“Ju e dini që aty procesi vazhdon dhe institucioni jonë përkatës pret informacione të vazhdueshme për të bërë atë që duhet të bëjë me ligj. Institucionet shqiptare që s’është vetëm një, por siç është drejtoria e parandalimit të parave, që është në kontakt me të gjithë partnerët”, u shpreh Ahmetaj.
Kreu i Financave tha se Shqipëria do t’i bashkohet ndryshimeve ligjore të paralajmëruara nga BE për të zbuluar kompanitë që kryejnë evazion fiskal në vende të ndryshme. Kjo konsiston në shkëmbimin e informacionit për shmangur evazionin që mund të kalojë nga njëri shtet në tjetrin.
“Ne jemi në proces përafrimi dhe ky ndryshim ka për tu kthyer në standard direktive. Dhe ne do të ecim paralel me ndryshimet ligjore në BE. Aktualisht Shqipëria është në listën e bardhë të parandalimit të parave. Tendenca ka jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e strukturuara nga kjo anë. Por çështja është sa shpejt reagohet ndaj një tentativë të pastrimit të parave. Prej shtatorit të vitit të kaluar, prej punës tonë”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave shprehu rezerva për propozimet e LSI lidhur me ndryshimet ligjore për koncesionet. Sipas tij, kalimi i koncesioneve me mbi 4 vite në parlament, e zgjasin si procedurë.
“Por ne kemi rënë dakord që të shohim ndryshimet në ligj, kur një proces koncesionar, komisioni i Ekonomisë dhe Ligjeve të informohen nga ministritë e linjës, qoftë para, qoftë në përfundim të procesit”.
Sipas tij, ndryshimet më cilësore janë ato që po bëhen në ligjin organik të buxhetit të cilat ministria e Financave i ka dërguar në qeveri.
Ndryshimet i japin një rol të përforcuar Ministrisë së Financave si në koncesionet me fondet publike ashtu edhe ato private, ndërsa çdo vit do të informohet Kuvendi për alokimet e buxhetit për koncesionet.
Z.Ahmetaj, skandali “Panama Paper” kapi dhe Shqipërinë. Ju thatë atëherë se keni emra shqiptarë që do t’i bëni publikë. I keni këto emra?
“Panama Paper” është një skandal global që përfshiu emra të mëdhenj të botës së politikës, biznesit e artit. Tashmë është i njohur edhe grupi i emrave që ka dalë në “Panama Paper”. Ju e dini që aty procesi vazhdon dhe institucioni jonë përkatës pret informacione të vazhdueshme për të bërë atë që duhet të bëjë me ligj. Institucionet shqiptare që s’është vetëm një, por siç është drejtoria e parandalimit të parave, që është në kontakt me të gjithë partnerët. Ne, që nga shtatori nuk jemi më në listën gri të vendeve të pastrimit të parave, por jemi në listën e bardhë. Pra kemi filtra dhe diga të parandalimit të pastrimit të parave të standardeve europiane që përfshijnë sektorin bankar e atë fiskal. Procesi vazhdon e një pjesë e tyre janë nën hetim, por asgjë nuk kalon pa u regjistruar zyrtarisht e pa bërë institucionet punën e tyre. Ka procese në Prokurori, procese të informuara nga SHISH, si dhe të avancuara nga Drejtoria kundër Pastrimit të Parave.
GFI ishte ajo që u përfshi në skandal, kompania për markimin e karburanteve, keni hetuar në këtë drejtim?
Kompania e ka fituar tenderin që në kohën e Sali Berishës dhe njeriu i dalë në skenë është njeri për 25 vite pranë familjes së Sali Berishës dhe Partisë Demokratike. Është një nga personat i përfshirë edhe në transaksionin e ish-Taivanit, godinës që ka qenë në pronës të kompanisë së PD, Shqiponja në vitet 92-93. Një aferë tejet e pisët, një pronë publike e privatizuar nga një kompani partiake dhe e shitur te individët pranë familjes. Institucione si SHISH, Prokuroria dhe Drejtoria e Parandalimit të Parave janë të informuar dhe çështja është në kanalet zyrtare.
Çfarë nënkuptoni?
Kaq mund të themi përsa kohë çështjet janë në hetim.
Është bërë një transaksion dhe është ndryshuar pronësia. Kush është pronësia e vërtetë?
Është një informacion i detajuar nga institucionet e inteligjencës dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka bërë punën e vet në bazë të ligjit për të avancuar punën.
Për hir të lirisë ekonomike, kompanitë off-shore kur merren me koncesione, transaksionet duan transparencë, a duhet një ndërhyrje në ligj?
