Studentët nga familjet në nevojë do të marrin 25 mijë lekë në muaj, nga 10 mijë lekë që përfitojnë aktualisht. Rritja e bursave është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2027 për arsimin, ndërsa mbështetja financiare do të vijojë për herë të parë edhe gjatë studimeve Master.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi sot në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet projektbuxhetin për vitin 2027, ku arsimi i lartë përfiton 1.25 miliardë lekë shtesë, rritja më e madhe në vlerë brenda buxhetit të ministrisë.
Sipas Kumbaros, fondet shtesë do të përdoren kryesisht për mbështetjen e studentëve, përmes rritjes së bursave dhe një bonusi qiraje ose shtese në pagesën mujore, të cilën përfituesit mund ta përdorin sipas nevojave të tyre.
“Duke iu përgjigjur kërkesave të vetë universiteteve me të cilat kemi qenë në një komunikim shumë të ngushtë gjatë gjithë vitit, edhe në kuadër të rishikimit të ligjit për arsimin e lartë, si edhe duke dëgjuar zërin e studentëve, kemi vendosur një rritje të buxhetit për zërin e arsimit të lartë”, tha ministrja.
Nga paketa e re e mbështetjes financiare parashikohet të përfitojnë mbi 11 500 studentë. Prej tyre, 5 900 studentë nga familjet në nevojë do të marrin nga 25 mijë lekë në muaj, ndërsa 5 500 studentë me notë mesatare 9–10 do të përfitojnë nga 10 mijë lekë.
Ndërkohë, 177 studentë që ndjekin programe me përparësi kombëtare do të marrin nga 50 mijë lekë në muaj. Për herë të parë, mbështetja financiare për studentët e këtyre programeve do të shtrihet edhe në ciklin Master. Edhe bursa për studentët nga familjet në nevojë do të vijojë gjatë studimeve Master.
Një pjesë e buxhetit do të shkojë edhe për përmirësimin e kushteve në konvikte. Për këtë qëllim janë parashikuar 375 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro, që do të mbështesin akomodimin e 7 mijë deri në 7 500 studentëve.
Sipas ministres, së bashku me të ardhurat nga tarifat e akomodimit dhe kontributet e bashkive, financimi total për konviktet do të arrijë në rreth 900 milionë lekë në vit, ose 9.5 milionë euro.
Këto fonde, tha Kumbaro, synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve në konviktet e Tiranës, Kamzës, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.

Fëmijët do të mund të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, ndërsa nxënësit me aftësi ndryshe do të kenë nga një mësues ndihmës secili. Këto janë dy nga ndryshimet që ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2027.
Sipas Kumbaros, programi “Pas shkolle” do të zgjerohet me dy orë në ditë, duke e çuar kohën maksimale të qëndrimit të fëmijëve në shkollë deri në orën 17:00. Për këtë program dhe mësuesit e angazhuar janë parashikuar 500 milionë lekë, ndërsa do të shtohen edhe module të reja.
“Programi ‘Pas shkolle’ do të vijojë duke u zgjeruar edhe me dy orë në ditë, duke e shtuar kohën e qëndrimit të fëmijëve në shkollë maksimalisht deri në orën 17:00, por edhe duke ofruar module të reja”, tha Kumbaro.
Një tjetër ndryshim i parashikuar për vitin 2027 është vendosja e një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe. Aktualisht, sipas ministres, raporti është një mësues ndihmës për katër fëmijë.
Ministrja bëri të ditur se numri i nxënësve me aftësi ndryshe në sistemin parauniversitar ka arritur në 6039 këtë vit shkollor, nga rreth 4000 që ishin në vitin shkollor 2024-2025. Ajo shpjegoi se Ministria e Arsimit ka zgjeruar edhe grupmoshat që përfitojnë mbështetje, duke përfshirë fëmijët dhe të rinjtë nga 3 deri në 19 vjeç, ndërsa për një kategori mosha është rritur deri në 21 vjeç.
Sa i përket financimit, Kumbaro tha se arsimi parauniversitar do të marrë mbi 1 miliard lekë më shumë krahasuar me vitin 2026.
Për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore, gjatë periudhës 2027–2029 planifikohen rreth 120 projekte, me një vlerë prej rreth 88 milionë eurosh.
Vetëm gjatë vitit 2027 do të vijojë financimi i 54 projekteve, përfshirë 40 shkolla e kopshte dhe 14 shkolla të mesme, me një fond prej rreth 2.2 miliardë lekësh. Ndërkohë, 700 milionë lekë të tjera janë parashikuar për rreth 40 projekte të reja.





Komente
Komento