Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka replikuar këtë të enjte me nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, në distancë lidhur me koncesionet e parashikuara në buxhetin e vitit 2019.
Ministri Ahmetaj tha nga foltorja e Kuvendit se opozita po “demonizon” çështjen e PPP-së, pasi sipas tij, çdo investim i qeverisë e tremb mazhorancën. Shifrën e parashtruar nga Tabaku që do të shkojë për koncesione, Ahmetaj e pranoi dhe tha se është e domosdoshme për të përfunduar vepra të rëndësishme infrastrukturore siç është Rruga e Arbrit.
Sa i takon autostradës Tiranë-Durrës, Ahmetaj tha se nuk do shpenzohet asnjë lek nga buxheti i shtetit.
Opozita e ka për qejf dhe e demonizon çështjen e PPP-ve. PPP janë transparente. Projektet janë të gjitha transparente në procedurë. Po e patë dje opozitën, ju referua një shifre për koncesionet, PPP, është mbi 2 mld euro. Rruga e Arbrit që ka nisur me koncesion kushton rreth 243 mln euro, çfarë është kjo rrugë? Pse është e domosdoshme? Pse do të duhet të bëhet tani dhe jo pas 20 viteve?
Rruga duhet tani dhe buxheti me fondet e drejtëpërdrejta nuk kishte mundësi ta bënte. Ndaj hymë në Partneritet Publik-Privat. Ajo që tha dje opozita është e vërtetë. Po, janë investime publike në favor të qytetarëve. Po e pyes opozitën, çfarë keni me dibranët që nuk doni t'u bëhet rruga?Çfarë ju bënë? Nuk ju dhanë katër vota në parlament? Nuk ju dhanë se nuk i meritonit. Pse nuk doni që Shkodra të ketë një autostradë më dinjitoze? Kë urreni, Shkodrën që nuk ju dha 7 vota, Lezhën që nuk ju dha 5 vota? Inceneratorët kundër plehrave, apo i doni njerëzit që t'ju mbyten, të vinë si zombi pastaj dhe t'ju votojnë ju nga Azia? Janë shërbime publike.Dalin dhe recitojnë aty koncesione, PPP.
Janë Rruga e Arbrit, që është Partneritet Publik Privat. Me paratë e buxhetit do bëhej pas 20 viteve, por jo! Do të bëhet tani se i duhet Dibrës, i duhet Shqipërisë. Po do ta paguajë buxheti për 13 vjet, patjetër. Do bëhet patjetër dhe Balldreni, patjetër do të bëhet dhe Thumanë-Kashar. Patjetër do të bëhet dhe Tiranë-Durrës, është arteria kryesore e vendit dhe do të paguhet ndër vite, për 15 vite. Tiranë-Durrës do të bëhet me toll, asnjë lek nga buxheti i shtetit.
Arben Ahmetaj, Ministri i Financave dhe Ekonomisë