Parajsat fiskale, qoftë Panamaja e vendet e tjera, pasi ka disa vende që njihen si të tilla, është një fenomen zyrtar në botë, nuk është ilegal. Dhe, po ta shikoni listën e atyre që kanë depozituar para në Panama, janë persona që kanë tentuar për të evaduar taksat, apo ulur ngarkesën e tyre. Përderisa këto ekzistojnë, njerëz në botë do t’i përdorin. Bëhet fjalë nëse ka politikanë që kanë para të pista të pajustifikuara, biznesmenë që i janë shmangur taksave, ky është fenomen evazioni dhe shkelje penale. Përsa i përket koncesioneve, ato janë të trashëguara dhe sigurisht që hijet e dyshimit janë të verifikuara. Janë koncesione që në momentin e prishjes i kushtojnë taksapaguesve. Besoj që ka ardhur koha që për koncesionet me para publike, do të duhet të bëhet transparente lista por kjo kërkon ndryshime ligjor. Ka raste që janë kompani publike, në tregun e aksioneve dhe imagjino t’i kërkosh një kompanie të gjithë listën e investitorëve që mund të jenë 1 milionë. Unë besoj që ndryshimi ligjor që ne mund të bëjmë është transparenca maksimale kur fondet vijnë nga kompani offshore.
Ka një lëvizje nga vendet e BE, për të shkëmbyer informacionin, pasi nga kjo shmanget një lloj evazioni që mund të kalojë nga një shtet në tjetrin. Do t’i përfshihet Shqipëria kësaj nisme?
Ne jemi në proces përafrimi dhe ky ndryshim ka për tu kthyer në standard direktive. Dhe ne do të ecim paralel me ndryshimet ligjore në BE. Aktualisht Shqipëria është në listën e bardhë të parandalimit të parave. Tendenca ka jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e strukturuara nga kjo anë. Por çështja është sa shpejt reagohet ndaj një tentativë të pastrimit të parave. Prej shtatorit të vitit të kaluar, prej punës që ne kemi bërë, Shqipëria është në listën e bardhë.
LSI ka propozuar një pr/ligj për ndryshime te koncesionet...Cili është mendimi juaj?
Unë e kam parë propozimin me 2/3 ndryshime materiale në ligj. Një nga ndryshimet është që çdo koncesion mbi katër vjet të kalojë në parlament. Praktikat më të mira jo domosdoshmërisht e çojnë koncesionin në parlament, sepse e zgjasin si procedurë, është tagër i qeverisë. Por ne kemi rënë dakord që të shohim ndryshimet në ligj, kur një proces koncesionar paraqitet, komisioni i Ekonomisë dhe ai Ligjeve të informohen nga ministritë e linjës, qoftë para, qoftë në përfundim të procesit. Nuk është ky ndryshimi më cilësor. Brenda ligjit organik të buxhetit ne po bëjmë ndryshime për koncesionet e standardit PPP, ku në bazë të standardeve ndërkombëtare, koncesioni do të marrë fonde publike apo jo, do të kalojë domosdoshmërisht në Ministrinë e Financave. Dhe tjetra, në Ministrinë Financave është krijuar mundësia e riskut. Kemi vënë nivele të caktuara të fondeve publike në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në buxhet që mund të dedikohen për koncesionet. I kemi vënë detyrimin vetes që të informojmë çdo vit parlamentin për alokimet e buxhetit për koncesionit. Ligji organik i buxhetit që komandon e standardizon menaxhimin e financave publike bën ndryshime cilësor të cilat i bëjnë ato propozime të LSI, të përfshira madje në një nivel shumë më të lartë e shumë më të garantuar. Në ndryshimet që po bëjnë me legjislacion ne ezaurojmë atë shqetësim që mund të ketë lindur. Përgjegjëse janë Ministria e Energjisë që koncesionin energjinë elektrike, Ministria e Shëndetësisë që ka një numër të caktuar koncesionesh, është Ministria e Transportit, ajo e Ambientit dhe Ministria e Bujqësisë. Ministritë e tjera janë autoritete kontraktuese, por në potencën ekonomike kanë më pak mundësi për të dhënë koncesione.
Kur keni ardhur në këtë zyrë keni gjetur një projekt për kondensonin e TVSH. Do ta kaloni, apo do ta ktheni pas?
E kam theksuar edhe më parë. Sot të gjitha dokumentet dhe draft termat e referencës janë me FMN për konsultë dhe ne vazhdojmë konsultën sa i takon atij koncesioni. Thelbi është reforma nw administratën fiskale.
Nëse FMN thotë jo...
Nëse thotë Po ose Jo, ne do të ulemi e do t’ju them vendimin që do të kemi marrë. Konsulenca është e rëndësishme për marrëveshjen që ne kemi me FMN. Nëse ata e mbështesin atë koncesion, bindja jonë se ai koncesion është i duhur, përforcohet, nëse thonë jo, do të shohim problematikën konkrete qw ka ai propozim.
