TIRANE, 16 Shkurt/ATSH/- Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, deklaroi të hënën se pavarësisht uljes së humbjeve në rrjetin e energjisë në 37 % dhe rritjes së arkëtimeve, problemi më i madh me të cilin përballet sistemi është mungesa e pajisjes së konsumatorëve me matësa.
Deklarata e Ahmetit u bë gjatë një seance dëgjimore në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. "Jemi duke dialoguar me kompaninë për të filluar për marrjen e shumë masave që lidhën me pajisjen e konsumatorëve pa matësa. Eshtë një plagë e keqe dhe e dëmshme për sektorin, sepse nuk ke kontroll lidhur me konsumin e energjisë", tha kreu i ERE-s. Ahmeti u shpreh se ERE do të mbështesë çdo projekt që modernizon rrjetin, si ai për pajisjen e konsumatorëve me matësa inteligjentë.
Por, për opozitën kjo nuk do të sjellë zgjidhjen e problemit pa zhdukur më parë informalitetin përmes plotësimit të çdo konsumatori me matës apo rasteve të matësave të dëmtuar, për të cilët konsumatorët faturohen aforfe.
'Nuk eshtë çelësi i artë, matësat inteligjentë që do të na zgjidhin gjithçka. Problemi është mbushja e gropës që nuk po mbushet prej 24 vjetësh. Të pajisim të gjithë konsumatorët shqiptarë me matësat sipas standardeve që janë", u shpreh deputeti i PD-së, Kozma Dashi.
Sipas Kompanisë së Shpërndarjes, numri i konsumatorëve që faturohen aforfe janë 50 mijë nga 1.2 milionë konsumatorë në total të energjisë. Lidhur me projektligjin "Për sektorin e energjisë elektrike" kreu i ERE-s, Ahmeti tha se miratimi i një ligji të ri për sektorin e energjisë dhe të gazit është një risi për zhvillimin e sektorit të energjisë në përgjithësi, ndërsa shtoi se drafti ka trajtuar një sërë problematikash që Enti ka hasur në sektorin e energjisë./a.gjonaj//a.ke/