinë.

Sipas ministrit, me hyrjen në fuqi të Udhëzimit, që sapo është nënshkruar prej tij, fermerët detyrohen të kryhen nëpërmjet bankës vetëm shitjet mbi 150.000 lekë. Ndërkohë, pagesat për shitjet nga 30.000 lekë deri në 150.000 lekë kryhen nëpërmjet filialeve të Postës Shqiptare dhe, për ata që duan, edhe nëpërmjet bankës.
Në Udhëzim përfshihet edhe vlerësimi lidhur me eksportuesit e produkteve bujqësore, të cilët klasifikohen me këtë Udhëzim si subjekte me risk zero dhe, si të tillë, përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve të TVSH-së. Nga ana tjetër, për të lehtësuar procesin e faturimit të kompanive që blejnë produktet e fermerit, është parashikuar për to një procedurë e veçantë, ajo e miratimit të përdorimit të faturës kompjuterike.

Si masë tjetër është edhe ajo, e cila parashikon masa që në pikat doganore të ofrohet shërbimi doganor për eksportin e prodhimit bujqësor. Agjencitë doganore do të ofrojnë shërbim 24 orë për eksportuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Ky urdhër vendos doganat kufitare 24 orë në dispozicion të këtyre eksportuesve, si dhe e bën të paefektshëm marrjen e autorizimit të zhdoganimit lokal, apo kryerjes së procedurave doganore pranë ambienteve për këto subjekte.

Ndërkohë, për përjashtimin e skanimit për produktet bujqësore ose minimizimin në raste të veçanta, që është në proces, u implementua kanali jeshil në doganë. Kanali jeshil është kanali ku eksportuesit kalojnë drejtpërdrejtë në pikat doganore pa kontroll, gjë që shkon në favor të biznesit dhe të eksportit.
Ndryshimet e prezantuara dje amendojnë një sërë masah të mëparshme, që përfshiheshin në skemën e mëparshme të kompensimit të fermerëve. Ahmetaj tha se skema e kompensimit të fermerëve, e cila nga 6% që ishte më pare dhe nuk funksionoi asnjëherë, u bë 20% në vitin 2014, duke mundësuar një stimul të drejtpërdrejtë për fermerët shqiptarë në funksion të zgjerimit të veprimtarisë së tyre prodhuese, bujqësore dhe blegtorale.

Kjo skemë është konceptuar e tillë, që të mos ngarkojë fermerët me barrën administrative të lëshimit të faturave, të deklarimit, të mbajtjes dhe përdorimit të kasës fiskale. Pra, fermeri ka vetëm detyrimin të pajiset me NIPT dhe të shesë produktet e tij e të përfitojë 20% kompensim TVSH-në mbrapsht, shpjegoi ai.
I pyetur lidhur me ndikimin që ka ushtruar LSI në aplikimin e këtyre lehtësive, ministri deklaroi se ato “janë vazhdë e paketës së iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë në 2014-ën në mbështetje të bujqësisë”. Edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka të paktën 3 muaj që e ngre këtë problem në vazhdimësi dhe shqetësimi i parë ka ardhur nga grumbulluesit dhe fermerët e zonës së Divjakës, Lushnjës, Fierit dhe Beratit.    

Deklaratë për Shtyp e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Shkatërrimi bregdetit, filloi në 2006 kur “Fshatrat turistik” u shitën si apartamente

Spahiu: Shkatërrimi bregdetit, filloi në 2006 kur “Fshatrat turistik” u shitën si apartamente