Thatë javën e kaluar se s’do ketë ndryshime në ligjin e taksave por në kodin e procedurave tatimor. Cilat do të jenë ndryshimet?
Nuk do të ketë ndryshime të nivelit të taksave. Të vetmet ndryshime mund të jenë me ulje sa i përket sektorit minerar pasi është në rënie për shkak të konjukturës së tregut ndërkombëtar. Ka nevojë për të riparë nivelet. Paketa që do të avancojmë është thjeshtëzimi i procedurave. U kam kërkuar dhomave të tregtisë shqiptare të huaja që deri në 20 qershor të sugjerojnë ndryshimet e procedurave tatimore e doganore, që të kemi mundësi t’i thjeshtëzojmë e ti paraqesim si paketë në korrik në qeveri.
Ju keni projekt?
Kemi idetë tona për kontrollin, tatimor, regjistrim, çregjistrim etj, por në punën e përditshme biznesi di më shumë se ne. Dhe këndvështrimi i tyre ka për të na bindur për paketën.
Keni thënë se në 2015-ën u arrit rekord pozitiv për investimet e huaja. Por PD e kundërshton këtë shifër, duke thënë se në 2013-ën, investimet e huaja kanë qenë 7% më të larta se në 2015-ën?
2015-a është viti rekord i investimeve të huaja, pavarësisht se Sheell nuk investoi për shkak të probleme me Petronas, Bankers ka ulu investimet, TAP sapo filloi. E kanë bërë manifakturat dhe shërbimet diferencën. Kjo meriton analizë.
Sa priten në 2016-ën?
Mund të kapin mbi 1 miliard euro. TAP këtë vit do të investojë 130 milionë euro.
Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se investitorët po largohen, investitorë si Bankers, TIA në Rinas, ndjehet një trysni nga administrata fiskale e struktura shtetërore...
Nuk është e vërtetë. Klima e biznesit ka gjithmonë nevojë të përmirësohet. Po t’i lexosh të dyja deklaratat e Dhomës gjermane e asaj amerikane. Dhoma gjermane na rendit të parafundit në rajon, por nuk ka ndonjë ndryshim nga viti 2011-ë. Jemi treg i vogël, i panjohur ende. Stereotipi i Shqipërisë si 97-a e Sali Berishës gjithmonë. Niveli i investimeve të huaja në Maqedoni është disa herë më i vogël sesa niveli jonë. 900 milionë në 2015-ën ne, nën 400 mln Maqedonia. Ndonjëherë krijohet një perceptim sikur asnjëherë s’e duam të mirën e vendit. Problemet janë si administrative ashtu edhe politike, por problemet rrjedhin edhe nga imazhi i keq që ne i krijojmë vendit.
Detyrimi që ka Bankers ndaj shtetit shqiptar, zerohet, apo barten te blerësi i ri?
Si mund të zerohen detyrimet nga njëri koncesionar tek tjetri? Nuk zerohet asgjë, detyrimet mbarten. Pavarësisht se aksionet Bankers në Bursë i kanë blerë kinezët. Kinezët kanë blerë fusha në Kanada, si dhe kanë blerë edhe në bursë bankersin.
Largohen investitorë nga Amerika e Veriut dhe vijnë Kinezë...
Është treg i hapur. Nuk largohet askush. Bankers shet aksionet, të drejtat. Kompanitë amerikane kanë interes për hidrokarburet. Ne bëjmë pafund përpjekje për të tërhequr kompania amerikane, kanadeze e kineze nëse duhet. Ky vend duhet të garantojë rritje ekonomike për dekadat që vijnë.
Kompanitë e mëdha janë duke falimentuar si Kurum p.sh...
S’është e vërtetë. Ka probleme me një bankë private për kredinë. Janë marrëdhënie mes kompanive e bankave që në Shqipëri ndonjëherë janë bërë me qëllime për të reduktuar detyrimet e njëra-tjetrës.
Kompanitë e mëdha nuk e vënë në rrezik sistemin e bankar?
Sistemi bankar është shumë likuid, nuk ka asnjë rrezik. Është shumë i shëndetshëm dhe i kontrolluar nga Banka e Shqipërisë. Ka një problem në vetvete për tu përmirësuar raporti i bankave me kredimarrësit, sepse ka probleme me ekzekutimin e kolateralit. Besoj se në qershor kemi ligjin e falimentimit, kemi disa ligje të tjera që janë në proces si kodi civil e i përmbaruesit privat. Këto janë bërë në bashkëpunim të thellë me Bankën Botërore për të lehtësuar marrëdhënien e kredimarrësit me kredidhënësin.
Situata ekonomike është duke iu afruar deflacionit. Në këto rrethana a do ishte e udhës të rriteshin pagat? Blushi thotë të shtohet konsumi, të shtohet masa monetare në qarkullim...
Është shumë interesante diskutimi për inflacionin. Nuk ka deflacion. Tregu shqiptar reflekton atë që ndodh në tregun evropian. Shifrat e inflacionit tregojnë se tregu shqiptar ka importuar inflacion të ulët nga mallrat dhe ka gëlltitur të gjithë çmimin e ulët të naftës. Konsumi nuk ka rënë. Në tre mujorin e tretë të vitit të kaluar është rritur. Paratë e disponueshme në xhepat e qytetarëve janë rritur me mbi 7.6%. Nuk është çështje varfërie, por e besimit ekonomik. Banka e Shqipërisë tregon se është rritur nga puna. Qytetarët nuk kanë besim te ekonomia. Pse? Sepse besimi rrjedh nga politika, nga pozitivizmi që jep politika te konsumatori. Kushdo që shpenzon, shpenzon për atë që do fitojë pas 3 apo gjashtë muajsh. Pra, do shpenzoj këto që kam se jam i bindur që do të fitoj edhe pak më shumë pas 6 muajsh. Nëse dëgjon Saliun të flasë për 14 shtator, kjo është çmenduri. Çfarë do bëjë konsumatori? Nëse ekonomia rritet me 2.62% dhe të zinjtë që duan të vijnë në pushtet, thonë se ka rënë ekonomia.
Pse nuk konsumojnë shqiptarët?
Nuk është e vërtetë. A është rritur importi në muajin e tretë të këtij viti? Kush ha e kush i pi të gjitha këto?
Pse nuk rrisni pagat?
Paga reale është rritur 8% nga taksa progresive. Tregtia me pakicë u rrit me më shumë se 6%. Vetëm me uljen e çmimi të naftës konsumatori fiton në xhepin e tij 120 milionë dollarë.
Për shtresën e mesme, masat që janë marrë nga ju dhe BSH e kanë goditur. Korporatat taksohen 15%, një bankier taksohet 23%, nga 10% që taksohej në 2013-ën. Depozitat, me këto norma interesi që BSH aplikon gati shifra negative, shtresa e mesme është duke u goditur...
Shtresa e mesme ka fituar drejtpërdrejti. Një me 800 mijë lek paguante 80 mijë lekë. Sot ata që e kanë rrogën 1.3 mln lekë përfitojnë ulje serioze në taksa. Nga 635 mijë të punësuar sot, vetëm 18 mijë kanë rrogë mbi 1.3 mln lekë në muaj. Pra, 96.4% e shqiptarëve të punësuar kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë të taksës. Kjo është shtresa e mesme. Një person që merr 1.8 mln lekë në Europë, nuk është as shtresë e mes,e por i varfër. Në Shqipëri, një që merr 1.3 mln lekë, është klasë e mesme. Shumë janë edhe klasë e mesme e lartë. Përsa i përket asaj të BSH nën presionin tonë, BSH është 100% e pavarur. Ne nuk kemi asnjë instrument për ta presuar BSH. Sot, BSH, falë reformave është më e pavarura në Shqipëri. Dhe mua më vjen mirë, sepse ëhtë një pasqyrë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare.
Do të kemi rishikim të buxhetit?
Po, do të ketë në korrik. Do të kemi të ardhura mbi planin e të ardhurave, por do të ketë më pak shpenzime, pasi shqiptarët do heqim borxhet. Çfarë tha dje Lulzim Basha, do zhbëjmë reformën e pensioneve. Kjo heq të drejtën e përfitimit social për ata njerëz që nuk kanë mundur të paguajnë kontribute sociale e shoqërore në vite. E di çfarë i bën borxhit me ato që thotë? Për 1 vit e çon 80%.
Sa e gjetët borxhin dhe sa e keni?
69.5% e gjetëm.
Ata thonë 60%...
Ata flasim për 14 shtator e armatosje, ne flasim për Shqipërinë në BE. Ndarja është njëra me armë e tjetra me Bashkimin Europian. 720 mln dollarë s’ua kishin paguar bizneseve e individëve. Qeveri është ajo? E di ti që kur erdhëm ne në zyra kishte zero lekë, ishte harxhuar i gjithë deficiti buxhetor nga dhjetori në qershor. E kishin lënë, siç themi ne nga Gjirokastra, “Shtëpi e lënë drangull”, bie miu e thyen kokën. Pse s’ndodhi në 2015-ën kjo? Ishte vit zgjedhor edhe 2015-a.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com