Çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pavarësia e drejtësisë, pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit dhe dobësimi i kontrollit parlamentar ishin disa prej shqetësimeve që deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti përpara komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Tabaku,akuzoi mazhorancën socialiste se ka kufizuar hapësirat për diskutimin e çështjeve që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sipas saj, ndërsa në Bruksel ngrihen shqetësime për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe fusha të tjera, në Kuvendin e Shqipërisë këto problematika nuk marrin vëmendjen e duhur dhe qeveria jep gjithnjë e më pak llogari.
Deputetja demokrate solli në vëmendje shqetësimet e Komisionit Europian për përpjekjet për ndikim politik mbi institucionet e drejtësisë, duke u ndalur konkretisht te refuzimi i Kuvendit për të autorizuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“KE konstaton përpjekje për ndikim politik ndaj drejtësisë, përfshirë edhe SPAK. Ka shqetësime për barazinë para ligjit pas refuzimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Rasti i saj shkon përtej këtyre shqetësimeve, me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e zëvendëskryeministres është dërguar për gjykim pa autorizimin e Parlamentit dhe pushteti i saj mbetet i paprekur”, deklaroi Tabaku.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetja demokrate ishte miratimi i ligjeve që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ajo përmendi ligjin për investimet strategjike, për shfuqizimin e të cilit qeveria ishte angazhuar me kërkesë të Komisionit Europian.
Duke iu drejtuar komisioneres Kos, Tabaku foli edhe për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një kërkesë të qytetarëve për më shumë Europë dhe sundim të ligjit.
“Ne kemi dërguar letra për këto shkelje dhe ju vini në një moment kur ka një protestë prej shumë ditësh, ku kërkohet më shumë Europë, institucione të forta dhe sundim i ligjit. Për ne kjo është kërkesë për më shumë Europë. Pas çdo pale zgjedhjesh kemi pasur më pak Europë, më pak shtet të së drejtës dhe më shumë mbrojtje politike të korrupsionit”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate paralajmëroi se procesi i integrimit europian nuk duhet të shndërrohet në një fasadë, ndërsa përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit duhet të shoqërohet me forcimin e institucioneve dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkë! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë








